LAJMI I FUNDIT:

Pa depolitizim të Universitetit, nuk do të ketë zgjidhje të drejtë!

Pa depolitizim të Universitetit, nuk do të ketë zgjidhje të drejtë!

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut  thekson se ndonëse ishin disa kandidatë të kualifikuar për postin e rektorit të Universitetit “Hasan Prishtina”, procesi dështoi shkaku se asnjëri kandidat nuk mori vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur rektor.

Sipas KMDLNJ-së, realisht, nuk kishte fare arsye të shkarkohej rektori aktual i cili filloi mbarë me disa reforma që do të vendosnin rend e rregull në këtë Universitet, skajshmërisht të politizuar ku asnjë post udhëheqës nuk merrej pa bekimin e oligarkëve politikë.

“Rektorët e mëparshëm ishin rektorë politikë prandaj kontribuuan në krijimin e  kaosit në këtë Universitet ku nxënia e dijes për studentët ishte margjinalizuar shumë sikur që ishte i shprehur edhe kriminalizimi i vlerësimit të aftësive të studentëve. Me një fjalë , Universiteti ‘Hasan Prishtina’ u shndërruar në një kurs të madh ku luftohej analfabetizmi përmes interesave klanore dhe politike dhe në përputhje me këtë ndaheshin tituj shkencorë si shenjë mirënjohje për oligarkët politikë e jo sipas kritere profesionale dhe morale”, thuhet në njoftim.


Sipas Këshillit… dështimi i zgjedhjes së rektorit të Universitetit “Hasan Prishtina” ishte dhe është dështim për zgjedhjen e kandidatit të preferuar prandaj kemi përsëritje të konkursit derisa të arrihet qëllimi. D

KMDLNj vlerëson se në këtë gjendje në të cilën është Universiteti “Hasan Prishtina”, reformat e mirëfillta janë të pamundura dhe vetëm po ndërmerren veprime sipërfaqësore për ta mbuluar përmbajtjen e vërtetë, jo profesionalizmin, nepotizmin, klientelizmin, ndikimin absolut politik dhe dukuritë e tjera negative që e kanë shndërruar këtë Universitet në një shkollë të mesme të mëparshme.

Sipas Këshillit, ndryshimet në Universitetin “Hasan Prishtina” duhet të jenë të thella, përmbajtjesore, cilësore e për këtë duhet një angazhim më i madh i vet studentëve që studiojnë aty, studentëve potencialë, prindërve të tyre, stafit akademik që ia donë të mirën Universitetit dhe mbarë shoqërisë.

“Ndryshimet në shoqërinë kosovare kanë filluar pikërisht në Universitet që ka qenë përshpejtues dhe nxitës i këtyre ndryshimeve andaj kështu duhet të ndodh edhe në të ardhmen. Çdo rektor që do të zgjedhet nëse nuk e ka përkrahjen e Senatit , të KD të Universitetit është i paracaktuar të dështojë përkundër gatishmërisë për reforma dhe ndryshime siç ishte rasti i Ramadan Zejnullahut të cilin politika së pari e ekzekutoi pastaj nën trysninë e opinionit po e njëjta politikë u ‘përpoq’ ta ringjalli për ta varrosur përfundimisht duke e detyruar për dorëheqje! Duket se edhe rektori Zejnullahu nuk kishte kondicion për një maratonë të reformave sikur që edhe nuk e gjeti një mënyrë për bashkëpunim konstruktiv me ata që duhej të punonte”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

“Politikanët që nuk dinë shkrim – lexim janë varrmihësit e Universitetit ‘Hasan Prishtina’ dhe duhet bërë përpjekje maksimale t’ua marrim nga duart këtë “ përgjegjësi “! Sepse, çfarë Universiteti kemi, të tillë i kemi politikanët dhe çfarë politikanësh kemi,  të tillë e kemi Universitetin ! Për fat të keq për studentët që studiojnë tani, atyre që do të studiojnë, qytetarëve të Kosovës dhe ardhmërisë së Kosovës.  Për çfarë të drejta të njeriut mund të flasim kur kemi një arsim të tillë?!”, thuhet ndër të tjera në reagim. /Telegrafi/