LAJMI I FUNDIT:

Publikohet raporti me rekomandimet për kujdesin shëndetësor në Kosovë

Publikohet raporti me rekomandimet për kujdesin shëndetësor në Kosovë

Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim sot publikon raportin “Rekomandimet e politikave për kujdesin shëndetësor në Kosovë”.

Në njoftimin për media thuhet se qasja në kujdes shëndetësor cilësor është e drejtë e njeriut dhe komponentë shumë e rëndësishme për krijimin e sigurisë njerëzore dhe në ngritjen e mirëqenies së qytetarit.

“Kosova shpenzon më pak në kujdesin shëndetësor sesa çdo shtet tjetër në Ballkan apo në Evropë. Në vitin 2013, 84% të qytetarëve të Kosovës nuk kanë pasur sigurim shëndetësor. Në veçanti këtu përfshihen të rinjtë, ata të cilët jetojnë në zonat rurale, të papunësuarit, si dhe ata të cilët jetojnë nga një minimum i të ardhurave me të cilat sigurojnë jetesën. Pjesa më e madhe e pagesave për kujdesin shëndetësor bëhen nga ‘xhepi’ pavarësisht që kjo përbënë 13% të shumës të shpenzimeve nga të ardhurat mesatare të një individi. Veç kësaj, shumë prej qytetarëve të Kosovës janë të detyruar të kërkojnë trajtim jashtë vendeve të Ballkanit për shkak të mungesës së pajisjeve apo trajnimit të duhur”, thuhet në njoftim.


Raporti mbi sistemin publik të kujdesit shëndetësor në Kosovë jo vetëm që paraqet pabarazitë në qasjen dhe kushtet që e pengojnë trajtimin e barabartë, por gjithashtu shqyrton edhe barrierat institucionale që pengojnë shërbimet efikase dhe të qëndrueshme.

“Rekomandimet po ashtu përfshijnë implementimin përfundimtar të Ligjit për Sigurime Shëndetësore, trajnimin profesional të vazhdueshëm, zgjerim të stafit dhe të pajisjeve, transparence në pagesa si dhe edukim më të madh në zonat rurale. Kjo ngjarje do të mbahet në Qendrën për Informim dhe Kulturë të Bashkimit Evropian (rr. Nënë Tereza, nr.63 ), E Hënë, 8 Gusht, duke filluar nga ora 10:00”, bëhet e ditur në njoftim. /Telegrafi/