LAJMI I FUNDIT:

Përfundon festivali i filmit ‘Tiff-Oda 2016’ në Tetovë, njihuni me fituesin

Përfundon festivali i filmit ‘Tiff-Oda 2016’ në Tetovë, njihuni me fituesin

Festivali tashmë tradicional për qytetin e Tetovës mbrëmë ka mbyllur dyert për publikun me shpresë se në vitin e ardhshëm do të zhvillohet edhe më shumë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në këtë festival u prezentuan 36 filma nga 25 shtete të ndryshme dhe artdashësit patën mundësi, brenda pesë ditësh të ndjekin filma të metrazhit të shkurtër dhe të gjatë. Për ata që donin të mësonin diç më tepër për kinematografinë, kanë pasur mundësinë që të ndjekin edhe punëtori të shumta, nga profesorë të ardhur nga Slovenia, Kosova, Shqipëria dhe profesorë nga vendi.

Tomash Petran, anëtarë i jurisë për këtë festival tha “Tiff-ODA po shkon në drejtimin e duhur, sepse kam parë sallat e kinemave të mbushura me rini, dhe kjo për mua është më e rëndësishme, sjellja e rinisë si audiencë, gjë që për ne që merremi me filmin është shumë e rëndësishme”.


Latif Hasolli, selektor i festivalit pas mbarimit të të gjithë programit tha “Karakteristikë e këtij festivali janë filmat e shkurtër, ndërsa filmat e gjatë i kemi për respekt të audiencës, janë filma që janë xhiruar dy vitet e fundit, dhe kanë marrë pjesë në festivale të ndryshme të botës, siç janë filmat shqiptarë Krom, Babai dhe Medena Noq”

Për fund, Afrim Spahiu, anëtarë i jurisë tha “Çmimet janë ndarë me merita të plota për arsye të atij detyrimi që ato kanë pasur si vlera artistike por edhe si mundësi për një frymëmarrje dhe ardhmëri më të mirë për këtë kontribut”.

Fitues i këtij festivali u zgjodh filmi ”Mother” nga Gjeorgjia./Telegrafi/