LAJMI I FUNDIT:

Autizmi dhe kujdesi për fëmijët e prekur

Autizmi dhe kujdesi për fëmijët e prekur

Autizmi është çrregullim i zhvillimit i cili paraqitet në fëmijërinë e hershme. Çrregullimi karakterizohet me pengesa në planin verbal (në të folur), komunikim të dobët, mungesë të interesit për botën për rreth dhe paaftësi për aktivitete shoqërore. Autistët shpesh përshkruhen si persona të cilët janë në botën e vet. Shkaktari ende mbetet i panjohur!

Nada Morina, mr. sci.
Psikologe klinike

Autizmi është çrregullim i zhvillimit, i cili paraqitet tek afërsisht 0,005% të fëmijëve, prej të cilëve 80%, fëmijë të gjinisë mashkullore. Gjatë viteve të fundit numri i fëmijëve me simptome autiste në Kosovë është rritur dukshëm. Në çrregullimet pervarzive të zhvillimit dhe çrregullime të spektrik autist përfshihen: çrregullimi autist, sindromi i Rettit, sindromi i Aspergit, psikoza e Hellerit dhe autizmi atipik ose çrregullimi pervarziv i padefinuar.

Shenjat e para të autizmit paraqiten qysh në tri vitet e para të jetës e më së shpeshti në disa muajt e parë. Shenjat e këtij çrregullimi shpesh mbesin të pahetueshme.


Simptomatike është kur fëmija nuk reagon në ngacmime nga jashtë, prindërve mund t’iu duket sikur fëmija nuk dëgjon apo shijon. Poashtu, në rastet kur fëmija nuk tregon interes për rrethin, apo kur shikon, ndërsa shikimin e ka të zbrazët dhe dëgjon, mirëpo është indiferent ndaj zërave. Nuk u buzëqesh anëtarëve të familjes, mirëpo qeshet me vetveten.

Tek fëmija autist çrregullohet ushqimi, por edhe fjetja. Kur këto çrregullime shfaqen të ndara, nuk janë tregues të autizmit, mirëpo, kur manifestohen (shfaqen) disa prej tyre në të njëjtën kohë, atëherë ka arsye për shqetësim.

Zbulimi i hershëm i simptomave autiste, fëmijës mund t’i ndihmohet që të krijojë aftësi për të ndërtuar marrëdhënie ndërnjerëzore dhe mëvetësi.

Pamja klinike e autizmit ka katër simptoma kryesore

■ Pengesa në të folur dhe komunikim. Afërsisht gjysma e fëmijëve autistë kanë pengesa në të folur. Problemi kryesor i të folurit është echolalia (përsëritja e fjalëve apo fjalive të të tjerëve. Ata më së shpeshti i përsërisin fjalët me intonacion të njëjtë, por pa i kuptuar. Paraqiten pengesa me emërimin e gjërave dhe pengesa në të kuptuar. Në përgjithësi, zhvillimi i të folurit vonohet apo nuk zhvillohet fare.

■ Specifikat motorike. Fëmijët me çrregullim autist kanë lëvizje të pazakonshme: lojë me gishtërinj, lakimi i gishtërinjve, rrahje e shuplakave, kërcime dhe grimasa të fytyrës.

■ Pengesat në interaksion dhe kontaktet sociale. Në përgjithësi nuk kontaktojnë me të tjerët, luajnë vet dhe tërhiqen në vete. Janë pasiv në interaksione sociale dhe nuk tregojnë interes për të tjerët. Emocionet i shfaqin në mënyrë të vet.

■ Spektri i kufizuar i sjelljes dhe joimagjinata në lojë. Tek fëmijët autistë sjelljet nuk janë adekuate për nivelin e zhvillimit të tyre. Fëmija luan duke përsëritur lojën e njëjtë, me objektet e njëjta për kohë të gjatë. Shpesh i shqetësojnë ndryshimet më të vogla të rutinës së sjelljes. Mund të jenë posaçërisht të lidhur me objekte të caktuara. Janë te mahnitur me lëvizjen, dritën, objektet rrotulluese ose ujin që rrjedhë.

Cili është shkaku?

Janë dy qasje të ndryshme që shpjegojnë shkaqet e paraqitjes së autizmit: qasja biologjike dhe qasja sociokulturore.

● Qasja biologjike. Hulumtimet kanë dëshmuar prezencë të bazës gjenetike. Autizmi është më i shpeshtë tek binjakët. Poashtu, janë gjetur abnormalitete kromozomike tek personat me këtë çrregullim.

Disa studime tregojnë lidhshmëri të autizmit me pengesat gjatë periudhës prenatale (mundësia e zhvillimit të autizmit te fëmija është më e madhe nëse nëna gjatë shtatzënisë është e sëmurë nga rubeola). Sipas rezultateve te çrregullimet autiste përfshihet cerebellum, i cili është përgjegjës për lëvizjet, por edhe ka rol te fokusimi i vëmendjes.

● Qasja sociokulturale. Në fillim të kërkimeve hulumtimeve për autizmin, shkencëtarët kanë parashikuar se disfunksionaliteti familjar dhe stresi social, paraqesin shkaqe parësore.

Sipas Leo Kanner, prindërit e ftohtë dhe opsesiv krijojnë klimë të pavolitshme për zhvillimin e fëmijës, mirëpo teoria e tij nuk u tregua e saktë. Duke i krahasuar fëmijët autistë dhe fëmijët pa këtë çrregullim, hulumtimet kanë treguar se ndarja e prindërve dhe problemet financiare nuk ndikojnë në zhvillimin e autizmit.

Trajtimi i autizmit

Në trajtimin e autizmit rolin më të madh e ka familja dhe rrethi shoqëror. Kujdesi tek fëmijët autistë nënkupton nxitjen e zhvillimit në të gjitha sferat e jetës, nxitjen e të folurit, motivimin e interaksionit me rrethin dhe ushtrim e përmbushjeve të detyrave ditore në mënyrë të pavarur.

Gjatë trajtimit të autizmit, aplikohet terapia biheviorale, ushtrimi i komunikimit, rrethina e ngrohtë dhe përkrahëse (përkrahja e prindërve dhe edukimi i tyre).

Terapia biheviorale tek autizmi përdoret qe shumë vjet. Qëllimi i terapisë është që fëmija të mbizotëroj sjelljet adekuate të cilat përfshijnë të folurit, aftësitë sociale dhe aftësitë e vetëndihmesës. Aty përdoret modelimi dhe kondicionimi operativ. Në modelim demonstrohet sjellja e dëshiruar të cilën fëmija duhet ta pranoj, ndërsa me kondicionim këto sjellje përforcohen.

Proceset e lartpërmendura biheviorale nuk pranohen lehtë për arsye se personat autistë kanë probleme me imitim. Mirëpo,tek mësimet adekuat dhe përsëritjeve të shumëfishta, kjo terapi tek fëmijët autistë jep rezultate shumë të mira.

Ushtrimi i komunikimit përfshinë të folurit me shenja dhe gjeste dhe komunikim simultan i cili kombinon shenjat dhe të folurit.

Numri i madh i fëmijëve autistë tregon shkallë të lartë të dhuntive në sfera të ndryshme. Më së shpeshti në muzikë, art dhe ndonjëherë edhe në matematikë.

Fatkeqësisht, ende nuk ka tretman i cili do të ndërpriste në përgjithësi sjelljet autiste, mirëpo është e mundur të ndihmohen fëmijët që të funksionojnë dhe komunikojnë më lehtë me rrethin. Në rastet e intervenimeve të hershme, saktësisht me reagime në kohë të duhur, simptomat e autizmit mund të zbuten dukshëm. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori