LAJMI I FUNDIT:

Autizmi dhe terapia nutricioniste

Autizmi dhe terapia nutricioniste

Tashmë ekzistojnë fakte se modelet e të ushqyerit janë të domosdoshme dhe luajnë një rol shumë të rëndësishëm tek fëmijët autist. Nëse prindërit i ushqejnë fëmijët me një dietë të kufizuar, ata duhet patjetër të këshillohen me specialistë, për t'u siguruar që fëmijët marrin të gjitha vlerat e duhura ushqimore.

Mirlinda Bejta
Nutricioniste Klinike
Nutricioniste për fëmijë dhe Adoleshent

Gjatë këtyre viteve të fundit janë bërë shumë hulumtime shkencore të avancuara që na kanë shtyrë që të ndryshojmë të kuptuarit mbi shëndetin dhe sëmundjet në lidhshmëri me mënyrën e të ushqyerit. Gjatë studimeve në fushën e Nutricionizmit dhe të Mjekësisë Holistike kam kaluar një kohë të gjatë duke punuar në dizajnimin e një plani të ushqimit që do t’i ndihmonte fëmijët e prekur me autizëm, gjithnjë duke u bazuar në hulumtimet e fundit.

Rritje e shpejtë e fëmijëve të prekur me autizëm


Autizmi është një sëmundje që prek aftësitë e personit për të komunikuar me të tjerët; karakterizohet me mungesë të interesit për botën për rreth dhe paaftësi për aktivitete shoqërore. Studiuesit nuk e dinë shkakun e kësaj sëmundjeje, por ata dyshojnë se faktorë gjenetikë dhe të mjedisit mund të ndikojnë.

Rastet e fëmijëve të prekur me autizëm janë rritur ne 1000% gjatë 20 viteve të fundit. Nëse do të ishte në pyetje vetëm faktori gjenetik, kjo rritje e shpejtë nuk do të ishte e mundur. Duhet të ekzistojë një faktor tjetër përpos atij gjenetik që është duke i bërë këta fëmijë tejet të ndjeshëm që të bëhen autist.

Cili është ndryshimi që ka ndodhur prej para 20 vjetësh e deri më tani sa i përket mënyrës së të ushqyerit?

Gjatë këtij intervali kohor, ne, prej ushqimit natyral kemi kaluar në ushqime të përpunuara. Përpunimi i tillë është proces, sikurse p.sh., zierja, nxehja, ngrirja, fërgimi, etj., që pëson ushqimi dhe gjatë të cilit shkatërrohen enzimat natyrale të cilat janë të pranishme vetëm në ushqimet e freskëta.

Enzimat konsiderohen si forca punuese e organizmit. Ato janë shkëndija të cilat iniciojnë çdo proces kimik në organizëm. Pa enzime, në fakt, vitaminat, mineralet e as hormonet nuk mund ta kryejnë punën e tyre, por edhe nuk mund të paramendojmë tretjen e ushqimit.

Dr Loren Cordain e përshkruan autizmin si një sëmundje autoimune e cila tregon shenja të përmirësimit pas fillimit të një mënyre të të ushqyerit e quajtur paleodiet (një dietë e bazuar në pemë dhe perime të freskëta të pasura me enzime natyrale).

Mungesat nutricionale (të ushqimit) tek fëmijët autist

Ushqyeshmëria e dobët

Fëmijët autist kanë një ushqyeshmëri tejet të dobët. Ata shpesh krijojnë varshmëri në një lloj të vetëm të ushqimit, zakonisht në karbohidrate dhe në këtë mënyrë kufizojnë dietën e tyre. Kjo mënyrë e ushqimit, atyre nuk u jep vitaminat dhe mineralet e nevojshme për funksionimin normal të organizmit.

Mungesë më e shpeshtë vërehet te mineralet, si zinku, seleni, magnezi, molibdeni, mangani, vanadiumi, kromi, por edhe vitaminat C, B6, B12, A, E, hekur dhe niacin.

Sistemi i tretjes tejet i dobët

Këta fëmijë kanë një sistem të tretjes tejet të çrregulluar dhe të dobët. Mukoza mbrojtëse e traktit gastrointestinal është dobët e formësuar dhe për këtë sistemi i tretjes nuk mund të ballafaqohet me disa përbërës në ushqim, ndër më të shpeshtit janë gluteni që gjendet në grurë, kaseina në qumësht dhe disa proteina e karbohidrate tjera.

Gjatë kësaj mostretjeje të ushqimeve, mbesin disa fragmente, copa të mëdha të ushqimit të patretura, të cilat lehtë e kalojnë këtë mukozë të dobët dhe dalin në epitel. Prandaj, këta fëmijë shpesh mund të vuajnë nga problemet e tretjes, siç janë: kapsllëku, diarreja, problemet me stomak, gazra, etj.

Gjithashtu, këta fëmijë kanë çrregullim të florës intestinale, rritje të baktereve të këqija dhe ulje e atyre të mira (dysbiosys) që rezulton me paraqitjen e infeksioneve të shumta dhe imunitet të komprometuar.

Mosfunksionimi i procesit të detoksikimit të mëlçisë

Thuajse 100% e fëmijëve me autizëm kanë mosfunksionim të plotë të procesit të detoksikimit të mëlçisë. Kjo i bën tejet të ndjeshëm në helmim me metale të rënda. Pastaj, këta fëmijë kanë prezencë të madhe të radikaleve të lira (molekulave të dëmshme) në organizëm, sepse procesi oksidues nuk funksionon. Oksidimi është proces biokimik që i lufton molekulat e dëmshme. Prandaj këtu vjen në shprehje domosdoshmëria që këta fëmijë gjithsesi si pjesë e trajtimit të tyre të marrin një formulë antioksduese.

Sasia e ulët e acideve yndyrore

Vajrat Omega 3 janë molekula natyrale që gjenden në mënyrë më të koncentruar në peshk, fara liri, etj. Fatkeqësisht dieta perëndimore (mënyra e ushqimit të cilën ne e kemi sot) është tejet e varfër me Omega 3.

Hulumtimet e shumta që janë bërë në vendet e zhvilluara kanë ardhur në përfundim se mungesa e këtyre vajrave lidhet ngushtë me paraqitjen e shumë sëmundjeve psikiatrike, siç janë çrregullimi bipolar, depresioni, madje edhe lidhshmëri me paraqitjen e autizmit.

Meshkujt janë më të atakuar se femrat, prandaj meshkujt kanë kërkesa më të mëdha për Omega 3.

Trajtimi i autizmit

Gjatë trajtimit të autizmit, pamja terapuetike do të dukej kështu:

• Përpilimi i një plani ushqimor individual për secilin fëmijë, sepse ata dallojnë për nga mosha, gjinia, pesha, shkalla e diagnostikimit të autizmit;

• Përfshirja e terapisë së enzimave si njëra ndër terapitë më efikase në trajtimin e autizmit;

• Përfshirja e shtesave të ushqimit, vitaminave, mineraleve dhe probiotikëve në mënyrë graduale tek këta fëmijë.
Mbajeni në mend se për përzgjedhjen e këtyre shtesave sa më natyrale, gjithmonë duhet të konsultohet nutricionisti profesional, për arsye se këta fëmijë janë tejet të ndjeshëm ndaj kemikaleve të shumta, me baza jo natyrale dhe, kështu mund ta përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen e tyre;

• Bashkëpunimi me ekspertë tjerë (terapia biheviorale/modifkimit të sjelljeve)

• Në konsiderim mund te merret edhe Mjekësia Herbale ose Mjekësia e barërave shëruese (shumë çaje mund të përmirësojnë dukshëm simptomat e fëmijëve me autizëm, por për këtë gjithsesi të konsultohet personi profesional)

• Edhe Mjekësia Homeopatike ndihmon në trajtimin e autizmit, por kjo varet nga qasja e prindërve dhe interesimi i tyre në Mjekësinë Alternative.

Terapia e enzimave

Fëmijët autist më së miri trajtohen me Terapinë e Enzimave. Në një studim të kryer nga Karen De Felice me 151 persona me autizëm, gjatë 4 muajve të terapisë me enzime, 131 prej tyre kanë arritur rezultate tejet pozitive, 12 kanë pasur rezultate më të dobëta dhe 8 persona ishin me rezultate të papërfunduara.

Përmirësime të rëndësishme janë vërejtur në kontaktet me sy, në të folur, disponim, tolerancë të përmirësuar të ushqimeve, përmirësim të gjumit, humbje të peshës, tretje më e mirë, zvogëlim i infeksioneve të shpeshta, shoqërim dhe përmirësim i nivelit të energjisë në përgjithësi.

Këshilla të vlefshme

Së fundi, ndiqni disa këshilla personale për të gjithë ata prindër të cilët për çfarëdo arsye nuk mund t’i blejnë enzimat:

* Për të rritur marrjen e enzimave natyrale në ushqimin e fëmijëve tuaj, begatoheni menynë me sa më shumë molla, rrush, ananas, dredhëza. Bëjini ato sa më të lehta për përtypje dhe gëlltitje pasi që shumica e fëmijëve me autizëm kanë vështirësi në përtypjen e tyre.

* Të konsumohen avokadoja, karotat dhe përherë të përdoret vaj ulliri i virgjër i fituar nga shtypja e ftohtë e fryteve të ullirit.

* Eliminojeni sheqerin tërësisht dhe në vend të tij, e rekomandoj shumë përdorimin e mjaltës Manuka. Kjo mjaltë ka një nivel të lartë të një substance antibakteriale që do t’i ndihmojë shumë këta fëmijë me tendencë të lartë ndaj baktereve dhe viruseve të shumtë.

Në rastet e intervenimeve të hershme, saktësisht me reagime në kohë të duhur, simptomat e autizmit mund të zbuten dukshëm. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Dy suplementet e njohura mund të zvogëlojnë rrezikun e një sëmundjeje autoimune deri në 30 për qind

Shëndetësi Lajme
Kalo në kategori