LAJMI I FUNDIT:

Deputeti i PDK-së e quan Dardan Molliqajn “ideator i sulmeve terroriste”

Deputeti i PDK-së e quan Dardan Molliqajn “ideator i sulmeve terroriste”
Foto: Arkiv

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, e ka quajtur sekretarin organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, “ideator i sulmeve terroriste”.

Ai ka aluduar në sulmin që është kryer në Kuvendin e Kosovës, nën dyshime për kryerjen e së cilit akt u arrestuan gjashtë aktivistë të Vetëvendosjes, mes tyre edhe tashmë i ndjeri Astrit Dehari, njofton Klan Kosova.

“Çdo person është i pafajshëm derisa të vërtetohet ndryshe nga gjykata. Kështu besoj unë. Ka shumë gjëra që duhet të qartësohen në këtë rast. Ndër to është edhe vizitat e Dardan Molliqajt – ideator i sulmeve terroriste – në burg”, tha Beqa në Info Magazine të Klan Kosovës.


Beqa nga ana tjetër ka thënë se seanca e jashtëzakonshme të cilën kuvendi e mbajti sot ka qenë e domosdoshme, për shkak zhvillimeve pas vdekjes së Deharit.

“Vdekja e Astrit Deharit është keqpërdorur nga disa subjekte në Ksoovë. Ndaj ne jemi detyruar që të bëjmë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme për këtë cështje. Konsideroj që kjo është dashur të ndodh, për shkak të sqarimeve për opinionin publik”, tha ai.

Beqa ka thënë se Drenasi e ka dëshmuar që është bastion i PDK-së, me bërjen kryetar të Ramiz Lladrovcit.

Ai ka deklaruar se beson në votën e qytetarëve të Drenasit dhe përgatitjen e Lladrovcit, ndaj pret që ai të jetë një nga kryetarët më të mirë të komunës në vend.

“Mendoj që në Drenas ka qenë tendenca që të përsëritet qershori i vitit 2014, me njëfarë blloku kundër Partisë Demokratike të Kosovës. Por qytetarët e dëshmuan që Drenasi është bastion i PDK-së. Për më shumë ky mandat ka qenë i yni. Besoj në votën e qytetarëve të Drenasit dhe në përgatitjen e Ramiz Lladrovcit. Ai, mendoj unë, do të jetë një nga kryetarët më të përgatitur të komunave në Kosovë”.

“Lladrovci nuk e ka nisur debatin me Jakup Krasniqin, por është përgjigjur. Normalisht, e kuptoj që nuk reagon njëjtë si humbësi, si fituesi. Sa i përket raundit të parë, mund të them që nuk kemi pritur të fitojmë mbi 50 për qind të votave. Sepse shumica e kandidatëve kanë qenë të Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Beqa. /Klan Kosova/