LAJMI I FUNDIT:

Kështu u protestua në Bogovinë për ujin e komunës (Video)

Kështu u protestua në Bogovinë për ujin e komunës (Video)

Banorët e Bogovinës kanë protestuar edhe sot kundër tendencës së kreut të kësaj Komune, Hazbi Idrizi, për të futur nën ombrellën e komunës ujësjellësin i cili ishte ndërtuar dhe mirëmbajtur për dekada nga vetë banorët, të organizuar në një shoqëri qytetare.

Vedat Sadiki, anëtar i Këshillit për mbrojtjen e ujësjellësit akuzoi kreun e Komunës, Hazbi Idrizi se ka kërcënuar në forma të ndryshme anëtarët e këshillit edhe në takimin e fundit që kanë zhvilluar me të ku siç tha ai, kishin shkuar me shpresë që t’i jepet fund kontestit shumë vjeçar mes banorëve dhe Komunës.

“Ne këshilli iniciues u takuam me Hazbi Idrizin me shpresë se është vetëdijesuar dhe se do të gjejmë gjuhë të përbashkët për zgjedhjen e problemit për ujin e pijshëm. Por ai vazhdon me të njëjtën retorikë, duke u kërcënuar, shantazhuar dhe duke u thirrur në ligj edhe pse ligji dhe gjendja faktike është në anën tonë, sepse ujësjellësi është pronë e qytetarëve që nga fillimi, pra që nga viti 1986 dhe ashtu do të mbetet”, tha Vedat Sadiki.


Imer Elmazi, drejtor i ujësjellësit “Ali Munishti”, akuzoi po ashtu numrin një të komunës se po përdor metoda të ndryshme për të bindur qytetarët që ndërmarrja e ujësjellësit të hyjë në kompetenca të Komunës. Një ndër këta mënyra tha ai ka qenë edhe kontrolli i inspektoriatit të shëndetësisë që në fund kishte rezultuar në favor të qytetarëve dhe drejtuesve të shoqërisë që tani menaxhon me ujësjellësin.

“Një ekip mjekësh prej shtatë vetash nga ministria e shëndetësisë nga Shkupi, kohë më parë arritën në Bogovinë, e kontrolluan profesionalisht ujin tonë, i bënë të gjitha analizat e mundshme, hyrën brenda në kaptazhë te bazeni, dhe në fund na thanë gojarisht se kjo formë e mbyllur e menaxhimit të ujit dhe kjo formë e klorifikimit i plotëson standardet për mbarëvajtjen e ujit të pijes”, tha drejtor i ujësjellësit, Imer Elmazi.

Organizatorët e protestës, të mbështetur edhe nga qytetarë të kësaj komune kundërshtojnë themelimin e një ndërmarrje publike që do të menaxhonte me ujësjellësin me arsyetimin se pas këtij projekti fshihen qëllimet për përfitime të zyrtarëve komunal, që për pasojë do të ketë edhe rritjen e çmimit të ujit për pije, si dhe rënien e cilësinë së mirëmbajtjes së ujësjellësit./Telegrafi/