Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Kryeqytetit, Florent Maliqi, ka mohuar pretendimet për korrupsion dhe bisedat e publikuara së fundmi, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe pjesë të një fushate që, sipas tij, synon dëmtimin e integritetit të tij personal dhe institucional.

Në një deklaratë të shpërndarë për media, Maliqi ka thënë se pret që çështja të zbardhet plotësisht në bashkëpunim me Prokurorinë dhe institucionet kompetente.


“Pretendimet për korrupsion dhe bisedat e tjera të publikuara janë tërësisht të pavërteta, qesharake dhe pjesë e një fushate të ulët denigruese që synon të dëmtojë integritetin tim personal dhe institucional”, ka deklaruar Maliqi.

Ai ka kërkuar që të identifikohen personat që, sipas tij, qëndrojnë prapa publikimit të këtyre pretendimeve.

“Në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë dhe institucionet kompetente, pres zbardhjen e plotë të kësaj çështjeje, përfshirë identifikimin e personave që qëndrojnë prapa këtij fabrikimi, denigrimi dhe linçimi publik”, ka thënë ai.

Maliqi ka bërë të ditur se do të ndërmarrë edhe hapa ligjorë lidhur me këtë çështje.

“Do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore dhe do të angazhohem pa asnjë kompromis që ky fabrikim i ulët të zbardhet deri në fund dhe që secili person i përfshirë në organizimin, fabrikimin dhe shpërndarjen e këtyre pretendimeve të mbajë përgjegjësi para drejtësisë”, ka deklaruar shefi i kabinetit të kryetarit të Prishtinës.

Në fund, Maliqi ka shprehur keqardhje për personat që, sipas tij, janë prekur nga publikimi i pretendimeve.

“Shpreh keqardhjen time për të gjithë ata që janë prekur dhe dëmtuar nga ky fabrikim i qëllimshëm, i ndërtuar me synimin për të linçuar, denigruar dhe manipuluar opinionin publik”, ka thënë Maliqi. /Telegrafi/