LAJMI I FUNDIT:

Ibrahimi ia kthen Hasanit: Deklaratat e tua nuk i shkojnë për fytyre as edhe një rrugaçi

Ibrahimi ia kthen Hasanit: Deklaratat e tua nuk i shkojnë për fytyre as edhe një rrugaçi

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi përmes një deklarate dërguar medieve, ka reaguar lidhur me deklaratën e ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani i cili kishte thënë se Ibrahimi i ka shërbyer regjimit diktatorial të Sllobodan Millosheviqit.

Më tej në deklaratën e Hamdi Ibrahimit thuhet se “duke mos u marrë me fjalorin e të pandehurit Enver Hasani të përdorur në letrën drejtuar mediave e që nuk do ta përdorte as një rrugaç, e lëre më një person që vetën e heq për intelektual, për hir të opinionit dhe pozitës që e mbaj kam për obligim që z. Enver Hasani apo ligjërisht thënë tani të pandehurit Enver Hasani, por edhe Hasanëve të tjerë që janë pas tij, tu përgjigjem në këto pretendime që nuk janë asgjë tjetër veç shpifje, denigrime dhe gënjeshtra (rrena) të kulluara ( apo siç dikush preferon të thotë “puro”) që nuk do i shkonin për fytyre as edhe një rrugaçi”.

Më poshtë deklarata e plotë e kryetarit të Gjykatës Themelore, Hamdi Ibrahimi:


Në datën 09.06.2016 tani i pandehuri Enver Hasani ndaj të cilit në Gjykatën Themelore të Prishtinës janë në zhvillim dy procedura penale ku është i akuzuar për shkak të veprës penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të falsifikimit të dokumenteve publike, dorëzoi një letër-“kërkesë për fillimin të procedurave disiplinore për shkak të rrugaçërie ordinere, sjelljeve joetike dhe të papranueshme në aspektin profesional të kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës z. Hamdi Ibrahimi”
Për të pandehurin Enver Hasani (ish Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës !) “rrugaqësia ordinere “ e kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë konsiston në atë se në Maj të vitit 2015 paska thënë se ky ( z. Enver Hasani) dhe znj-a Arta Rama “nuk kanë imunitet për punën që e kryejnë”, se lëndën kundër tij dhe znj-es Arta Rama “ e dërgoi në Kuvendin e Kosovës për të marrë sqarim nëse ne kishim imunitet funksional”, se kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë “ i ka shërbyer regjimit diktatorial të SllobodanMillosheviqit deri në ditën e fundit para hyrjes së trupave të NATO-së për ta çliruar Kosovën, se në datën 7 qershor 2016 kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës z.Hamdi Ibrahimi “ e njofton se këto ditë do të marr një ftesë për të dal para gjyqit të tij mbasi nuk paskam imunitet sepse sipas tij fjala është për një rast normal, kjo d.m.th se Hamdi Ibrahimi bëhet edhe prokuror edhe kryetar gjykate edhe kryetar efektiv i trupit gjykues, me theksimin se : “ Hamdi Ibrahimi me këtë ka gjykuar çështjen kundër meje dhe ka shkaktuar dëm të pa riparueshëm…është bërë gjyqtari im dhe ka dhënë verdiktin poshtërues kundër meje adhominem”
Duke mos u marrë me fjalorin e të pandehurit Enver Hasani të përdorur në letrën drejtuar mediave e që nuk do ta përdorte as një rrugaç, e lëre më një person që vetën e heq për intelektual, për hir të opinionit dhe pozitës që e mbaj kam për obligim që z. Enver Hasani apo ligjërisht thënë tani të pandehurit Enver Hasani, por edhe Hasanëve të tjerë që janë pas tij, tu përgjigjem në këto pretendime që nuk janë asgjë tjetër veç shpifje, denigrime dhe gënjeshtra (rrena) të kulluara ( apo siç dikush preferon të thotë “puro”) që nuk do i shkonin për fytyre as edhe një rrugaçi.
Është gënjeshtër ( rrenë ) e kulluar se unë si kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë në vitin 2015 të kem deklaruar se z.Enver Hasani dhe znj-a Arta Rama nuk kanë imunitet funksional për punën që e kryejnë. Në kontekst të imunitetit të gjyqtarëve kam deklaruar se edhe unë jam gjyqtar, kryetar gjykate, kryesoj kolegjin , kam imunitet nga ndjekja penale për vendimin që e marrë por nuk kam imunitet nga ndjekja penale për falsifikim të dokumentit publik.
Është gënjeshtër ( rrenë) e kulluar se unë si kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë në vitin 2015 kam kërkuar nga Kuvendi i Kosovës sqarim se tani i pandehuri Enver Hasani si kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka apo nuk ka imunitet në lidhje me çështjen penale për të cilën është duke u zhvilluar procedura penale. I tërë angazhimi im si kryetar gjykate në këtë çështje ka qenë përgjigja –apo sqarimi që i kam dhënë gjyqtares së çështjes në momentin kur në fillim të seancës për hetim të veçantë tani i pandehuri Enver Hasani është mbrojtur pas imunitetit nga ndjekja penale si kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Kam dhënë mendimin se në momentin kur i pandehuri thirret në imunitet gjykata ka për obligim që të ndërmerr veprime procedurale për të qartësuar situatën se ka apo nuk ka imunitet.
Kërkesa drejtuar Kuvendit të Kosovës është bërë nga gjyqtari i çështjes ,dhe konsideroi se nuk ka bërë asnjë shkelje të ligjit. Fundja në Republikën e Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi nuk ka institucion më me kompetencë se Kuvendi i Republikës së Kosovës për çështje të imunitetit.
Është gënjeshtër (rrenë) e kulluar se unë si kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë në datën 7 qershor 2016 kam deklaruar se i pandehuri Enver Hasani nuk ka imunitet. Teksti i deklaratës që e kam dhënë për gazetën Koha Ditore ( e cila nga gazeta është publikuar në mënyrë korrekte) është kjo:
“ Lidhur me interesimin e juaj për procedimin e çështjes penale ndaj të akuzuarit Enver Hasani ku është shtruar si problem në procedim çështja e imunitetit funksional njoftoheni se kjo gjykatë së shpejti do të procedoi me çështjen. Gjyqtari i çështjes pritet që brenda javës do ti dërgoi ftesat për seancë.
Gjykata Supreme e Kosovës me rastin e vendosjes sipas kërkesës së mbrojtësit të akuzuarit për mbrojtje të ligjshmërisë kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit ka vendos që kërkesën ta konsideroi si të pa pranueshme sepse nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të ushtrohet kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë. Për më tepër nuk më lejohet që të komentoi vendimin as të Gjykatës së Apelit e as atë të Gjykatës Supreme të Kosovës.” Gazetares i kam deklaruar se çështja penale do të procedohet si në çdo rast tjetër sepse në këtë fazë të procedurës penale ka një aktakuzë ndaj të pandehurit Enver Hasani, ndërsa çështja e imunitetit të tij nga ndjekja penale mund të shtrohet vetëm pasi që të filloi shqyrtimi i çështjes.Dhe kjo deklaratë në këtë formë ka dal në gazetë.
Është rrenë e kulluar, denigrim dhe shpifje e rëndë e të pandehurit Enver Hasani kur deklaron se unë i paskëm shërbyer regjimit të SllobodanMillosheviqit deri në ditën e fundit para hyrjes së forcave të NATO-së në Kosovë. Është gënjeshtër që shkon përtej makinerisë Gebelsiane. Enver Hasani po të donte të mos gënjente, të mos denigronte dhe të mos shpifte,lehtësisht ka mundur të kërkoi sqarime nga KGJK-ja ku është dosja personale e kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi ku janë të evidentuara të gjitha të dhënat për punën në të kaluarën. Në dosje do të gjente të dhëna se Hamdi Ibrahimi në datën 16 Nëntor 1990 sipas vendimit nr.100 të Kuvendit të Serbisë, vendim ky me të cilin ishin aplikuar masat e përkohshme në ndërmarrjen ku punonte, ishte shkarkuar nga pozita e zëvendës drejtorit ( pozitë që në fakt e kishte lënë disa ditë para se të aplikoheshin masat e dhunshme).Në arsyetim të këtij vendimi i pandehuri Enver Hasani do të gjente se : “ drejtori gjeneral dhe udhëheqësit tjerë refuzojnë çfarëdo bashkëpunimi me arsyetimin se nuk pranojnë Republikën e Serbisë.Puna “ nën masa të dhunshme” është diçka tjetër nga të shërbyerit regjimit të S.Millosheviqit. Në atë kohë ishte marrë një qëndrim i BSPK-së që punëtorët shqiptar mos ta lëshojnë punën derisa nga organet e dhunshme serbe nuk ju kërkohet nënshkrimi i deklaratave të lojalitetit ndaj Serbisë. Dhe organi i dhunshëm i instaluar nga Kuvendi i Serbisë në fillim nuk kishte kërkuar nënshkrim të deklaratave të lojalitetit. Në dosjen personale të kryetarit të gjykatës Enver Hasani do të gjente dokumente që dëshmojnë se Hamdi Ibrahimi asnjëherë nuk ka qenë pjesë e organeve të dhunshme të Serbisë në Kosovë, dhe në ditën që është urdhëruar të merr pjesë në këto organe ka refuzuar dhe është larguar nga puna. Historia e Hamdi Ibrahimit për të realizuar të drejtat nga marrëdhënia e punës për kohën kur ishte larguar nga organet e dhunshme të Serbisë në Kosovë ka zgjatë hiq më pak se 23 vite. Për këtë dëshmon vendimi përfundimtar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës SCA-08-0026 në datën 18 Mars 2009.

Sa i përket shqyrtimit të çështjes ku i pandehuri Enver Hasani akuzohet për falsifikim të dokumenteve publike: Çështja penale është e ndarë te gjyqtari që do të procedoi. Kjo lëndë trajtohet sipas prioritetit ligjor dhe për shkakun se është i pandehur Enver Hasani për gjykatën kjo nuk mund të ketë asnjë rëndësi. Në trajtimin e çështjeve në gjykatë nuk ka të privilegjuar. Në trajtimin e çështjes për shkak të ngarkesës me punë të gjykatës nuk ka asnjë vonesë. Gjyqtari i çështjes vepron sipas agjendës dhe kryetarin e gjykatës në datën 06.06.2016 e ka njoftuar se ka vendos që brenda muajit të filloi me procedimin e çështjes. Kryetari i gjykatës ka për obligim që të komunikoi me media, dhe deklarata për media se çështja penale e të pandehurit Enver Hasani do të filloi të procedohet së shpejti nuk është asnjë përjashtim nga mënyra e komunikimit edhe në rastet tjera.
Por pyetja që mund të shtrohet është kjo: Ku e ka hallin i pandehuri Enver Hasani që gënjen dhe denigron në adresë të kryetarit të gjykatës?
Për njohës të rrethanave në Kosovë përgjigja nuk është e vështirë të gjendet.
I pandehuri Enver Hasani është në siklet sepse në gjykatën ku kryetar është Hamdi Ibrahimi gëzon tretmanin e njëjtë me të pandehurit tjerë –ashtu sikurse e thotë ligji, nuk është i sigurt se vendimin në çështjen e tij mund ta imponoi dhe ndoshta edhe ta shkruaj vet dhe ta sjellë te gjyqtari i çështjes vetëm për nënshkrim nga gjyqtari. I pandehuri Enver Hasani duke qenë se dikur ishte Kryetar i Gjykatës Kushtetuese do të nderonte drejtësinë në Kosovë nëse do të kishte guximin që të përballej me drejtësinë-edhe nën supozimin se do të kishte imunitet nga ndjekja penale të mos thirrej në këtë imunitet. Përse frikohet kaq shumë Enver Hasani nga kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë Hamdi Ibrahimi?
I pandehuri Enver Hasani ka arsye që të frikohet vetëm nëse e dinë se me veprimet e tija ka rënë ndesh me ligjin dhe ka kryer vepër penale. Tjera arsye për frikë nuk ka.
Dhe krejt në fund, por shumë e rëndësishme:
Ku janë KGJK-ja, dhe Gjykata Supreme e Kosovës , kur në formën kaq të rëndë denigrohet një gjykatë (sepse në letrën e të pandehurit Enver Hasani nuk denigrohet vetëm kryetari i gjykatës) nga një person që deri dje ishte në krye të Gjykatës Kushtetuese.

Në trend Lajme

Më shumë
Pacolli i reagon Pecit: Dikur mbaje bluzën e kompanisë time, sot më quan vrasës

Pacolli i reagon Pecit: Dikur mbaje bluzën e kompanisë time, sot më quan vrasës

Lajme
Nga Gjermania në Kosovë: Historia e çiftit Zhubi që u kthye në vendlindje pas 32 vitesh

Nga Gjermania në Kosovë: Historia e çiftit Zhubi që u kthye në vendlindje pas 32 vitesh

Lajme
I reagoi për subvencionet, Peci e akuzon rëndë Pacollin: Emri yt figuron në dosje të vrasjes, unë ty të llogaris diçka tjetër

I reagoi për subvencionet, Peci e akuzon rëndë Pacollin: Emri yt figuron në dosje të vrasjes, unë ty të llogaris diçka tjetër

Lajme
Droga në lëkurë gjedhi në Krujë: Do të prodhohej 800 kg kokainë, baza sekrete pranë shtëpisë së politikanëve

Droga në lëkurë gjedhi në Krujë: Do të prodhohej 800 kg kokainë, baza sekrete pranë shtëpisë së politikanëve

Lajme
Gjendet pas një viti xhipi i Komunës së Mitrovicës së Veriut

Gjendet pas një viti xhipi i Komunës së Mitrovicës së Veriut

Lajme
Përplasjet mes qeverisë dhe sistemit të Drejtësisë, diskutime për ndarjen e pushteteve në Kosovë

Përplasjet mes qeverisë dhe sistemit të Drejtësisë, diskutime për ndarjen e pushteteve në Kosovë

Drejtësi
Kalo në kategori