LAJMI I FUNDIT:

ASK: Eksporti mbulon importin në muajin nëntor me 13.7%

ASK: Eksporti mbulon importin në muajin nëntor me 13.7%
Export Or Import Directions On A Metal Signpost

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin nëntor të këtij viti, ku tregohet për një deficit tregtar më të lartë për 4.3 për qind në në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2015, gjegjësisht në vlerë prej 202,7 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 194,4 milionë eurosh në vitin 2015.

Sipas ASK-së, eksporti mbulon importin me 13.7 për qind.

“Eksporti i mallrave në muajin nëntor 2016 kishte vlerën 32,1 milionë Euro, ndërsa importi 234,8 milionë Euro, ku është një rritje prej 35.4 për qind për eksport dhe 7.6 për qind për import, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015. Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 34.2 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 28.5 për qind e përbëjnë produktet minerale; 7.7 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 7.4 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.2 për qind e përbëjnë produktet bimore; 3.5 për qind e përbëjnë lëkura dhe artikuj prej saj; 2.3 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike etj. Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13.5 për qind të importit e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 13.3 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.2 për qind e përbëjnë produktet minerale; 9.9 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.5 për qind e përbënë mjetet e transportit; 7.2 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.7 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre, e.t.j”, thuhet në një komunikatë të ASK-së.

ASK thotë se eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6,4 milionë euro, ose rreth 20.0 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 0.1 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (5.2 për qind), Bullgaria (3.5 për qind), Holanda (3.4 për qind), dhe Austria (2.6 për qind).

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 102,2 milionë Euro, ose 43.5 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10.9 për qind. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.9 për qind), Italia (5.7 për qind), Greqia (4.9 për qind), Polonia (3.2 për qind) etj.

“Ndërkaq, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s, në muajin nëntor 2016, arritën në 16,6 milionë Euro, ose 51.7 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 68.9 për qind. Ndërsa, partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Serbia (22.1 për qind), Shqipëria (12.6 për qind), Maqedonia (11.8 për qind), dhe Mali i Zi (3.3 për qind). Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin nëntor 2016, arritën në 65,6 milionë Euro, ose 27.9 për qind e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 4.0 për qind. Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (14.0 për qind), Maqedonia (5.6 për qind), Shqipëria (4.1 për qind) dhe Bosnje e Hercegovina (3.6 për qind).Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 9,0 milionë Euro, ose 28.3 për qind. Ndërsa, si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Kina (18.5 për qind) dhe Zvicra (5.8 për qind)”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 66,9 milionë Euro, ose 28.5 për qind. Kurse, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (9.6 për qind) dhe Turqia (9.3 për qind). /Telegrafi/