LAJMI I FUNDIT:

Duhet të avancohen politikat e planifikimeve buxhetore

Duhet të avancohen politikat e planifikimeve buxhetore

Ministria e Financave (MF) në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së, ka organizuar Forumin me autoritetet komunale dhe qendrore për zhvillimin e procesit buxhetor komunal për vitin 2016-2018, si pjesë e projektit “Mbështetje dialogut në mes të nivelit qendror dhe atij lokal për një reformë efektive të qeverisjes lokale”.

Në linjë me dokumentin strategjik KASH, 2016-2018 dhe Qarkoret Buxhetore 2016/01 dhe 02 për Komunat, në këtë forum u diskutua për koordinimin e objektivave prioritare mbi zhvillimin e planifikimit afatmesëm të buxhetit komunal 2016-2018, të përcaktuara me kuadrin ligjor, përfshirë koordinimin e aktiviteteve prioritare të Komunave me ministritë e linjës (bashkëfinancimi me ministritë e linjës, huamarrjet dhe donatorët potencial).

Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se duhet të avancohen politikat e planifikimeve.
“Për ta vënë buxhetin në funksion të zhvillimit, ne duhet të avancojmë ndërlidhjen e planifikimit të politikave me planifikimin buxhetor. Andaj, Ju këshilloj që gjatë procesit buxhetor të përkufizoni ndërlidhjen në mes prioriteteve tuaja strategjike zhvillimore dhe planifikimit fiskal afat-mesëm, sidomos duke përfshirë këtu informata për performancën sipas programeve buxhetore dhe klasifikimit funksional”, u shpreh ai.
“Korniza Ligjore (LMFPP) përcakton orarin për zhvillimin e rregullt të procesit buxhetor mbi planifikimin shumëvjeçar në pajtim me kapacitetin fiskal të përcaktuar në dokumentin strategjik të KASH-it 2016-2018 si dhe të prezantuar me QB 2016/01 dhe 02 për Komunat”.


“Përmes Qarkores Buxhetore 2016/01 ju kemi ofruar udhëzimet e para për përgatitjen e projektbuxhetit të komunave, përfshirë këtu kalendarin kohor indikativ si dhe kufijtë fillestarë të financimit për komunat për periudhën afatmesme 2016-2018. Ashtu si ju kemi ofruar sqarime në takimet e deritanishme, kjo qarkore është përgatitur në pajtim me parashikimet fiskale afatmesme të aprovuara në dokumentin strategjik KASH 2016-2018, mbi bazën e të cilit dokument edhe obligohemi të aplikojmë një mendësi të re gjatë formulimit të buxhetit, përfshirë dy konceptet bazike: një, konceptin zhvillimor shumëvjeçar dhe dy, konceptin mbi kursimet si planifikim racional dhe efikas gjatë periudhës afatmesme”, tha kreu i financave Avdullah Hoti.

“Qarkorja Buxhetore 2016/02 përcakton strukturën e shpenzimeve sipas kategorive ekonomike për vitin 2016 dhe parashikimet 2017-2018 brenda kufijve të financimit të dhënë me QB 2016/01. Kjo qarkore, realisht reflekton pasqyrën fiskale afatmesme të dakorduar në marrëveshjen bazë me FMN (Letra e Qëllimit), përmes së cilës vijëzohet: a) kapaciteti fiskal i të hyrave reale në vend si premisë mbi burimet e financimit për OB gjatë periudhës afatmesme, si dhe b) struktura e shpenzimeve sipas kategorive ekonomike po ashtu për OB gjatë kësaj periudhe”.

Ministri Avdullah Hoti gjithashtu inkurajoj zyrtarët e lartë të Komunave që me përkushtimin e tyre gjatë këtij procesi buxhetor të bashkëpunojnë ngushtë me ministritë sektoriale të linjës për adresimin e sfidave të identifikuara në Raportin Vjetor të Komisionit të Granteve mbi vlerësimin e përshtatshmërisë së financimit komunal; për ngritjen e cilësisë dhe besueshmërisë së të dhënave statistikore për numrin e nxënësve, vizitave dhe shërbimeve shëndetësore, si dhe për trajtimin adekuat të ofrimit të shërbimeve për mbështetje sociale. “Shpresoj që do shfrytëzoni zhvillimin e KASH-it për të avancuar konceptin e planifikimit shumëvjeçar të investimeve kapitale, përfshirë bashkëfinancimet me ministritë e linjës, e me fokus të veçantë rreth buxhetimit të obligimeve të papaguara paraprake brenda kuadrit ligjor”.

Ndërsa, zëvendësdrejtoresha e Departamentit për Demokratizim në OSBE Marta Onorato, duke falënderuar Ministrinë e Financave për bashkëpunim me Misionin e OSBE-së për mbajtjen e forumit dhe në mënyrë specifike zyrtarët komunal për implementimin e aktiviteteve të ndërlidhura me OSBE-në në komuna në të gjithë Kosovën, theksoi se “ Dëshirojmë të veçojmë se në ngjarjen e sotme, të gjithë pjesëmarrësit mbajnë përgjegjësi kyçe që të sigurojnë procesin e reformës efektive të qeverisjes lokale dhe procesin e reformimit në menaxhimin financiar në qeverisjen lokale, si shumë të rëndësishëm për shkak se ka për qëllim ofrimin e shërbimeve ndaj popullatës”.

Në këtë forum gjithashtu pjesëmarrës ishin edhe zyrtarë tjerë të lartë të Ministrisë së Financave, të Misionit të OSBE-së në Prishtinë, zyrtarë të lartë të Komunave, si dhe përfaqësues të institucioneve qeveritare. /Telegrafi/