LAJMI I FUNDIT:

Molliqaj: VV ende nuk ka marrë asnjë vendim për protestën e 14 majit

Molliqaj: VV ende nuk ka marrë asnjë vendim për protestën e 14 majit

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj ka theksuar se kjo lëvizje ende nuk ka marrë qëndrim përfundimtar nëse do t’i bashkohen AAK-së, në protestën e 14 majit.

“Ende nuk kemi marrë asnjë vendim. Qëndrimi ynë është ai që e kemi thënë më herët. Nuk ka ndryshuar asgjë”, i ka thënë Molliqaj shkurt Gazetës Blic.


Në anën tjetër, disa portale kanë paralajmëruar se Vetëvendosje nuk do të marrë pjesë në protestën e paralajmëruar nga ana e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Pavarësisht kësaj, Nisma për Kosovën ka paralajmëruar se do t’i bashkëngjitet kësaj proteste.

Ndërkaq, VV në ditën kur AAK e kishte thirrur protestën gjithëpopullore pa konsultim paraprak me AAK-në dhe me partinë e drejtuar nga Visar Ymeri, kishte dalë me këtë qëndrim zyrtar:

“Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht në lidhje me këtë datë të shpallur nga AAK. As nuk jemi konsultuar dhe as nuk kemi biseduar mes vete për këtë. Kosova ka nevojë për protesta dhe ato do të ndodhin pashmangshëm. Por protestat duhet të jenë të organizuara mirë dhe të mbahen në kohën e duhur. Veprimet e pakoordinuara rrezikojnë ta dobësojnë përpjekjen opozitare dhe të rezultojnë me protesta jo mirë të organizuara dhe jo të fuqishme e masive”.