LAJMI I FUNDIT:

Pesë vjet nga vrasja e Enver Zymberit, vrasësit e tij ende të lirë

Pesë vjet nga vrasja e Enver Zymberit, vrasësit e tij ende të lirë

Një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje bëri homazhe pranë lapidarit të Heroit Enver Zymberi, policit të vrarë nga strukturat kriminale ilegale të Serbisë në veri të Kosovës, më 26 korrik të vitit 2011, në krye të detyrës, në përpjekjen për ta shtrirë sovranitetin në gjithë territorin e vendit.

Vetëvendosje theksoi se shembulli i Enver Zymerit ishte dhe mbetet inkurajues jo vetëm për brezin tonë, por edhe për gjithë brezat e ardhshëm, që synojnë krijimin e atdheut të lirë e sovran.

“Akti i tij heroik ka bërë që emri i tij të shkruhet në pllakën ku shkruhen emrat e gjithë atyre shqiptarëve që u flijuan për Kosovën me liri, pavarësi e sovranitet të plotë, për Kosovën ku gjithë qytetarët janë të barabartë. Për fat të keq, ndonëse kanë kaluar pesë vite nga vrasja e heroit Zymberi, vrasësit e tij ende nuk dihen dhe jetojnë në liri, teksa qeveritarët e Kosovës kanë vazhduar negociatat me Serbinë, duke pranuar koncesione e projekte të dëmshme si ‘Zajednica’”, thuhet në komunikatë.


Sipas VV-së, gjyqi i realizuar nga EULEX me të dyshuarit për këtë krim të Serbisë doli të jetë një dështim dhe zhgënjim.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh gjithmonë respektin dhe nderimin e thellë për punën, veprën dhe vetëmohimin e Enver Zymerit, duke theksuar përherë që emri i heronjve dhe dëshmorëve tanë nuk duhet të harrohet asnjëherë, ashtu sikurse që gjaku i tyre nuk humbet kurrë”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/