LAJMI I FUNDIT:

Gjashtë muaj nga mbyllja e konkursit, 2800 aplikuesit për 100 vende të lira nuk u ftuan në intervistë

Gjashtë muaj nga mbyllja e konkursit, 2800 aplikuesit për 100 vende të lira nuk u ftuan në intervistë

Në shtator të vitit të kaluar është mbyllur afati i konkurrimit në ndërmarrjen Trepça për 100 praktikantë, por akoma ata nuk i janë nënshtruar procedurës së testimit.

Në këtë konkurs Trepça kishte kërkuar 75 të rinj (21-35 vjeç) për minierën e Stantërgut dhe 25 për minierën e Artanës, të cilët do të duhej të trajnoheshin për nevojat e minierës dhe të kishin prioritet për punësim në Trepçë.

Mirëpo, edhe pse kanë kaluar rreth gjashtë muaj nga përfundimi i konkursit, ndërmarrja Trepça e udhëhequr nga Ahmet Tmava ende nuk i ka intervistuar rreth 2800 persona që kanë aplikuar.


Këtë rast në Veriu.info e ka raportuar një aplikues, i cili ka shkollim superior dhe ka shpreh zhgënjimin për mos marrjen e asnjë informate për këtë konkurs.

“Konkursi në Trepçë është mbyll në shtator dhe ende kurrfarë informate nuk kemi 2800 personat që kemi aplikuar. Neve na është thënë se pas përfundimit të punës së trajnimit si praktikant, ata që kalojnë me sukses do të punësohen në Trepçë. Nuk dihet asgjë se procesin e mëtutjeshëm”, ka thënë i riu që ka aplikuar në këtë konkurs

Veriu.info më 22 shkurt i ka dërguar disa pyetje tek menaxhmeti i Trepçës për këtë çështje, por ata kanë zgjedhur heshtjen. /Telegrafi/