LAJMI I FUNDIT:

Të shtëna armësh e djegie e kontejnerit të Policisë në veri të Mitrovicës

Të shtëna armësh e djegie e kontejnerit të Policisë në veri të Mitrovicës

Në Zubin Potok të Mitrovicës persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në një kontejner të punonjësve të sigurimit fizik, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Kështu bëri të ditur për Telegrafin, zëvendësdrejtori i Policisë për Veriun e Mitrovicës, Besim Hoti.

Ngjarja ka ndodhur të dielën mbrëma rreth orës 23:30, në një vend malor të pabanuar, konkretisht afër liqenit të Gazivodës, në Zubin Potok.


Sipas tij, njësitë e policisë në vendin e ngjarjes kanë vërejtur shenjat  e gëzhojave në muret e kontejnerit.

“Persona të panjohur kanë gjuajtur me armë zjarri në ajër në një kontejner të punonjësve të sigurimit fizik në afërsi të lokacionit, ku është duke u ndërtuar një hotel. Njësitë e policisë në vendin e ngjarjes kanë vërejtur shenjat e gëzhojave në muret e kontejnerit. Nuk raportohet për të lënduar”, ka thënë Hoti për Telegrafin.

Ai gjithashtu tha se mbrëmë pothuajse në të njëjtën orë, ka ndodhur edhe një zjarrvënie në kontejnerin e Policisë.

Hoti tha se kontejneri nuk ka qenë në funksion pasi sapo ishte rivendos nga një vend që ka qenë më herët, në lagjen “Kroi i Vitakut”.

“Është djeg mbrëmë kontejneri i Policisë i cili nuk ka qenë në funksion për punë policore, pasi sapo e kishim rivendos në atë zonë. Rasti është i qëllimshëm dhe ende nuk i kemi identifikuar personat se kush mund ta ketë bërë”, tha zëvendësdrejtori i policisë për Veriun e Mitrovicës, Besim Hoti.  /Telegrafi/