LAJMI I FUNDIT:

Kushtetuesja s’ia pezullon mandatin Thaçit

Kushtetuesja s’ia pezullon mandatin Thaçit

Hashim Thaçi mund të inaugurohet si shef shteti, edhe pa marrë epilog kontesti i zgjedhjes së tij.

Kushtetuesja, që për opozitën është duke ia bërë argatin pushtetit, nuk ka shqiptuar masë të përkohshme në këtë rast, shkruan sot Koha Ditore.

Bashkë me kërkesën për prishjen e vendimit për zgjedhjen e Thaçit president, gati një muaj më parë opozita ka kërkuar edhe marrjen e masës së përkohshme që nënkupton pezullimin e vendimit për zgjedhje, e edhe organizimin e një seance dëgjimore gjatë procesit gjyqësor.


Në kërkesën adresuar Kushtetueses, opozita ka këmbëngulur se gjykata duhet ta shfuqizojë vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e kreut të shtetit, pasi ka konsideruar të ketë pasur shkelje të paragrafëve 4 dhe 5 të nenit 86 të Kushtetutës.

Ndonëse ka shkuar rreth një muaj nga parashtrimi i kërkesës, Kushtetuesja ende nuk ka vendosur për pranueshmërinë e kërkesës, nuk ka thirrur seancën dëgjimore dhe as nuk ka marrë vendim rreth masës së përkohshme.