Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një takim me mërgimtarët në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, ku ka marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në fjalën e tij, Kurti ka vlerësuar rolin e diasporës, duke i cilësuar mërgimtarët si një lidhje të rëndësishme të Kosovës me botën dhe si mundësi për zhvillimin e vendit.


“Për neve bashkatdhetarët janë zgjatje e Kosovës, por njëkohësisht edhe mundësi për të”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se mërgimtarët, sipas tij, luajnë rolin e ambasadorëve të Kosovës dhe shqiptarëve në vendet ku jetojnë.

“Unë e di që secili prej juve në perëndim, prej nga do që jeni, prej Amerikës e Kanadasë, te Australia, prej Britanisë, Skandinavisë e Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë, kudo që ndodheni, jeni një lloj ambasadori i vogël i Republikës së Kosovës dhe i kombit shqiptar”, është shprehur Kurti.

Kryeministri në detyrë ka thënë se kontributi i diasporës në arenën ndërkombëtare është i rëndësishëm për Kosovën.

“Shumë këta ambasadorë të vegjël, siç është bashkatdhetari shqiptar, bashkë e bëjnë ambasadën më të madhe. Jo veç tonën, por asnjë komb tjetër unë nuk di që ka në Evropë ambasadë qysh kanë shqiptarët, për shkak të diasporës, për shkak të bashkatdhetarëve të tyre. Prandaj edhe ne u jemi pafundësisht mirënjohës e falënderues për këtë angazhim që e bëni në arenën ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.

Kurti ka folur edhe për mundësinë e kthimit të mërgimtarëve në Kosovë, duke thënë se, sipas tij, në vend po krijohen kushte për një proces të tillë.

Ai ka përmendur sundimin e ligjit, qeverisjen, luftimin e korrupsionit dhe investimet në sektorë të ndryshëm si faktorë që, sipas tij, mund të ndikojnë në kthimin e bashkatdhetarëve.

“Në Kosovë po krijohen kushtet për shkak të sundimit të ligjit, për shkak të qeverisjes së mirë, për shkak të luftimit të korrupsionit, për shkak të investimeve në bujqësi e në ushtri, po krijohen kushtet që bashkatdhetarët me u kthy”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se një pjesë e familjeve të diasporës tashmë po shqyrtojnë mundësinë e kthimit në Kosovë, ndërsa ka shprehur interesimin që mërgimtarët të përfshihen në institucionet publike dhe sektorin privat.

“Por edhe ne jemi të interesuar që me qindra e qindra bashkatdhetarë të kyçen në institucionet publike të shtetit e me mijëra të kyçen në sektorin tonë privat”, ka deklaruar Kurti. /Telegrafi/