LAJMI I FUNDIT:

Si të bëhen më të lehta dhimbjet e lindjes?

Si të bëhen më të lehta dhimbjet e lindjes?

Shpeshherë gratë rrëqethen kur e kujtojnë lindjen, prandaj është mirë të dini se si mund të lindni me sa më pak dhimbje.

Dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetër
tel. 045 725 725

Lindja është një proces i gjatë (sidomos nëse është lindja e parë) që shoqërohet me dhimbje të mëdha.

Siç dihet përdorimi i barnave deri sa bebja është në barkun tuaj jo gjithmonë është i sigurt. Rrjedhimisht është mirë ta dini se si mund t’i lehtësoni dhimbjet e lindjes në mënyrë natyrale, ashtu që edhe përvoja juaj lidhur me procesin e lindjes të jetë pozitive.

Shpeshherë gratë rrëqethen kur e kujtojnë lindjen, prandaj është mirë të dini se si mund të lindni me sa më pak dhimbje.

Nxehtësia – Është vërtetuar se terapia me nxehtësi i shtendos muskujt dhe rrjedhimisht e lehtëson lindjen. Ju do të keni më pak dhimbje nëse vendosni kompresa të nxehta në bark, në shpinë dhe në kofshë.

Mund ta merrni një thes të mbushur me lëvozhga të grurit të cilin e nxehni kohë pas kohe për disa minuta në mikrovalë. Thesi i mbushur me lëvozhgat e grurit puthitet mirë për trupin tuaj dhe e mban temperaturën për rreth një orë.

Mund ta përdorni edhe një shishe me ujë të nxehtë (por, jo me ujë të valë) të cilën e mbështillni me një peshqir para se ta veni mbi shpinë, bark ose kofsha. Poashtu, ju ndihmon shumë nëse laheni me ujë të nxehtë.

Frymëmarrja – Keni dëgjuar se flitet shumë për teknikën e frymëmarrjes gjatë lindjes, por në fakt kjo praktikohet shumë pak.

Në fillim të kontraksionit merrni frymë thellë me hundë dhe pastaj lëshoni frymën kah goja, por shumë ngadalë deri sa ta ndieni se nuk keni më ajër në mushkëri.

Përpiquni që të merrni frymën derisa kontraksioni forcohet dhe ta nxirrni frymën nga mushkëritë kur kontraksioni fillon të fashitet. Kur kontraksioni pushon përpiquni që të relaksoheni.

Pozicioni i trupit gjatë lindjes – Nuk është mirë që të rrini shtrirë në shpinë, përveç rasteve kur jeni shumë e lodhur.

Spitalet nuk janë vende të këndshme, por përpiquni që kur shtriheni të rrini në krah dhe të ndjeheni sa më rehatshëm. Nëse rrini shtrirë ju i ngadalësoni kontraksionet dhe e zgjasni lindjen.

Përveç kësaj, kur ecni do të ndieni më pak dhimbje se sa kur qëndroni shtrirë. Përpiquni që të ecni sa më shumë dhe gjatë kësaj kohe mbani kufje në veshë dhe dëgjoni muzikën që ju e pëlqeni.

Masazhi – Nëse ju bëhet masazh në pjesën e poshtme të shpinës, ju do të ndieni më pak dhimbje.

Masazhin mund ta bëjë shoqëruesi në lindje (më së miri është që të jetë burri juaj) ose mamia. /Telegrafi/