LAJMI I FUNDIT:

Dielli dhe njollat

Dielli dhe njollat

Shumë vajza dhe gra në këtë periudhë të vitit kanë probleme me lëkurën, për sa u përket njollave që shfaqen menjëherë nga dielli. Mënyra e vetme për t'u ruajtur nga dielli është përdorimi i kremrave me filtër mbrojtës, UVA dhe UVB.

Elda Tomçini,
farmaciste dhe estetiste

Mos të harrojmë që solari vendoset 20 minuta para ekspozimit në diell dhe me të lyhet jo vetëm fytyra, por edhe qafa me dekoltenë. Duhet të përdoret në formë kremi, jo qumësht losion, ose xhel, pasi ka aftësi mbrojtëse më të madhe, për shkak se është më i trashë.

Nuk duhet harruar që nuk lejohet përdorimi i pudrës ose i kremit pudër sipër solarit, pasi në këtë mënyrë prishet efekti mbrojtës i solarit. Në rastet kur është i domosdoshëm përdorimi i tij, mund të zgjedhim krem pudër me SPF 30, duke eliminuar përdorimin e solarit.


Lëkurat e ndjeshme rekomandohet të përdorin solare të linjave të bebeve, pasi janë formuluar për lëkura shumë të ndjeshme.
Lëkurat me yndyrë e kanë më problem për të zgjedhur solare specifike, sepse nuk ekzistojnë të tilla për lëkura me probleme.
E vetmja mënyrë për to është duke provuar solare të linjave të ndryshme. Gjithashtu, duhet patur kujdes edhe nga përdorimi i parfumeve tek pjesa anësorë e qafës, pasi alkooli i parfumeve mbetet edhe pas larjes ose pastrimit të lëkurës. Kjo bëhet shkak i përthithjes së rrezatimit në këto zona dhe shfaqjes së njollave.

Si mund të vendoset solari kur në fytyrë përdorim edhe produkte të tjera si: kremrat hidratues, anti-rrudhë apo anti-akne?
Në këto raste rekomandohet që, produkti i fundit që do të vendoset në fytyrë, në momentin që do të dalim jashtë, është kremi i diellit. Pra, një lëkurë e thatë dhe moshë e re do të vendosë në fillim kremin hidratues dhe pasi të jetë përthithur nga lëkura (10-15 minuta) vendoset solari. Të njëjtën mënyrë ndjek lëkura me probleme (akne), apo lëkura që trajtohet me krem anti-rrudhë.
Në këtë periudhë trajtimet anti-rrudhë me retinol dhe glikolite duhen ndërprerë, pasi prania e diellit bën që lëkura të bëhet edhe më e ndjeshme.
Për mbrojtje ideale rekomandohet lyerja me solar në mëngjes 20 minuta, para daljes në diell, dhe në drekë, kur kthehemi nga puna. Në qoftë se do të rrimë në diell, solari duhet përdorur çdo 2 orë. /Telegrafi/