LAJMI I FUNDIT:

Dr. Valbon Gashi, mr.sc. Kirurg vaskular dhe endovaskular

Dr. Valbon Gashi, mr.sc. Kirurg vaskular dhe endovaskular

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Dr. Valbon Gashi, mr.sc.
Kirurg vaskular dhe endovaskular
044 116 718; 044 307030
valbongashi@yahoo.com
www. venomed.eu


Jam 24 vjeçare dhe më janë paraqitur venat në këmbë përmbi gjunjë, anash. Ato, kanë ngjyrë të kaltër të mbyllët edhe ngjyrë vjollce. Më brengosin shumë. Ju lutem, më tregoni si mund t’i heq, a ekziston ndonjë krem që mund t’i eliminojë apo duhet përdorur ndonjë metodë tjetër.
Cilin mjek duhet ta vizitoj?


PËRGJIGJE:
Në literaturën botërore ende nuk ka dalë ndonjë krem qe do t’i zhdukë venat. Por, ka metoda të reja që nuk janë kirurgjike dhe janë shumë më efikase në shumë aspekte. Së pari, ripërsëritjet janë reduktuar për 25% në periudhën 10 vjeçare. Së dyti, nuk ke nevojë për anestezion të përgjithshëm apo anestezion spinal, por mbas intervenimit, shkon menjëherë në shtëpi. Së treti, shenjat janë fare të vogla dhe zhduken me kohë. Punën e vazhdon që të nesërmen, ndërsa kualiteti i jetës është shumë i mirë.
Ju duhet të vizitoni kirurgun vaskular.


Përshëndetje doktor. Kam një problem në anën e majtë të testikujve. Venat më janë zgjeruar. Pse ndodh kjo, çfarë më preferoni të bëj.
Jam 19 vjeçar dhe pres përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Problemin që e keni, njihet si Varikocella e testisit. Ju preferoj të konsultoheni me urologun.


I nderuar doktor. Kam venat në këmbën e djathtë dhe kirurgët vaskularë më kanë preferuar të operohem, por bën edhe me Laser. A ka ndonjë metodë tjetër ku nuk do të ndjejë dhimbje gjatë dhe mbas intervenimit.
Ju lutem, më ktheni përgjigje.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Po, është edhe një metodë e re, e cila po jep rezultate mahnitëse dhe bëhet me teknikën MOCA në vena (Mechanical Obstruction Chemical Ablation) që do të thotë, Mbyllja mekanike dhe ablacioni kimik). Pra, është një kombinim mekanik-kimik. Pacientët nuk kanë dhimbje gjatë dhe mbas intervenimit, ndërsa suksesi është i barabartë me metodat tjera bashkëkohore. Kjo metodë ka filluar para tri viteve të aplikohet. Ne, në Kosovë, respektivisht në Evropën Juglindore, jemi të paret që kemi filluar ta bëjmë këtë metodë mjaft interesante dhe shumë efikase.


Përshëndetje doktor. Së pari ju falënderoj shumë për kohën që na kushtoni për përgjigjet tuja profesioniste. Babai im, 62 vjeçar, gjatë rinisë, ka pasur probleme me vena. E ka të operuar këmbën e djathtë, poshtë gjurit. Tashti, i është paraqitur prapë një venë goxha e dalluar në këmbën e djathtë, sipër gjurit me madhësi sa një pëllëmbë. Dhimbjet janë të herëpashershme. Në farmaci i kanë preferuar një yndyrë të quajtur Hepathrombin, haprin-natrijum 50 000 gel. A mendoni se ky gel mund t’ia pushojë dhimbjet apo i bën dëm, pasi që prindi, vuan edhe nga diabeti qe dy vite? Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Kjo është një substancë apo një bashkëdyzim me përmbajtje të Heparinës dhe disa prej tyre kanë edhe përmbajtje të gështenjës së egër. Për shërim dhe trajtim nuk është, thjeshtë nuk bënë asnjë veprim reduktues në kuptim të shërimit të venave. Qëllimi i kësaj yndyre është më shumë flladitës e bën një tkurrje të venave për një kohë të shkurtër, por edhe heqjen e ndonjë hematomi. Preferenca ime kishte me qenë ta bësh një vizitë dhe ta shohim se dhimbja a i takon venave prezente apo mundet me qenë ndonjë shkaktar tjetër. Edhe përkundër diabetit dhe moshës, metodat e reja bashkëkohore që bëhen këtu, janë shumë të mirëseardhura për prindin tuaj, nëse ka nevojë.


Jam 20 vjeçar, kam pasur një problem në krahun e djathtë, për shkak të hemangiomës. Kam vendosur të bëj tattoo. Jam në pritje të mendimit tuaj.

PËRGJIGJE:
Unë mendoj se së pari duhet hequr hemangiomën, e pastaj me vendos një tattoo.


Jam 15 vjeçe dhe i kam venat në pulpën e këmbës së djathtë. Ato nuk janë të fryra, por vetëm ashtu . Si t’ia bëj që t’i heq ? Gjithashtu pulpat e këmbëve i kam shumë të mëdhenj dhe unë dua t’i zvogëloj. Çka të bëj?

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Edhe përkundër moshës, venat kanë mundësi të lajmërohen edhe në moshat e hershme. Ndër arsyet janë trashëgimia, obeziteti, sportet ku sforcohen këmbët më shumë.
Ju kisha propozuar një kontroll dhe të verifikojmë nëpërmjet Duplexit (ultrazëri i enëve të gjakut) origjinën e venave.


Përshëndetje doktor. Kohët e fundit nëpërmjet medieve në Kosovë, përmenden metoda me Laser, metoda me Radiofrekuencë. A ka mundësi të na shpjegoni, se çka janë këto metoda dhe çka bëjnë me venat e zgjeruara? Cili është dallimi ndërmjet tyre, si dhe a ka ripërsëritje në krahasim me kirurgjinë.
Faleminderit. Shpresoj të marr një përgjigje nga ju!

PËRGJIGJE:
I nderuar, një pyetje mjaft e qëlluar. Metoda kirurgjike është punuar për herë të parë para 180 viteve dhe ende nuk ka ndryshime të mëdha në trajtimin më të lehtë për pacientët: pra ende punohet me anestezion të përgjithshëm, spinal. Dhimbjet pas intervenimit zgjasin deri në tri javë. Pacienti mbetet i shtrirë në shtrat së paku dy javë, shenjat në këmbë nuk duken estetikisht mirë, sidomos tek femrat si dhe ripërsëritja në 5 vitet e para ndodh në 30% të rasteve. Kjo metodë në perëndim është e tejkaluar dhe, me protokollet e reja botërore, përparësi kanë të gjitha metodat më pak invasive për arsyet të cilat do t’i përshkruaj në vijim.
Në botën bashkëkohore, koha është shumë e vlefshme. Çdo minutë është e rëndësishme. Ata kanë menduar si ta bëjnë një metodë, e cila nuk do t’i ndajë nga puna, nga stresi, nga dhembja. Pra, e gjithë kjo, mund të quhet kualiteti i jetës apo ‘Quality of life’ (QOL). Për këtë arsye, prej vitit 1998, kanë filluar të zbatohen metoda që shkatërrimi (ablacioni) i venës, të bëhet nëpërmjet energjisë termike. Edhe këto metoda, në fillim kanë pasur shumë mangësi, por me kohë janë moderuar dhe janë bërë më kualitative për pacientin, ndërsa tani kanë mbërri kulmin e përsosshmërisë. Në nëntor të këtij viti, pas RCT (randomized control trial), kanë bërë krahasimin e pacientëve që janë bërë me energji termike (RF, Laser) dhe kirurgji në 5 vitet e fundit. Disa spitale të Anglisë dhe të SHBA (organizimin e ka bërë Mayo klinika-SHBA) kanë ardhur në përfundim se ripërsëritja me energji termike është 8-12%, gjersa ajo kirurgjike mbi 30%.
Sa i përket dallimit të Laserit dhe Radio-frekunecës, mund të thuhet se ato punojnë me energji termike, por temperaturat janë mbi 600 gradë te Laseri, gjersa te Radiofrekuenca 120 gradë. Ky është dallimi dhe pas intervenimit me laser: nëse llogarisim prej 1-10, shkallën e dhimbjes, ajo arrin në 7-8, ënjtjet dhe skuqjet janë më të shprehura, ndërsa te Radiofrekuenca, shkalla e dhimbjes është 3-4; ënjtjet dhe skuqjet janë të rralla. Pra, po flasim për ditët e para pas intervenimit. Preferohet që kontakti me mjekun të jetë permanent javën e parë. E gjithë procedura si me Laser, ashtu edhe me RF, bëhet me anestezion lokal dhe pacienti menjëherë shkon në shtëpi dhe detyrat, punën, obligimet i vazhdon të nesërmen.


Përshëndetje i nderuar doktor. Jam 22 vjeçare, e martuar qe një vit. Qysh prej fillimit të marrëdhënieve me bashkëshortin, nuk jemi mbrojtur asnjëherë. Pas 6 muajve martesë, vendosëm t’i bëjmë analizat, sepse dëshironim fëmijë. Analizat e mia dolën mirë, por bashkëshorti doli të mos këtë farë të mjaftueshme sa për të më lënë shtatzënë. Mirëpo, doktori i tregoi për një problem tjetër: ai paska venat e zgjeruara në penis, që nga lindja. I rekomandoi të operohet, në mënyrë që ai damar të ngushtohet.
Ju lutem, më tregoni diçka më shumë në lidhje me këtë problem.
Pres me padurim përgjigjen tuaj.

PËRGJIGJE:
Problemi tek bashkëshorti juaj është i lidhur me pamundësinë e krijimit të farës kualitative në testise, për shkak të prezencës së venave, të cilat janë më të zgjeruara. Duke e marrë parasysh se zgjerimi i venave përmban më shumë sasi gjaku, atëherë temperatura në vendin ku formohet fara, në testise, është një çik më e lartë, e që nuk është e favorshme për formimin e farës kualitative. Në zhargonin mjekësor, quhet Varikocella.
Nuk keni nevojë të brengoseni për këtë dukuri, mund t’i lajmëroheni urologut dhe ai të jep udhëzime të mëtutjeshme.


Përshëndetje doktor. Jam 17 vjeçar dhe në testikuj kam vërejtur disa vena të zgjeruara me ngjyrë të zezë ose vjollce, të vendosura në anën e majtë. I kam vënë re kohë më parë, por nuk e kam ditur derisa kam hulumtuar në internet për to. Kam lexuar se quhen varicocele, dhe janë vena me funksion të dështuar pasi që e lënë rrjedhjen e gjakut në anën e kundërt dhe kështu ka arritur deri tek zgjerimi i tyre. Shumë doktorë rekomandojnë operimin dhe mënjanimin e tyre, për shkak se ato shkaktojnë temperaturë më të lartë në skrotum dhe kështu zvogëlohet dukshëm prodhimi i spermatozgjenezës, dhe kjo shkakton edhe infertilitetin.
Ju kisha lutur të më tregoni, cila është zgjidhja më e mirë për mua.
Faleminderit.

PËRGJIGJE:
Unë mendoj se, së pari se duhesh ta bëni spermogramin edhe ta vërtetoni se a ke mungesë të farës kualitative. Intervenimi është i patjetërsueshëm dhe është i lidhur drejtpërsëdrejti me spermogram. Pra, nëse kualitetin e spermës e ke të mirë edhe përkundër zgjerimit të venave, nuk je i detyruar të bëhesh operacion për një kohë.


Unë që ju shkruaj jam nënë e dy fëmijëve. Kam djalin 5 vjeç e gjysmë dhe vajzën një vjeçe e gjysmë. Të dy fëmijët kanë lindur me hemangiomë. I kam trajtuar rregullisht tek kirurgu vaskular, por ende nuk kanë intervenuar tek vajza, ndërkaq tek djali po. A ekziston mundësia që hemangioma të hiqet me kohë, apo domosdoshmërisht kërkohet intervenimi.
Vajza e ka hemangiomën në krahun e djathtë, disa centimetra larg gjirit, në drejtim të nënsqetullës. Edhe përkundër vizitave të rregullta, jam në dilemë dhe shumë e brengosur se çfarë hapi duhet bërë. A është më mirë t’ia lëmë kohës, apo të ndërmarrim diçka. Vajza ka ekzaminuar në përgjithësi, të gjitha organet i funksionojnë në rregull.
Me shumë kënaqësi do të kërkoja ndihmën tuaj.

PËRGJIGJE:
Hemangioma është një tumor beninj, pra kombinim i rrjeteve venoze dhe nuk paraqet ndonjë rrezik për jetën e njeriut. Komplikimet janë shumë të rralla.
Zakonisht, si të vogla nëse janë edhe të dukshme në fytyrë, duar apo këmbë ato intervenohen. Janë dy lloje të intervenimit: kirurgjik dhe me skleroterapi.
Ju kisha propozuar që të më kontaktoni dhe ta shohim cila është zgjidhja më e mirë.


I nderuar doktor. Jam shumë e interesuar të di më shumë rreth skleroterapisë. Kam shumë problem me vena dhe jam ne dyshim se "më mirë është të bëjë seanca të skleroterapisë apo të operohem. Dhe pyetja ime konkrete për ju, do të ishte se "sa efektive është skleroterapia dhe pse nuk ka përdorim më të gjerë në Kosovë".
Me nderime.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Skleroterapia është një metodë që nëpërmjet substancave kimike, shkatërrohet vena në fjalë. Futet gjilpëra në venën e zgjeruar dhe pastaj shpërndahet substancë kimike e cila e shkatërron atë.
Në botë, është një metodë e preferuar për shkak se është shumë pak invasive, fare pak e dhimbshme dhe komplikimet janë më shumë lokale, gjersa të përgjithshme – më rrallë. Zakonisht është metodë shumë e preferuar për venat me kalibrime të vogla si dhe për venat ndihmëse, apo degë të venave kryesore të jashtme. Për momentin, në trajtimin e përgjithshëm të venave ka shumë flebologe që merren me këtë trajtim, por suksesi në 5 vitet e para nuk është shumë i mirë për shkak të rekanalizmit, respektivisht ripërsëritjes.
Prej vitit të kaluar, ka dalë një preparat i ri, me emrin Varitena, i cili thuhet se është premtues për sklerotizim të venave të jashtme, te gjithë kalibrave të mundshëm. Për momentin, janë dy mangësi për popullatën tonë. Është preparat shumë i shtrenjtë dhe duhet të presim rezultatet e para pas pesë viteve.


I nderuar doktor. Kam një hall të madh me të fejuarën time, 29 vjeçe. Ajo, në fund të muajit gusht, është nisur për në Francë. Gjatë rrugës, ka blerë një palë mbathje, ndërsa ato nuk i kanë ardhur tamam. Duke kaluar kufirin në Hungari, në një lum të madh, ka hyrë bashkë me të tjerët dhe pasi që ka dalë në France pas një jave, e ka vërejtur që po i dhemb gishti i dytë i këmbës së djathtë. Gjithashtu, i kanë dalë disa qime në vena. Mjekët në Dion të Francës, i kanë dhënë një krem për lyerjen e gishtit, mirëpo i ka ndihmuar fare pak. Pas një kohe, në gishtin tregues të këmbës së djathtë dhe në gishtin e tretë, ka vërejtur që i kanë dalë në tre vena, disa qime të bardha dhe të gjata. Aty tek qimet në gisht, iu është bërë gropë. Mjeket i kanë thënë se është një infeksion serioz.
Gruaja thotë se ka therje dhe, sikur diçka po ia gërryen diçka gishtat, natën. Ajo çka është më e dhimbshmja, ka ndjenjën se do të vdes.
Andaj, të lutem shumë doktor, na trego se për çfarë sëmundje bëhet fjalë dhe mundeni te na jepni ndonjë këshillë apo sugjerim se ç’duhet bërë? Shpresoj qe e keni kuptuar çfarë kam dashur t’ju tregoj.
Me respektin e sinqertë, ju uroj punë të palodhshme.

PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Francezët janë ndër më të mirët për mjekësi në Evropë. Mendoj që, duhet me u dhënë kohë që ta zbulojnë sëmundjen. I kanë kushtet për gjithë trajtimin e bashkëshortes suaj.

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori