LAJMI I FUNDIT:

Përmirësoni gabimet: SOS!

Përmirësoni gabimet: SOS!

Si të shpëtoni kur e teproni me procesin e zbukurimit ose kur gjërat shkojnë keq? Çfarë të bëni nëse e keni shpërthyer puçrrën dhe e keni infektuar lëkurën, i keni prerë vetë flokët dhe e keni tepruar me shkurtimin e ballukeve, ose nëse keni vendosur shumë krem për nxirjen e lëkurës? Nuk ka vend për panik! Dëgjoni këshillat tona si t’i përmirësoni disa gabime të zakonshme.

Labinota Pallaska,

Profesoreshë e grimit


E keni shpërthyer puçrrën!

Zgjidhja e shpejtë: Me një pambuk të pastër vendosni mbi akne ndonjë krem ose losion antibakteror, me qëllim që ta zvogëloni skuqjen dhe ta pengoni shfaqjen e infeksionit. Në rast se vrima e puçrrës është edhe më tutje pjesërisht e mbushur, ndërpritni përdorimin e kremit antibakteror, sepse kremi pengon pastrimin e tërësishëm të vrimës. Në vend të saj, lyejeni aknen me hidrogjen (3%), i cili do t’i shkatërrojë bakteret. I gjithë procesi përfundon me vendosjen e kremit joyndyror-hidratues dhe bazës për makijazh.

Këshilla më e mirë: Nëse edhe më tutje jeni të vendosur që ta shtypni aknen, atëherë atë bëjeni në mënyrë të duhur. Një kohë të shkurtë mbani diçka të ngrohtë në pjesën ku ndodhet puçrra, me qëllim që vrima të hapet dhe në këtë mënyrë do të lehtësohet shtypja. Pastrojeni me alkool një lancetë të hollë mjekësore ose një gjilpërë të zakonshme për qepje, dhe pastaj në mënyrë të kujdesshme shpojeni aknen. Pastaj mbështillni gishtat tregues të të dy duarve me një pecetë letre dhe shtypeni ngadalë puçrrën. Nëse nuk mund të nxirrni asgjë, atëherë ndërpriteni këtë veprim, dhe vendosni hidrogjen mbi akne.


I keni prerë shumë balluket!

Zgjidhja e shpejtë: Tërhiqni balluket në njërën anë, sepse në këtë mënyrë do ta maskoni gjatësinë e tyre derisa flokët të rriten sërish (ndërsa për të ndodhur kjo duhet të kalojnë katër javë). Për t’u dhënë formë flokëve, përdorni gel të cilin do ta vendosni deri sa i keni flokët ende të pa thara. Veç kësaj, balluket mund t’i kapni me kapëse flokësh ose karficë.

Këshilla më e mirë: Edhe në rast se nuk jeni të gatshme për t’i rregulluar tërësisht balluket, por dëshironi vetëm pakëz t’i shkurtoni ato- shkoni në sallon ondulimi.


I keni zbardhuar shumë flokët me zbardhues (blanch)!

Zgjidhja e shpejtë: Përdorni nuanca për flokë, ose ngjyrë gjysmë-të qëndrueshme, me një nuancë më të errët se ngjyra aktuale e flokut tuaj. Në këtë mënyrë do ta zbutni efektin ‘e tepruar biond’ të flokëve tuaja, si edhe do ta largoni shkëlqimin që anon kah e gjelbra. Gjatë zgjedhjes së nuancës së duhur ose ngjyrës, ekspertët rekomandojnë që të blini preparat nga kategoritë e quajtura “tone natyrore”, dhe në asnjë në mënyrë të mos zgjidhni ato që kanë mbishkrimin “tone të ftohta” ose “tona të ngrohta” (nëse flokët tuaj janë zbardhuar së tepërmi, atëherë do të vendosni një ton që anon kah e gjelbra ose e kuqja).

Lexojeni udhëzimin nga paketimi origjinal dhe dëgjojeni këshillën tonë: Lani flokët, dhe derisa ato janë ende të njomë, vendosni ngjyrën dhe pritni tre minuta. Lajeni ngjyrën dhe thani flokët me tharës. Nëse dëshironi ton edhe më të butë, përsëriteni të njëjtën gjë sërish. Nëse edhe pas përsëritjes, nuk e arrini tonin e dëshiruar të ngjyrës, atëherë destinacioni juaj është salloni i flokëve.

Këshilla më e mirë: Rezultatet më të mira dhe më natyrore arrihen me kombinimin e disa ngjyrave me nuanca të ndryshme. Kjo rregull vlen për të gjitha llojet e flokëve, sidomos për ato bionde.


Keni vendosur shumë krem për t’u nxirë!

Zgjidhja e shpejtë: Vija e parë e mbrojtjes është që sa më shpejtë të pastroheni me ujë të ngrohtë dhe gjatë kësaj kohe të përdorni ndonjë preparat të lehtë për piling. Pas dushit, në lëkurë vendosni losion, i cili përmban acid laktik, me anë të të cilit do ta shpejtoni procesin natyror të eliminimit të qelizave të vdekura (zbokthit). Pas një ose dy ditësh, lëkura juaj do ta ketë ngjyrën e njëjtë të cilën e ka pasur para se ta përdorni kremin për nxirje.

Këshilla më e mirë: Preparati për nxirje vendoset në lëkurën e pastër (që do të thotë se paraprakisht keni bërë piling), dhe po ashtu në lëkurë nuk duhet të ketë mbetje të qumështit për trup ose parfumit- sepse i pari pengon depërtimin e kremit për nxirje në lëkurë, ndërsa i dyti mund ta ndryshojë ngjyrën e lëkurës. Fillimisht vendoseni kremin duke e fërkuar në mënyrë të njëjtë një shtresë të hollë të preparatit në lëkurën e gjithë trupit dhe pritni dhjetë minuta para se të visheni. Ndërsa në përgjithësi duhet të pritni 24 orë para se ta vendosni shtresën tjetër të preparatit (dhe gjatë kësaj periudhe bëni dush së paku njëherë me qëllim që ta largoni sasinë e tepërt të pigmentit).

/Telegrafi/