LAJMI I FUNDIT:

Kosova i do tri pikët ndaj Finlandës

Kosova i do tri pikët ndaj Finlandës

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka zhvilluar seancën e fundit para ndeshjes ndaj Finlandës, skuadër me të cilën përballet nesër mbrëma (e hënë) në Turku, në ndeshjen e parë kualifikuese për Kampionatin Botëror, ‘Rusia 2018’.

Seanca stërvitore u përcoll nga mijëra shikues, kryesisht shqiptarë dhe nga shumë media që ndoqën yjet e Përfaqësueses së Kosovës.

Pas stërvitjeve disa nga futbollistët komentuan rreth sfidës që i pret, transmeton KP.


“Kemi një grup jashtëzakonisht të mirë dhe cilësor dhe unë besoj në rezultat pozitiv. Ka futbollistë të rinj të cilët kanë angazhim të madh dhe dëshirojnë fitore. Gjithsesi ndeshja kundër Finlandës do të jetë një ndeshje e fortë. Por, jemi të përgatitur që të korrim sukses dhe të marrim tri pikë”, deklaroi Alban Meha.

“Përfaqësuesja e Kosovës ka lojtarë të mirë dhe cilësorë e unë besoj shumë që do të shënoj dhe do të arrijmë fitore, që do të na motivonte shumë për ndeshjet tjera. Grupi ka punuar me shumë përkushtim këto ditë për të arritur qëllimin”, u shpreh Besar Halimi.