LAJMI I FUNDIT:

Discovery gati për fluturimin e fundit

Discovery gati për fluturimin e fundit

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, ka njoftuar të martën se anija kozmike Discovery është e gatshme për misionin e saj të fundit dhe fluturim deri në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar më 24 shkurt.

“Gjatë disa muajve të fundit ekipi ka riparuar intensivisht rezervuarin e jashtëm dhe e ka forcuar atë si kurrë më parë. E kemi zgjidhur edhe problemin e rrjedhjes nga sistemi për lirimin e hidrogjenit dhe tani jemi sërish të gatshëm për fluturim”, ka njoftuar drejtori i NASA-s.

Ai ka thënë se numërimi deri tek lansimi po ecën mirë dhe sipas planit.

Meteorologët presin që e enjtja do të jetë me diell, me 20 gjasa për kohë të papërshtatshme në periudhën e lansimit nga Qendra hapësinore në Kennedy të Floridas.


Discovery është dashur të fluturojë qysh në nëntor të vitit të kaluar, por në rezervuarin e jashtëm ishin paraqitur çarje në prag të lansimit, dhe për këtë ishte pezulluar misioni.

Gjatë misionit 11-ditësh anija kozmike Discovery do t’i dërgojë Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar një modul të ri për deponim të pajisjeve si dhe kryerje të eksperimenteve shkencore. /Telegrafi/