LAJMI I FUNDIT:

Tatëpjeta e PDK-së

Tatëpjeta e PDK-së

Rezultati më i dobët zgjedhor që nga paslufta për PDK-në në Drenas vlerësohet se do të ndikojë negativisht edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Analistët politikë nuk e përjashtojnë mundësinë që edhe në Drenas të ndodhë skenari i Prishtinës, ku kandidati i dytë me më shumë vota ta fitojë garën e balotazhit, shkruan sot, gazeta Zeri.

Rezultati i zgjedhjeve të parakohshme lokale në Drenas, i cili çoi në balotazh PDK-në dhe “Nismën për Kosovën”, mund të jetë vetëm fillimi i tatëpjetës së PDK-në.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë pas rënies në vota që pësoi subjekti më i madh politik në vend në bastionin kryesor të saj që nga paslufta, në Drenicë.


Kjo është hera e parë që kandidati i PDK-së detyrohet të garojë edhe në rundin e dytë të zgjedhjeve në Drenas, pasi që vazhdimisht kishin siguruar fitore bindëse në rundin e parë.

Në raport me zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2013, kandidati i PDK-së në Drenas, Ramiz Lladrovci, ka marrë rreth 19 për qind vota më pak se paraardhësi i tij në këtë komunë, ish-kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku.

Nga ana tjetër, përfaqësues të “Nismës për Kosovën”, kandidati i së cilës më 18 dhjetor 2016 “do t’i masë përsëri forcat” me Lladrovcin e PDK-së, kanë pohuar se pas këtij rezultati ky subjekt do të vazhdojë të kërkojë edhe më shumë zgjedhje të parakohshme.

Sipas tyre, rezultati i zgjedhjeve në Drenas tregon qartë se PDK-ja ka filluar të zbehet.

Megjithatë, në PDK janë të bindur se Lladrovci do ta konfirmojë fitoren në balotazh, njëjtë siç ka fituar më së shumti vota nga të gjithë kandidatët në zgjedhjet e së dielës që lamë pas.