LAJMI I FUNDIT:

Vdekja që vjen nga ajri!

Vdekja që vjen nga ajri!

Ajri i ndotur po ua merr jetën shumë kosovarëve. Shkallë alarmante e ndotjes është përreth termocentraleve të KEK-ut, ku edhe fëmijët janë të prekur nga sëmundjet kancerogjene.

Ka pesë vjet që vuan nga sëmundja e kancerit. Nga trupi i tij i është shkëputur tashmë gjysma e mushkërive. Në moshën 62-vjeçare, Imer Tërnava që jeton në fshatin Dardhishtë të Obiliqit, shumë afër termocentraleve të KEK-ut, apelon që shteti të reagojë dhe të ndërmarrë masa për mbrojtur ajrin nga ndotja, që të tjerët të mos kenë fatin e tij.

Ajri i rëndë që mbretëron ambientin e këtij fshati, sidomos gjatë stinës së dimrit, ai dyshon se ia solli edhe sëmundjen.


“Kam 44 vjet që punoj këtu dhe jetoj, pra gjithë jetën kam thithur këtë ajër. Nuk kam vetëm unë dyshime, por dhe mjekët kur më diagnostikuan me një lloj të kancerit përmendën edhe pluhurin e termocentraleve si një nga shkaktarët e sëmundjes”, thotë Tërnava.

Gjatë rrëfimit për “Zërin” ai tregon se gjysmën e mushkërive që ia kanë hequr për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në pjesët tjera të trupit. Për diagnostifikim dhe operim, ai thotë të ketë shpenzuar 10 mijë euro, ndërsa çdo muaj paguan deri në 100 euro e më shumë terapinë, që e ka të obliguar ta marrë.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Ferat Shala, ka thënë se Prishtina nuk është qyteti me ajrin më të ndotur në botë siç është krijuar perceptim, megjithatë institucionet e vendit do të jenë të pamëshirshme ndaj ndotësve të mjedisit.

Është krijuar një perceptim se Prishtina është qyteti me ajrin më të ndotur në botë, mirëpo kjo nuk është reale. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, duke shtuar se Kosova sa i përket ndotjes së ajrit është përafërsisht në të njëjtin në nivel me vendet e rajonit dhe me ato të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, Shala ka thënë se institucionet e vendit do të jenë të pamëshirshme ndaj ndotësve, për çka ka bërë të ditur se është kërkuar edhe nga Qeveria që të zbatohen ligjet dhe aktet tjera nënligjore sa i përket sanksionimit të ndotësve të ambientit.

Shala gjithashtu ka thënë se Ministria që ai drejton e ka prezantuar para Qeverisë, Planin e Veprimit, plan ky që sipas tij, në detaje i sqaron shkaqet e ndotjes dhe masat që duhet të ndërmerren. Ndotësit kryesorë sipas Shalës janë: termocentrale, ekonomitë familjare të cilat përdorin thëngjillin, bizneset tjera si dhe automjetet. Ai gjithashtu ka thënë se javët e fundit ka ndikuar negativisht edhe mungesa e erërave për ta larguar ajrin e ndotur.