LAJMI I FUNDIT:

Sindikata e re akuzon SBASHK-un për shantazh

Sindikata e re akuzon SBASHK-un për shantazh

Sindikata e Arsimit dhe Kulturës e Kosovës (SAKK) e ka kritikuar udhëheqësin e SBASHK-ut se po i shantazhon mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave, duke i shtyrë që të anëtarësohen në SBASHK, ose në të kundërtën nuk do të përfshihen në kontratën kolektive të nënshkruar në mes të Ministrisë së Arsimit dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Kryetari i SAKK-ut, Artan Mjekiqi, ka thënë se SBASHK-u duke e kërkuar anëtarësimin e mësimdhënësve në SBASHK po i shantazhin mësimdhënësit.

“Kontratën kolektive SBAHSK-u po e përdor si një pronë të tyre duke i shantazhuar mësimdhënësit. SBASHK=u e ka filluar një fushatë të ashpër nëpër të gjitha Komunat e Kosovës duke i shantazhuar drejtoret në nivele Komunale, po ashtu edhe nëpër shkolla gjoja se nëse nuk janë anëtarë të SBAHK-ut nuk përfshihen në kontratën kolektive. Kjo nuk është e vërtetë sepse kontrata kolektive i përfshihen të gjithë, pa dallim, janë apo nuk javën anëtarë të një sindikate apo të tjetrës”, theksoi ai.


Mjekiqi e ka kritikuar SBASHK-un se ka nënshkruar edhe marrëveshje të jashtëligjshme me një spital privat, për t’u kuruar anëtarët e SBASHK-ut, mirëpo nuk ka arritur të jep as emrin e spitalit me të cilin e ka nënshkruar SBASHK-u marrëveshjen, e as emra konkret, se cilët mësimdhënës ose drejtorë u kanë ankuar Mjekiqit, për shantazhet të cilët ka deklaruar.

Ndërsa, vet kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se SBASHK nuk e ka kushtëzuar askënd që të bëhet anëtar i saj.

Sipas tij, kjo sindikatë ka kërkuar nga të gjithë punonjësit e arsimit që të anëtarësohen në SBASHK pasi që ata që nuk janë anëtarë të kësaj sindikate nuk mund të mbrohen e as të kërkohet përgjegjësi për ta nga ana e sindikatës nëse nuk do t’u përmbushen kërkesat e kërkuara me kontratë kolektive e cila pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm.

Jasharaj ka thënë përmes telefonit se Ligji për Organizimin Sindikal e ndalon mbrojtjen e punëtorëve nëse ata nuk janë pjesë e sindikatës. /Telegrafi/