LAJMI I FUNDIT:

Nga 2008-ta, 5.6 milionë vende pune janë humbur në BE

Nga 2008-ta, 5.6 milionë vende pune janë humbur në BE

Objektivat e Bashkimit Europian për punësimin janë “jo-realë” dhe nevojitet një “aksion i guximshëm” për të mbështetur krijimin e vendeve të reja punës.

Ky është rezultati i një raporti të publikuar nga Ambrosetti Forum, që është publikuar në vigjilje të konferencës ekonomike ndërkombëtare. Rreth 5.6 milionë vende pune janë humbur në Bashkimin Europian, që nga fillimi i krizës financiare globale në vitin 2008.

“Kriza ekonomike ka prodhuar një papunësi të lartë në BE, që tani kërkon një aksion vendimtar nga politikëbërësit për të rritur kërkesën për punë, si dhe për zbatimin e reformave strukturore në tregun e punës”, shkruhet në raportin “Skenarët e tregut të punës në Europë”.


Papunësia e lartë në kontinent, rritja e dobët e çmimeve, dhe stanjacioni ekonomik do të jenë temat kryesore që do të trajtohen në konferencën e këtij viti, që mbledh krerët e shteteve, drejtuesit e bizneseve dhe akademikët, në liqenin e Komos në Itali. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim paralajmëroi më herët gjatë kësaj jave se papunësia do të qendrojë e lartë të paktën deri në vitin 2016. /Telegrafi/