LAJMI I FUNDIT:

Politika e premtimeve dhe zhgënjimit

Politika e premtimeve dhe zhgënjimit

Liderët politikë në Kosovë zhvillojnë një politikë me plot premtime e deklarata pa mbulesë, thonë përfaqësues të shoqërisë civile. Këto premtime e deklarata publike, besohet se në të shumtën e rasteve nuk përmbushen. Madje, rezultatet mungojnë edhe kur jepen zotime për përmbushjen e premtimeve brenda afateve të caktuara kohore.

Liberalizmi i vizave për qytetarët e Kosovës është vetëm njëri nga premtimet e vjetra. Presidenti i tashëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në kapacitetin e tij si kryetar i atëhershëm i Partisë Demokratike kishte premtuar liberalizim të vizave që nga viti 2010. Ky premtim, mbetet ende në realizim e sipër.

Drejtori i Institutit për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi, thotë se për deklaratat dhe premtimet e papërmbushura duhet të ketë përgjegjësi morale.


“Në një sistem demokratik mosmbajtja e premtimeve zgjedhore dhe atyre programore të një koalicioni qeverisës do të duhej të ndëshkohej me votë të qytetarëve, por në të shumtën e rasteve politikanët që japin këto premtime do të duhej kishin një përgjegjësi morale dhe të jepnin dorëheqje, ashtu siç ishte rasti i liderëve të Britanisë së Madhe me rastin e referendumit për largimin nga BE-ja”, thotë Demi.

Përveç liberalizmit të vizave, një nga premtimet e këtyre ditëve ishte ai i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, rreth ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Ky i fundit kishte thënë se Demarkacioni ratifikohet para se Brukseli të votojë liberalizimin e vizave.

“Çështjet janë më tepër individuale. Mendoj se ratifikimin duhet ta bëjmë para se Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian të votojë për liberalizimin e vizave për Kosovën”, pati thënë Mustafa.

Megjithatë, çështja e Demarkacionit me Malin e Zi, vazhdon të jetë një çështje sa e ndjeshme aq edhe e paparashikueshme se si do të përmbyllet.

Premtime të mëdha që u bënë nga liderët politikë kishte edhe për aspektin ekonomik.

Programet për hapjen e 120 mijë apo edhe 200 mijë vendeve të reja të punës, mbetën vetëm premtime parazgjedhore, ngaqë ato nuk kishin mbulesë që të përfshiheshin në programin qeverisës.

Së fundi ishte edhe dështimi i privatizimit të Brezovicës, projekt ky i cili gati nga të gjithë udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës, ishte dhënë se do të realizohej dhe do të sillte zhvillim ekonomik të vendit dhe mbi 4 mijë vende të reja të punës.

Privatizimi i Brezovicës nuk paraqet dështimin e vetëm të ndërmarrjeve të mëdha publike që konsiderohen si burim i zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Qeveria e Kosovës dy herë dështoi në privatizimin e Postë Telekomit të Kosovës, ndërkaq, Kombinati metalurgjik “Trepça” për vite është duke kaluar në procese që vazhdojnë të zvarriten.

Për të gjitha këto dështime, drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Agron Demi, kritikon liderët politikë për premtime pa mbulesë.

“Do të duhej që liderët politikë të mbajnë përgjegjësi për fjalën publike, pasi që çdo premtim që jepet, sidomos që ka të bëjë me gjendjen sociale, siç është zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës, janë çështjet që prekin qytetarët dhe mirëqenien e tyre”, thekson Demi.

Ndërkohë, edhe Arton Demhasaj nga Organizata joqeveritare “Çohu”, thekson se liderët politikë në Kosovë bëjnë premtime të mëdha dhe të parealizueshme.

Por, sipas tij, për këto premtime të dhëna e të parealizuara, liderët politikë apo partitë politike duhet të ndëshkohen me votën e qytetarit.

“Deklaratat e liderëve janë të mëdha dhe të parealizueshme shihen qysh në fillim që nuk realizohen, pasi që ata premtojnë shumë. Liderët që janë në pushtet kanë premtuar mbi 200 mijë vende pune derisa në jemi dëshmitarë që nuk janë realizuar as tre mijë vende pune”, shton Demhasaj.

Premtimet pa mbulesë dhe dështimi për realizimin e tyre, jo rrallë sollën edhe pakënaqësi e dëshpërim te qytetarët. Në fund të vitit 2014 – 2015, kishte mbi 50 mijë qytetarë që në mënyra të ndryshmemësynë Evropën, në kërkim të një pune dhe jete më të mirë.

Jo vetëm në planin e politikës së brendshme, por edhe në atë të jashtme kishte shumë deklarata premtuese nga lidershipi vendor. Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, është përmendur qysh në vitin 2013 nga Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili kishte premtuar se Kosova do të aplikonte për anëtarësim në këtë mekanizëm shumë shpejt.

Ndërkohë, ishte edhe një premtim nga ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, sa i përket kodit telefonik. Ajo kishte premtuar se në mars të këtij viti Kosova do të startojë me kodin e ri telefonik, por një gjë e tilla nuk ka ndodhur edhe pas shumë negociatave të gjata rreth kësaj çështjeje në Bruksel.

Për këto vonesa, ministrja Tahiri, fajin e kishte hedhur te Serbia, pasi që siç kishte thënë ajo, “Serbia ka bllokuar marrëveshjen për kodin telefonik të Kosovës”.

Po ashtu, me gjithë premtimet e gati të gjithë liderëve politikë, Kosova nuk kishte arritur të bëhet anëtare e UNESCO-s./rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Lajme
Në rastin

Në rastin "Kobra", babai i viktimës: Më ka ik fëmija në moshën më të mirë, arma nuk përdoret tek vëllezërit

Drejtësi
Peci me akuza për PDK-në dhe LDK-në: A e dini se në vitin 2017, Ministria e Bujqësisë kishte paditur Fahrie Hotin, duke i kërkuar kthimin e mbi 17 mijë euro

Peci me akuza për PDK-në dhe LDK-në: A e dini se në vitin 2017, Ministria e Bujqësisë kishte paditur Fahrie Hotin, duke i kërkuar kthimin e mbi 17 mijë euro

Lajme
14-vjeçari që theri për vdekje bashkëmoshatarin në Tiranë lihet në burg, grupi hetimor sekuestron kamerat e sigurisë

14-vjeçari që theri për vdekje bashkëmoshatarin në Tiranë lihet në burg, grupi hetimor sekuestron kamerat e sigurisë

Lajme
Kalo në kategori