LAJMI I FUNDIT:

A ka prapavijë kërkesa e Thaçit për zbardhjen e vrasjeve?

A ka prapavijë kërkesa e Thaçit për zbardhjen e vrasjeve?

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot përmes një konference për media, ka bërë të ditur se ka dërguar katër letra në adresë të Kryeprokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, për të kërkuar përmes tyre drejtësi për katër raste, që kanë ndodhur para dhe pas luftës në Kosovë.

Thaçi tha se rastet kanë të bëjnë vënien e drejtësisë në rastin e masakrës së familjes Jashari si dhe disa masakrave të tjera, si ajo në Reçak, Izbicë, Obri, Krushë, Dubravë, por edhe vrasja e vëllezërve Bytyçi në Serbi dhe tentim atentati ndaj ish presidentit Ibrahim Rugova.

E këtë nismë të presidentit Thaçi, avokati Arianit Koci ka thënë se duhet përshëndetur.


“Kërkesa e Presidentit që sistemi i drejtësisë t’i jap prioritet vrasjeve gjatë dhe pas luftës, është për tu përshëndetur. Shoqëria jonë, nuk mund të rri e qetë, derisa të zbardhen të gjitha vrasjet e pasluftës”, ka thënë Koci për Telegrafin.

Ai ka shtuar se sistemi i drejtësisë ka nevojë për përkrahje nga të gjithë ne, e posaçërisht nga ana e presidentit.

“Nuk po shoh këtu ndonjë problem apo prapavijë, pse pikërisht tani po e bënë një veprim të tillë”, tha Koci.

I pyetur se a mund të ketë lidhje kjo me Gjykatën Speciale, avokati Arianit Koci ka theksuar se nuk ka të bëjë fare me të.

“Nëse vërtetë duan që ta kemi një gjyqësor të pavarur të paanshëm dhe profesional, duhet ta përkrahim në çdo formë, madje edhe materialisht. Gjyqtarët dhe Prokurorët duhen t’i kenë pagat më të mira, në mënyrë që aty të mbledhjet ajka profesionale”, u shpreh Koci.

Mirëpo, mendim të kundërt ka analisti Imer Mushkolaj.

Ai ka thënë për Telegrafin se sistemi i kapur i drejtësisë është rezultat i qeverisjes së Hashim Thaçit.

“Sot ai doli para mediave duke provuar të shfaqet si njëfarë shpëtimtari i sistemit të drejtësisë, duke treguar se si zyrtarisht paska kërkuar zgjidhjen e rasteve të ndryshme. Ndërkohë, për gati dhjetë vjet në pushtet, ai as që e mori mundin të kontribuojë në këtë çështje”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka theksuar se paraqitja e sotme e Hashim Thaçit nuk është e rastësishme.

“Mu sot në media u publikuan akuzat e ish-guvernatorit Hashim Rexhepi, i cili tregoi se ishte Thaçi ai që kërkonte milionat e shtetit. Para se të kërkojë hetimin e kujtdoqoftë, ai do të duhej të kërkonte hetimin e vetes dhe të familjarëve të tij”, tha Mushkolaj.

Presidenti Thaçi në fund të konferencës ka shprehur besim të plotë se organet e drejtësisë në Kosovë, me profesionalizmin, me përkushtimin dhe paanshmërinë e tyre, mund t’u japin përgjigje të gjitha këtyre çështjeve.

Ai ka thënë se Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit do ta ketë mbështetjen e të gjithëve për këtë mision.

Zbardhja e së vërtetës për këto raste, sipas Thaçit, do të rezultonte edhe në fuqizimin e besimit të të gjithë qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë në sistemin e drejtësisë në Kosovë./Telegrafi/