LAJMI I FUNDIT:

Dr. Avni Kryeziu, internist-reumatolog

Nëse keni një shqetësim apo problem për të cilin mendoni se mund t’ju ndihmojnë këshillat e një profesionisti mund të na shkruani pa hezitim në adresën mjeku@telegrafi.com
Për shumë pyetje, ne do të bashkëbisedojmë me mjekët dhe përgjigjet e tyre do t’i botojmë në ditët vijuese.

Dr. Avni Kryeziu,
internist-reumatolog
tel. 044 317 322


I nderuar dr. Avni. Mami im ka probleme me gjurin e majtë. Para një viti i janë shfaqur dhimbje të shumta, tani i janë përhapur edhe më lart. Ka bërë kontrolle tek shumë mjekë, por pa ndonjë ndihmesë. Para një viti është rrëzuar, ka bërë incizimin, por nuk e ka të thyer apo të larguar ashtin. Ka përdorë kremra të ndryshme të rekomanduara nga mjekët. Ende ka dhimbje të shumta, kur ec, nuk e ndjen shumë dhimbjen, mirëpo kur rri një kohë të gjatë ulur, e ka të vështirë të ngritët në këmbë dhe vazhdojnë dhimbjet pas çdo hapi që e bën. Dy herë i ka ndodhur që duke ecur, ta lëshojë këmba dhe të bie në tokë.
Nëna është e 48 vjeçe, ka yndyrë në gjak. A mendoni se kjo mund të ndikojë në dhembjen e gjurit,
Në pritje të përgjigjes suaj, ju falënderoj.


PËRGJIGJE:
Përshëndetje. Dhimbjet në nyjën e gjurit mund të paraqiten si pasojë e disa shkaqeve. Fakti që nëna juaj ka pasur një lëndim në gju para një viti, mund të ketë lidhje direkte ose mund ta favorizojë problemin në gju. Që nga dekada e tretë dhe tutje, në nyjet e trupit të njeriut, fillojnë të shfaqen disa ndryshime që ne në mjekësi i quajmë ndryshime degjenerative. Këto ndodhin sidomos në nyjet e poshtme që mbajnë peshë. Megjithatë shpeshtësia dhe intensiteti i këtyre ndryshimeve janë individuale dhe varen nga shumë faktorë si trashëgimia, pesha trupore, profesioni, sëmundjet e ndryshme kronike siç është sëmundja e sheqerit, e tj.
Ju udhëzoj që të bëni ekzaminime të nevojshme (edhe pse keni thënë që keni bërë disa ekzaminime, por nuk e di se për çfarë bëhet fjalë) në nyjen e gjurit siç është radiografia e thjeshtë apo edhe rezonanca magnetike për të vlerësuar ndryshimet që eventualisht mund të jenë prezente dhe pas vlerësimit të këtyre ndryshimeve, të vazhdohet me trajtim adekuat. Ekzistojnë tanimë një varg preparatesh që përdoren për mjekimin e këtyre problemeve duke filluar nga barërat për zbutjen e dhimbjeve, ato për të ushqyer kërcen e dëmtuar, zëvendësuesit e yndyrës së gjurit si dhe terapia fizikale e cila është e domosdoshme dhe tejet dobiprurëse në këto raste. Niveli i shtuar i yndyrës në gjak, nuk ka lidhje me dhimbjen e gjurit.


Jam një paciente e cila vuaj nga sëmundjet reumatike osteopenia postclimacterica,discarthrosi L5/SI (ro),morbus bastrup (r0)dhe lumboiscchialgia lat.dextri.
Jam duke përdorur barnat, tab.Alendro a 70 mg 1×1. një herë në javë, Osteopan 2×1, Kondroin forte 2×1, Herron fish 2×1. Me që nuk po vërej kurrfarë përmirësimi, ju kisha lutur të më sqaroni çfarë sëmundje janë dhe çka më kishit preferuar për t’u shëruar.
Me respekt.

PËRGJIGJE:
Pas fazës riprodhuese, gjegjësisht në fazën e menopauzës, tek femrat mund të ndodhin një varg ndryshimesh në arkitekturën e skeletit si pasojë e disbalanceve hormonale që ndodhin në këtë fazë. Këto ndryshime që ne i quajmë osteopenia ose osteoporoza pas menopauzale (ose siç e keni cekur ju post climacterika), janë mjaftë të shpeshta dhe përcillen me mjaft shqetësime. Se a është prezente tek ju osteopenia apo jo dhe se në çfarë niveli është ajo, duhet të konfirmohet me anë të një ekzaminimi që quhet osteodensitometria që në fakt bënë matjen e densitetit të ashtit. Diagnozat tjera që i keni përmendur në pyetjen tuaj, tregojnë që ju mund të keni probleme me unazat e boshtit kurrizor në nivelin e belit. Fakti që edhe pas terapisë që jeni duke e përdorur, nuk keni përmirësime, tregon që nuk është bërë diagnostikimi ashtu siç duhet ose nuk është shkuar deri në fund në diagnostikim. Ju preferoj që të bëni një rivlersim të gjendjes duke bërë CT ose Rezonanc Magnetike të unazave të belit (L1-S1) për të parë nëse ka ose jo komprimim të nervave të boshtit kurrizor në këtë nivel dhe tek pastaj të mendohet se me çfarë trajtimi duhet vazhduar. A duhet vazhduar me terapi medikamentoze të ndihmuar me fizioterapi apo nevojitet ndërhyrje kirurgjike, varet nga rezultati i ekzaminimit.


Përshëndetje, jam një vajzë 22 vjeçare. Ndonjëherë kur të zgjohem prej gjumit më lëshon këmba, nuk mund të qëndroj, rrëzohem. Ky problem ka filluar të më shpeshtohet, kjo ndodh veç në këmbën e djathtë, kam dhembje të durueshme, por më bën nervoz. Kisha pas dëshirë të di për këtë problem. Faleminderit, shpresoj që nuk je i lodhur.

PËRGJIGJE:
Edhe problemin tuaj duhet hulumtuar në aspektin e hulumtimit të nervave, qoftë në boshtin kurrizor, qoftë në nervat periferik, pra në këmbën përkatëse. Ju këshilloj që të bëni hulumtime të unazave të boshtit kurrizor të regjionit të belit si dhe të këmbës në kuptim të ekzaminimit të nervit dhe muskujve të këmbës së djathtë. Duhet të bëni një vizitë tek mjeku në mënyrë që për së afërmi të merrni udhëzimet e duhura.


I nderuar dr. Avni. Jam 25 vjeç nga Maqedonia (punoj si kamerier). Ka disa javë që ndjej mpirje në duar dhe këmbë, poashtu natën kur shtrihem të fle fillon dhe më dridhet trupi (pulson), po kohët e fundit më ndodh dhe gjatë ditës. Gjithashtu, shpesh më merren mendtë, si dhe më bie sheqeri. Analizat e fundit që i kam bërë, rezultati më ka dalë se kam yndyrë në gjak dhe se rruazat (nuk jam i sigurt se cilat) e gjakut janë në rritje. Desha të di se përse më pulson trupi dhe çfarë do më këshillonit?

PERGJIGJE:
I nderuar. Ankesat tuaja janë të një natyre të përgjithësuar, pra, jo specifike dhe kërkojnë një trajtim të mirëfilltë. Me këtë desha të them se sipas ankesave tuaja, nuk do mund të themi se përse bëhet fjalë saktësisht në rastin konkret. Pulsimi i trupit i përgjigjet pulsimit të enëve të gjakut që është si pasojë e punës së zemrës e cila, pa u ndalur pompon dhe kjo punë e zemrës në formë pompe, reflektohet apo përcillet në formë të valëve në enët e gjakut në tërë trupin e njeriut që ne i ndjejmë pra, në formë të pulsimit. Kur njeriu e shton vëmendjen e vet në trupin e tij apo në atë që çfarë po ndodh në organizmin e tij, me siguri që do i ndjej apo edhe do i prek këto pulsime të enëve të gjakut. Poashtu rrënja e sheqerit që ju e potenconi, duhet sqaruar me anë të analizave që e diferencojnë rënien e sheqerit në gjak nën vlerat normale për shkak të ndonjë sëmundje apo rënien për shkak të lodhjes dhe mosmarrjes së ushqimit të nevojshëm. Edhe yndyra dhe rruazat e gjakut në vlera të ngritura, duhet sqaruar përsëri. Si përfundim i gjithë kësaj që e shpreha më lartë, mund të themi se në rastin tuaj asgjë nuk është e qartë, pasi nuk keni bërë ekzaminimet e nevojshme. Ju këshilloj të lajmëroheni te mjeku dhe të veproni në bazë të udhëzimeve të tij.


Djali im, 8 vjeç, që nga mosha 2 vjeçare ka pasur ankime të kohëpaskohshme dhimbje gjunjësh. Pas kontrolleve që kam bërë, mjekët zakonisht më kanë thënë se mund të jetë nga rritja dhe se me kohë do t’i ndalet dhimbja. Por, edhe tani vazhdon të ketë ankesa dhe dhimbje të gjunjëve, por edhe të nyjeve të tjera nga gjunjët e poshtë. Kam bërë kontrolle dhe analiza, kontrollin e zemrës, mushkërive. Analizat kanë treguar se djali ka probleme me reumë apo diçka të tillë pasi që ai vazhdon të ketë dhimbje, sidomos gjatë mbrëmjes çdo të dytën ose të tretën natë (në gjunjë dhe në nyje të tjera).
I nderuar doktor, pres një këshillë nga ju që të më udhëzoni se si të veproj.
Ju përshëndes.

PERGJIGJE:
Jam i kënaqur që djali juaj nuk ka asnjë problem në organet në të cilat ju i keni hulumtuar. Dhembjet e nyjeve në moshat e reja siç është edhe djali juaj, mund të jenë si pasojë e rritjes dhe zhvillimit të hovshëm por, nuk përjashtohet mundësia edhe e ndonjë problemi reumatik. Nuk kam njohuri se çfarë ekzaminimesh keni bërë për të sqaruar problemet reumatike, në rastin konkret përveç atyre që i keni përmendur më lartë (kontrolli i mushkërisë dhe zemrës), por ju këshilloj që të lajmëroheni te mjeku përsëri në mënyrë që ti bëni edhe disa ekzaminime dhe analiza që janë adekuate në aspektin reumatik dhe pastaj mund të themi se a bëhet fjalë për problem reumatik apo jo.

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Kalo në kategori