LAJMI I FUNDIT:

BERZH do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën

BERZH do të vazhdojë përkrahjen për Kosovën

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, ka pritur sot në takim delegacionin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të përbërë nga anëtarë të bordit drejtues dhe drejtor të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Delegacioni kryesohej nga Evren Dilekli, përfaqësues i Turqisë dhe anëtarë i bordit drejtues dhe në përbërje kishte përfaqësues dhe drejtor edhe nga SHBA-të, Japonia, Franca, Britania e madhe, Danimarka, Lituania, Holanda, Irlanda, Turqia, Bullgaria, Armenia, Azerbajxhani, Mongoliadhe Kosova.
Sipas një njoftimi të Qeverisë, delegacioni shoqërohej edhe nga Drejtuesi i Zyrës së BERZH-it në Kosovë, Anton Kobakov dhe Holger Muent, drejtor i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor.

Zëvendëskryeministrja Tahiri vlerësoi lartë bashkëpunimin mes Kosovës dhe BERZH-it duke theksuar se anëtarësimi i Kosovës në BERZH ka hapur perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik të Kosovës.


Ajo shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për një zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, duke marrë parasysh potencialet e mëdha ekonomike të vendit të tonë dhe kapitalin njerëzor, ku roli dhe përkrahja nga BERZH ka vlerë të veçantë.

Tahiri më pastaj foli për vizionin euro-atlantik të Kosovës duke theksuar se Qeveria e Kosovës angazhohet për zbatimin e reformave dhe vlerave euro-atlantike dhe në këtë proces politikat tona janë të qarta dhe përkushtimi i jonë është i plotë. Ajo potencoi se përparimet e Kosovës në rrugën e realizimit të reformave evropiane janë substanciale si në fushën e sundimi i ligjit, mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, qeverisjen e mirë, rendin dhe ligji, zhvillimin e kapaciteteve njerëzore si dhe për rritjen e mirëqenies sociale të popullatës.

Ajo vuri në pah rëndësinë e partneritetit strategjik me bashkësinë euro-atlantike dhe mbështetjen në rrugën e integrimeve evropiane dhe euro-atlantike për shtetin e ri të Kosovës.

Duke folur për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, ajo tha se shteti i Kosovës është një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon me politikat e saja për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal, të cilën e ka dëshmuar edhe në dialogun e Brukselit për fqinjësi të mirë me Serbinë.

Delegacioni i BERZH-it shprehu vlerësimet për bashkëpunimin me Kosovën dhe u zotua se BERZH do të vazhdojë përkrahjen për shtetin e Kosovës në fushat që janë me interes për zhvillimin ekonomik, zhvillimin e kapitalit njerëzor, dhe shtimin e këmbimit të përvojave në fusha të interesit të përbashkët duke e bërë Kosovën një vend edhe më shumë atraktivë për investime të jashtme në të mirën e gjithë qytetarëve. /Telegrafi/