LAJMI I FUNDIT:

Aksionet e kompanive të naftës rriten me 630 miliardë dollarë

Aksionet e kompanive të naftës rriten me 630 miliardë dollarë

Pas dy vitesh të rënies së çmimeve të naftës, investitorët në prodhuesit më të mëdhenj në botë të energjisë shpresojnë që çmimet të vazhdojnë rimëkëmbjen graduale dhe presin që OPEC të mos ta frenojë.

Kompanitë e naftës në botë kanë shtuar 630 miliardë dollarë në vlerë tregu këtë vit, që është rritja më e madhe në 6 vite, tregojnë të dhënat e Bloomberg. Kjo vjen pas një rënieje me 1.2 trilion në vlerë vitin që kaloi dhe 790 miliardë dollarë në 2014, si pasojë e rënies së çmimeve.

Rënia e naftës ka goditur prodhuesit në botë, nga gjigantë si Royal Dutch Shell e deri te kompanitë e vogla të eksplorimit. Kompanitë kanë rritur borxhet, anuluar miliarda dollarë projekte dhe shkurtuar vende pune për të mbijetuar kthesën.


Në shtator, Organizata e Vendeve Eksportuese i dha këtyre kompanive një shpresë duke përmbysur politikën dy-vjeçare të pompimit deri në maksimum dhe duke rënë dakord që të ulin prodhimin. Megjithatë, grupi po has vështirësi në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Indeksi global i Bloomberg për naftën dhe gazin, që përbëhet nga 58 kompani, është rritur me 12% për këtë vit, që është rritja më e madhe që prej 2009. Exxon Mobil, Chevron, Shell, Total dhe BP janë rritur në vlerë tregu për 2016.

Çdo rritje me një dollar në çmimet e naftës, i shton fitimet e rregulluara vjetore të BP me rreth 300 milionë dollarë, tregojnë të dhënat në faqen në Web të kompanisë. British Petroleum dhe Shell kanë reduktuar kostot operative duke rinegociuar kontratat, reduktuar në vlerë projektet dhe shkurtuar punonjësit. Sipas Bloomberg, në vitin që vjen këto do të kenë mundësinë të balancojnë burimet e cash-it dhe shpenzimet, kur çmimet të shënojnë 50-55 dollarë për fuçi. /Telegrafi/