LAJMI I FUNDIT:

Punëtorët e ‘Llamkos’-it kërkojnë pagat për 6 muaj

Punëtorët e ‘Llamkos’-it kërkojnë pagat për 6 muaj

Disa punëtorë të fabrikës së llamarinës “Llamkos” kanë protestuar para ndërtesës së kësaj fabrike duke i kërkuar pagat e 6 muajve, si dhe rikthimin e tyre në vendet e punës.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Enver Isufi, ka thënë se nga pronari i fabrikës së privatizuar që t’ua paguajnë pagat por nga ai kanë marrë vetëm premtime.

“Qëllimi jonë sot pse kemi ardhur është që të kërkojmë pagesën e pagave qysh prej muajit mars e këndej nuk janë paguar pagat e punëtorëve. Prandaj ne kemi ardhur këtu edhe në shenj proteste, mirëpo edhe një njoftim për punëtorët, për disa punëtorë që kanë dëshirë të njoftohen se ne do të marrim hapat më konkret, hapat tjerë që do të shkojmë edhe përmes gjykatës, pronarit dhe do të vazhdojmë me kërkesat tona edhe më tutje edhe në EULEX do të shkojmë edhe në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë edhe në Odë Ekonomike, të gjitha dyert do t’i hapim sepse është çështja shumë delikate dhe shumë është problem për këta punëtorë që kanë mbet pa paga qe 6 muaj dhe janë hy në muajin e shtatë dhe janë në varfëri të skajshme”, ka thënë ai.


Ndërsa një nga punëtorët e kësaj fabrike, Pajazit Maxhuni ka kërkuar nga mediat që të ndikojnë në sensibilizimin e opinionit për gjendjen e tyre.

“Ne jemi tubu këtu për shkak të të ardhurave mirëpo unë e kisha pas një kërkesë prej juve mjeteve të informimit që deri tash fatkeqësisht ne punëtorët e kemi dhënë hisen tonë për atë rezistencën, kemi qenë në AKP kemi pas disa protesta, kemi dalë edhe në mjete të informimit mirëpo kisha pas prej juve një kërkesë që të bëhet sensibilizimi i opinionit më i madh pasi ne punëtorët e Llamkosit fatkeqësisht, më mirë me thënë po na rrejnë”, ka thënë ai.

Rreth 430 punëtorë të kësaj fabrike nuk kanë marrë paga që nga marsi i këtij viti derisa nga 4 qershori janë njoftuar nga pronari i kompanisë se do të pushojnë tërësisht nga puna pasi që fabrika është mbyllur.

Punëtorët kanë thënë se që nga dita e djeshme është ndalur edhe rryma në këtë fabrikë gjë që e ka shkaktuar edhe një rrezik të përgjithshëm, pasi që në këtë fabrikë ndodhen 6 boca të gazit të cilat nëse nuk ftohen mund të eksplodojnë dhe ta shkatërrojnë një pjesë të madhe të qytetit. /Telegrafi/