LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Biden theksoi se insistimi i opozitës se Kosova po humb territor është i pavërtetë

Mustafa: Biden theksoi se insistimi i opozitës se Kosova po humb territor është i pavërtetë

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa mori pjesë në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës.

Mustafa në fjalën e tij përpos pikave të rendit të ditës, ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.

Ai tha se qeveria do të vazhdojë me ndërtimin e marrëdhënieve miqësore me fqinjët. Do të vazhdojë me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe do të punojë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ashtu siç e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese dhe Marrëveshja e Parë e ratifikuar me Ligj.


“Qeveria konsideron se Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë tokë me Marrëveshjen për shënimin ë kufirit me Malin e Zi, të cilin e ka administruar në kushtet mbi të cilat është shpallur pavarësia e saj. Vlerëson lartë përkushtimin e SHBA-së për ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje dhe ekspertizën e Departamentit të Shtetit. Besimi i qytetarëve të Kosovës për SHBA-të është i madh dhe i palëkundur, prandaj Qeveria beson shumë se deputetët do të veprojnë në harmoni me strategjitë të cilat i kemi ndërtuar dhe po i ndërtojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çdo veprim tjetër nuk është në interes të Kosovës, të sovranitetit të saj dhe të integritetit territorial”, ka thënë Mustafa, transmeton Telegrafi.

Mustafa ka theksuar se adresimi i këtyre çështjeve do t’i hapte udhë përkrahjes edhe më të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për proceset vitale të Kosovës siç është edhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës.

“Qeveria do të punojë po ashtu në reformatime të nevojshme të brendshme, reforma të agjencioneve qeveritare dhe atyre të pavarura si dhe të qeverisjes korporative të ndërmarrjeve publike, të cilat e ngritin edhe më shumë dinamikën dhe efikasitetin në punë, por edhe përkushtimin për zbatimin e orientimeve strategjike, të cilat i kemi ndërtuar së bashku me partnerët tanë ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian”, tha Mustafa.

Çështje tjetër gjatë kësaj mbledhje ishte edhe vazhdimi i dialogut me Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve me këtë shtet dhe implementimi i marrëveshjeve.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë se duhet të implementohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.
Ekziston vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili ka konkluduar se Asociacioni është bërë obligim për Kosovën, sepse është ratifikuar me Ligjin për ratifikimin e marrëveshjes së parë si marrëveshje ndërkombëtare”, u shpreh kryeministri.

I pari i qeveris më tej shoti se duke marrë parasysh se është caktuar ekipi menaxhues, do të punojë që Asociacioni të themelohet duke respektuar plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Marrëveshjen e parë të ratifikuar me Ligj.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se çështja e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi është shumë e qartë. Departamenti i Shtetit ka dhënë vlerësim se kjo vijë është në harmoni me vijën në të cilën SHBA e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, që përputhet me territorin që Kosova ka pasur si Krahinë Autonome në ish-Jugosllavi. Zëvendës presidenti Biden ishte shumë i hapur dhe konkret lidhur me detyrimet tona për të proceduar me ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje

Vërejtjet ishin se nuk kemi bërë sa duhet për ta njoftuar opinionin me të vërtetën e kësaj çështjeje, dhe se e vërteta është se insistimi i një grupi të vogël se Kosova po humb territor është krejtësisht i pavërtetë dhe i paqëndrueshëm. Se Komisioni Evropian e ka dhënë rekomandimin për liberalizim të vizave me kërkesë që paraprakisht të ndodh shënimi i kufirit me Malin e Zi, por po ashtu u tha se as Komisioni Evropian dhe as Bashkimi Evropian nuk do të marrë vendimin, të cilin duhet ta marrin institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Mustafa./Telegrafi/