Politizimi i Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë – një organ që supozohet të identifikojë sfidat zhvillimore dhe t’i adresojë ato përmes granteve – ka ngritur dyshime nëse qasja e këtij institucioni do të funksionojë në mënyrë të paanshme dhe nëse fondet do të orientohen të pavarura nga kahjet politike.
Nëpërmjet një vendimi të veçantë nga qeveria e Kosovës, kreu i saj Isa Mustafa emëroi Petrit Selimin në pozitën e Koordinatorit Kombëtar për grantet që Kosova do t’i përfitojë nga kjo agjenci qeveritare amerikane.
Petrit Selimi është njëkohësisht zëvendësministër i Punëve të Jashtme, si dhe anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në koalicion qeverisës me LDK-në e Kryeministrit Mustafa.
Politizimi i pozitës së Koordinatorit në Zyrën për Sfidat e Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation – MCC) në Kosovë u zyrtarizua më 17 maj, në mbledhjen e 88-të të qeverisë.
Gjithashtu, Mustafa emëroi si Ekonomist Kryesor të zyrës, Alban Zogaj, person me të shkuar politike pranë njerëzve të Kryeministrit, dhe drejtor ekzekutiv në kolegjin ‘Riinvest, ku Isa Mustafa është aksionar.
Zyra e MCC në Kosovë, e cila është përgjegjëse për grantet pesëvjeçare të agjencisë qeveritare amerikane Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit, në fakt është themeluar që në fillim në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, pas kualifikimit të Kosovës për të përfituar nga këto fonde.
Në mbledhjen e fundit të Bordit të MCC, u konstatua se vendi i ka përmbushur kriteret për t’u kualifikuar si shtet që mund të përfitojë nga grante pesë vjeçare për zhvillimin e sektorëve kyç.
Si rrjedhojë, më datë 16 dhjetor 2015 bordi vendosi ta zgjedhë Kosovën si vend kandidat që të zhvillojë programin e Kompakt-ndihmës, një program i gjerë investimi mbi 200 milionë dollarë.
Në mënyrë që Kosova të përfitojë grante nga kjo agjenci, kjo e fundit nuk duhet të ketë përkeqësim të disa kritereve, siç janë politikat ekonomike dhe tregtare, shpenzimet në shëndetësi dhe arsim, sundimi i ligjit, të drejtat demokratike dhe çështje të tjera.
Rruga drejt fitores së mëdyshtë
Puna dhe përpjekjet për ta kualifikuar Kosovën për mbështetjen financiare të agjencisë amerikane, janë kryer më së shumti jashtë klubit qeveritar dhe në një formë gjerësisht të papolitizuar.
Kosova i nisi përpjekjet për të vendosur partneritet me MCC-në që prej vitit 2010, por procesi eci ngadalë nga performanca problematike e qeverive kosovare, pavarësisht përkrahjes së vazhdueshme nga Kongresi i SHBA-ve.
Në fakt, procesi i kualifikimit të Kosovës për fondet e MCC-së u udhëhoq deri vonë nga Presidentja Atifete Jahjaga, e cila në shkurt të vitit 2015, themeloi Grupin Ndërinstitucional për të arritur kualifikimin e Kosovës në MCC.
Anëtarë të këtij grupi janë Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, Ministria e Arsimit, Agjencia e Statistikave e Kosovës dhe një numër agjencish të specializuara të OKB-së në Kosovë, si UNDP, UNICEF, OBSH, UNKT.
Adrian Prenkaj, ish-diplomat dhe dikur këshilltar i Presidentes, ishte caktuar që të udhëhiqte përpjekjet e Kosovës për t’u kualifikuar në fondet e MCC-së.
Në janar të vitit 2015, ai u emërua nga Jahjaga për të koordinuar institucionet e Kosovës dhe agjencitë e OKB-së për të përmirësuar në indikatorët e kërkuar, ku si rezultat i këtyre përpjekjeve, Kosova për herë të parë e kaloi pragun e kërkuar nga MCC-ja me 13 prej 20 kritereve.
Në shtator po të atij viti, gjatë një vizite në Uashington, Presidentja Jahjaga u takua me Beth Tritter, zv.presidente e MCC-së.
Zyrtarët e agjencisë thanë në atë kohë se ishin të kënaqur me nivelin e bashkëpunimit që MCC-ja kishte me ekipin kosovar dhe progresin në përmirësimin e indikatorëve.
Por pas përfundimit të mandatit të Presidentes Jahjaga, zhvillimin e programit të MCC-së e mori përsipër qeveria e Kosovës.
Më 20 prill 2016 qeveria nxori një vendim për themelimin e Zyrës së për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë, e cila tashmë do të funksiononte në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Sipas këtij vendimi, fillimisht Zyra e MCC-së do të kishte Koordinator dhe Ekonomist Kryesor, dhe iu nda një buxhet fillestar prej 25 mijë eurosh për funksionalizimin e saj.
Ky vendim nuk përcaktonte mënyrën e zgjedhjes apo emërimit të të dy zyrtarëve të MCC-së në Kosovë, por kjo pikë u qartësua në një vendim pasardhës të qeverisë më 17 maj.
Në këtë vendim u fshi i gjithë teksti që kishte të bënte me dispozitat e Koordinatorit të Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë, duke autorizuar emërimin e Koordinatorit të MCC në Kosovë nga vetë Kryeministri.
Politizimi i Sfidave të Mijëvjeçarit
Ky vendim i hapi rrugë Isa Mustafës që në të njëjtën ditë të emërojë Petrit Selimin si Koordinator Kombëtar në Zyrën për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë.
Para se zëvendësministri i jashtëm nga radhët e PDK-së të emërohej në krye të kësaj zyre, Kryeministri Mustafa kishte emëruar Alban Zogaj si Ekonomist Kryesor.
“Po, është e vërtetë që jam emëruar si Ekonomisti Kryesor në Zyrën e Sfidave të Mijëvjeçarit në Kosovë. Tashmë e kam nënshkruar kontratën dhe kam filluar në këtë Zyre”, tha Zogaj për Gazetën JNK.
Alban Zogaj është drejtor ekzekutiv në kolegjin ‘Riinvest’, doktor (PhD) i ekonomisë dhe ligjërues në këtë kolegj.
Zogaj ka qenë pjesë e grupit ‘E15’ që ka garuar në zgjedhjet e përgjithshme 2010, kur prijës i këtij grupi ishte Muhamet Mustafa. Ky i fundit tani është deputet i LDK-së – partia që udhëhiqet nga Kryeministri Isa Mustafa.
Gjithashtu, nga deklarimi i fundit i pasurisë i Kryeministrit Mustafa në Agjencinë Kundër Korrupsionit, në vitin 2016 për vitin paraardhës, del se ai posedon aksione në Kolegjin Riinvest.
Kryeministri ka deklaruar aksione në shumën e 80 mijë eurove apo me një pjesëmarrje prej 16 për qind nga totali i përgjithshëm i kapitalit të investuar në këtë organizatë.
Ambasada Amerikane konfirmoi për Gazetën JNK se kandidati për postin e Koordinatorit të Zyrës së MCC-së duhet të ishte person në gjendje që t’u përgjigjet presioneve nga politikanët, drejtuesit e biznesit dhe publiku, dhe që duhet të ishte më i kualifikuari në detyrën e tij.
Por ambasada tha se “përzgjedhja e Petrit Selimit është bazuar në të gjitha kriteret e sipërme dhe në fund ai u konsiderua si kandidati më i kualifikuar”.
“Posaçërisht e rëndësishme është që të kemi dikë që është i aftë të navigojë nëpër burokracinë e qeverisë,” thuhet në përgjigje.
Sipas ambasadës, para se të Selimi emërohej në krye të kësaj MCC-së në Kosovë, ajo kishte marrë garancitë se ai do të ishte i përkushtuar në rolin e tij.
“Gjithashtu, z. Selimi është pajtuar që sipas mandatit të MCC-së 100 për qind të kohës dhe përpjekjeve të tij t’ia kushtojë rolit të Koordinatorit Kombëtar të MCC-së”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë.
Selimi tha për Gazetën JNK se është pajtuar me angazhimet e detyrës së re kur është intervistuar në Uashington nga zyrtarët e MCC-së para emërimit të tij në krye të zyrës në Prishtinë.
“Jam pajtuar që sipas mandatit të MCC-së, t’ia përkushtoj 100 për qind të kohës rolit të Koordinatorit Kombëtar të MCC-së”, tha Selimi.
“Ndërsa, sa i përket faktit se a mund t’i përballoj presioneve politike, biznesore dhe atyre të publikut, unë me përvojën time të deri tashme që e kam, besoj se dhe këtë do ta përballoj”, theksoi Koordinatori i MCC-së në Kosovë.
Ndërkaq, Berat Thaçi, analist i politikave në Institutin GAP, tha për Gazetën JNK se emërimi i Selimit në krye të kësaj zyre jo domosdoshmërish është një sinjal negativ, pasi sipas tij mbështetja e indikatorëve dhe përmirësimi i tyre kërkon vullnet politik, por shtoi se ekzistojnë edhe rreziqe.
“Një rrezik potencial që mund të dalë në rast se lihet në diskrecion të koordinatorit për zgjedhjen e projekteve, është mundësia që fondet për këto projekte të orientohen në baza politike, për shembull, të mbështeten projekte në komuna të udhëhequra nga një parti e caktuar”, tha Thaçi.
Behlul Beqaj, politikolog dhe publicist tha se fakti që Selimi është ministër i një partie, emërimi i tij si Koordinator i MCC-së në Kosovë përbën rrezik, por ai kritikoi edhe politizimin institucional me vendosjen e këtij institucioni nën kontrollin e Kryeministrit.
“Nuk po e kuptoj politikën e kalimit të kompetencave nga Presidenca në Qeveri”, tha Beqaj duke shtuar se edhe përzgjedhja e kandidatëve duhet të ishte bërë sipas kritereve akademike dhe profesionale.
“Ka mundur të bëhet një shpallje publike për përzgjedhjen e Koordinatorit, ku kishin për të konkurruar njerëzit e tjerë të njohur të fushave të zhvillimit… atëherë kur vihet në pyetje interesi strategjik i vendit aty duhet të ketë njerëz që janë kompetentë”, theksoi Beqaj.
MCC-ja në Shqipëri, e papolitizuar
Jo të gjitha vendet e kanë të integruar në organikën e qeverisë, Zyrën e MCC-së, dhe jo domosdoshmërisht, drejtuesit e kësaj zyre janë persona politikë si në Kosovë.
Në rajon vetëm Kosova dhe Shqipëria kanë zyrë lokale të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, ndërsa vendet e tjera nuk figurojnë në listën e MCC-së.
Shqipëria në mars të vitit 2006 kishte nënshkruar marrëveshjen për themelimin e Zyrës për Sfidat e Mijëvjeçarit, ku fillimisht ishte përzgjedhur vetëm nga dy kritere, në atë për kontrollin e korrupsionit dhe në mbështetjen për bizneset fillestare (Start-Up Business), por që nuk kishte plotësuar kriterin për qeverisjen me drejtësi dhe për liritë ekonomike.
Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Shqipërisë dhe Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit është administruar nga USAID.
Faza fillestare e këtij programi ishte dy vjeçar (2006-2008) në vlerë prej 13.85 milionë dollarë amerikan, gjë që kishte ndihmuar Qeverinë e Shqipërisë në zbatimin e një sërë reformave me synim të reduktimit të korrupsionit dhe informalitetit dhe përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri, veçanërisht në administratën tatimore, prokurimin publik dhe në regjistrimin e biznesit.
Ndërsa, në fazën e dytë të programit ishin bërë reforma në licencimin e biznesit, krijimi i njësive të përbashkëta hetimore, krijimi i regjistrit për planifikim territorial, ngritja e kapaciteteve në gjykatat administrative dhe plotësimi apo krijimin e legjislacionit të ri tatimor në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Po ashtu, kjo fazë kishte zgjatur dy vite (2009-2011) në vlerë prej 15.73 milionë dollarë amerikanë.
Përkundër faktit se në Shqipëri operacionet dhe fondet e kësaj agjencie tërësisht janë administruar nga USAID-i amerikan, në Kosovë zyra përkatëse është vënë nën kontrollin e Kryeministrit dhe të emëruar kryesorë figurojnë një zëvendësministër i PDK-së dhe një tjetër me histori elektorale me LDK-në.
Korporata për Sfidat e Mijëvjeçarit
Korporata për Sfidat e Mijëvjeçarit (Millennium Challenge Corporation) është organizatë e pavarur Amerikane e cila synon të ulë varfërinë në botë, mirëpo nga kjo organizatë përfitojnë vetëm ato shtete të cilat janë të përkushtuara ndaj qeverisjes së mirë, lirisë ekonomike dhe investimeve në qytetarët e saj.
Përfitimet specifike nga ky Fond do të përcaktohen vetëm pas një analize rigoroze dhe gjithëpërfshirëse të faktorëve që e kufizojnë rritjen ekonomike dhe pas shqyrtimit të projekteve të mundshme që do t’i adresonin këto çështje.
Modeli i veçantë biznesor i MCC-së kërkon që ky program prej fillimit deri në fund të jetë i udhëhequr nga dhe në pronësi të qeverisë së Kosovës, përfshirë edhe zgjidhjet e propozuara dhe zbatimin e tyre. Praktikisht i tërë financimi do t’i kushtohet mbështetjes për Kosovën.
Kjo organizatë është krijuar në vitin 2004 nga Kongresi amerikan. MCC është konsideruar shpesh si një nga organizatat më transparente në botë.
Ajo vepron ndaras nga Departamenti i Shtetit dhe USAID që bazohet në stimulime për shtetet në zhvillim, ku vetëm ato shtete që plotësojnë kriteret kanë të drejtë për ndihmë. Kjo agjenci çdo vit ndan grante për shtete me të ardhura të ulëta dhe mesatare për kokë banori, për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe zhdukjen e varfërisë.
Petrit Selimi
Sipas profilit zyrtar të Petrit Selimit në faqen e MPJ-së, thuhet se ai është emëruar në vitin 2011 si një nga anëtarët më të rinj të kabinetit.
Selimi ka studiuar në Universitetin e Oslos për Antropologji Sociale për nivelin Bachellor, ndërsa studimet master i ka përfunduar në Media dhe Komunikim në London School of Economics.
Para se t’i bashkëngjitej politikës, Selimi ka punuar si konsulent privat për Marrëdhëniet me Publikun duke shërbyer në Raiffeisen Investment dhe Telenor ASA.
Po ashtu, ka qenë aktivist i shoqërisë civile dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Fondacionit ‘George Soros’ në Kosovë dhe Fondacionit të Ballkanit për Rini të themeluar nga Marti Ahtisaari.
Ai ka shërbyer në pozitën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, gjatë dy mandateve të njëpasnjëshme, në qeverinë e Hashim Thaçit (2011-2014) dhe atë të Isa Mustafës (2014-2016).
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë“Serbia nuk luan dot me Kosovën”, deputeti gjerman: Bisedime të reja pas zgjedhjeve
Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese
Rama në Londër flet për vrasjen e Martin Canit: Pa u varrosur ende 14-vjeçari, dalin djajtë nga shishet e ia marrin valles
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Mbi 27 mijë vetura, gati 364 milionë euro nga importi i veturave në Kosovë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Man United ofron 60 milionë euro dhe kartonin e Zirkzees për transferimin e yllit të Interit
"Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket", paralajmërimi i Musk për të ardhmen e njerëzimit
Klubi rumun shkruan pas ndeshjes ndaj Rahovecit: Pritje shumë e mirë, ju falenderojmë për këtë gjë
Serwer: Kthimi i Grenellit, mund të çojë në ndarje të territoreve në Ballkan
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj