LAJMI I FUNDIT:

Spanjollja që ka punuar në Kosovë, tash do ta “shkund” drejtësinë e Shqipërisë

Spanjollja që ka punuar në Kosovë, tash do ta “shkund” drejtësinë e Shqipërisë

Pas pak javësh në Shqipëri do të mbërrijë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i cili ka një rol kyç në procesin e “Vettingut”.

“Vizion plus” ka mësuar se në krye të këtij operacioni do të jetë drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Genoveva Ruiz-Calavera.

“Po, unë do të kem kënaqësinë të drejtoj Operacionin ndërkombëtar të monitorimit, i cili do të asistojë procesin e Vettingut”, shprehet zyrtarja e lartë e unionit, gjatë një komunikimi me email për Vizion Plus.


Mësohet se anëtaret e ONM-së do te përzgjidhen nga Gjermania, Austria, Holanda e Italia dhe prej kohësh është konfirmuar se pjesë e operacionit është edhe Reinhard Priebe, i cili ka qenë në Shqipëri gjate mandatit të dytë të kryeministrit Fatos Nano si drejtor për Ballkanin Perëndimor në BE.

Puna e ndërkombëtareve fillon në momentin që janë mbyllur aplikimet për Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit, të Kolegjit të Apelimit dhe ka në fokus vlerësimin e të gjithë personave që synojnë të jenë pjesë e institucioneve që do të realizojnë Vettingun.

Por, kjo është vetëm faza e parë e punës se tyre pasi vëzhguesit ndërkombëtare do të jenë prezentë në çdo hap te skanimit te gjyqtareve e prokuroreve, dhe, sipas ligjit, ata kanë të drejtë të “hetojnë dhe vlerësojnë të gjitha faktet dhe rrethanat e nevojshme për procedurën e rivlerësimit.”

Calavera, e lindur në Spanjë, nisi punën si drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në departamentin e Negociatave për Zgjerim më 1 qershor të vitit të shkuar.

Ka punuar në fushën e politikës së jashtme dhe marrëdhënieve fqinjësore për gati dy dekada. Gjatë kësaj kohe ka shërbyer në grupin e punës së KE-së për rindërtimin e Kosovës, si dhe në departamentet e politikës së fqinjësisë, punëve të jashtme dhe në grupin e këshilltarëve të politikës së jashtme.

Sipas KE-së. Ruiz ka një “përvojë të gjerë në menaxhim” dhe është emëruar për herë të parë kreu i njësisë në 2006.

Ajo u bashkua me ekipin e Komisionit Evropian në vitin 1992 dhe ka punuar si fillim në fushën e tatimeve dhe doganave, pasi i dedikoi një dekadë pune sektorit privat në Spanjë.