LAJMI I FUNDIT:

Llojet më të mira të makijazhit për sivjet

Llojet më të mira të makijazhit për sivjet

Pamë, veçuam dhe po ju paraqesim llojet më të fundit dhe më të mirat e makijazhit botëror. Por natyrisht, i kemi shoqëruar ato me këshilla praktike, të zgjuara. Njëkohësisht kemi zgjedhur ngjyrat më të ngrohta, midis të cilave ju jepet rasti të veçoni paraqitjen që ju kombinon më shumë. Provojeni dhe do të mbeteni të kënaqura.

Valbona DUGA

Specialistët e makijazhit vazhdojnë të këmbëngulin edhe për këtë sezon të ri se pavarësisht nga llojet që janë në modë, gjithësecila duhet të kërkojë ato që i përshtaten më mirë me ngjyrën e lëkurës, karakteristikat e fytyrës dhe qëllimin e daljes. Në asnjë mënyrë nuk duhet që llojet e ndryshme të makijazhit të përdoren njëlloj si tregohen. Më e saktë është të vini mbi to pak nga eksperienca vetjake e përditshme.


VIJËZIMI I SYVE, I DOMOSDOSHËM
Ndikimi i modës së viteve ’50 dhe ’60-te në makijazh është i padiskutueshëm. Vija tepër seksi në ngjyrë të zezë në cepin e jashtëm të qerpikëve do të jetë dominuese edhe sivjet. Profesionistët e kësaj fushe do të veçohen nga njëri -tjetri vetëm për shkak të trashësisë apo hollësisë së vijës si dhe kombinimit të tyre me tone të ndryshëm në qepallë.

Për çfarë keni nevojë: Vijëzues klasik në ngjyrë të errët me penel, lapsa-stilolaps të bashkuar me penel ose edhe një laps i prerë mirë nëse nuk keni shumë eksperiencë.

Këshilla
• Nëse nuk keni realizuar kurrë vijë të tillë, fillimisht bëni disa prova për të gjetur mënyrën më të mirë dhe të lehtë për të hequr vizën. Për të patur më shumë ekuilibër mbështeteni bërrylin diku në një vend të qëndrueshëm.
• Përdorni një pasqyrë që zmadhon. Në fund do të bindeni se sa e nevojshme është që ta realizoni me saktësi këtë vijëzim.
• Korrigjoni defekte të vogla me një pecetë paksa të lagur. Mas harroni të vendosni vijëzuesin para toneve. Kështu, nuk do të jetë e nevojshme të filloni nga e para.

VËSHTRIM SHUMËNGJYRËSH Ngjyra bëhet protagonist në makijazhin e syve. Ndërsa lap¬sat e shumëllojtë si dhe tonet u japin atyre gjallëri dhe "emër" në vështrim. Ngjyrat-çelës të këtij sezoni janë: e verdha, roza, portokalli, bojëqielli dhe e gjelbërta.

Për çfarë keni nevojë: Tone dhe lapsa me ngjyra të ndritshme që përçojnë idenë e metalit.

Këshilla
• Luani me një, dy por edhe tre ngjyra të ndryshme, sidomos gjatë shëtitjeve të mbrëmjes. Ndërsa qerpikët i mbushni me shumë rimel.
• Guxoni të përdorni vijëzues sysh me një ton të vetëm në qepalla. Në përfundim, do të dukeni tepër tërheqëse por edhe shumë shik.
• Në përgjithësi, ngjyrat që vendosni në qepalla duhet të kombinojnë me veshjen tuaj.

BUZË TË MBUSHURA DHE SEKSI Roze, qershi, portokall dhe pjeshkë- nuk janë fruta por janë buzët e kësaj vere. Këto ngjyra i tregojnë buzët tuaja më natyrale dhe lloji i të kuqit i përdorur (mat, pa shkëlqim) i paraqet ato më të mbushura e si rrjedhim më provokuese.

Për çfarë keni nevojë: të kuq mat si dhe krem për buzët në ngjyrë të errët.

Këshilla
• Shmangiuni realizimit të vijës së buzëve me laps, pasi nuk do të përfitoni paraqitjen që kërkoni të realizoni.
• Vetëm nëse keni buzë shumë të holla, mund të përdorni laps për vijëzim, por gjithnjë në ngjyrën e buzëve tuaja dhe jo të të kuqit që mendoni të përdorni.
• Për të patur rezultat më harmonik në fytyrë, mos harroni të zgjidhni një ton faqesh i cili duhet të ketë ngjyrë të njëjtë me të kuqin.

SYTË E TYMOSUR TË SEZONIT Vështrim i thellë, strategjik me tone të errëta në ngjyra të ftohta. Në përgjithësi, sytë e tymosur realizohen duke përdorur tone në ngjyrë blu, të gjelbërt dhe lejla. Të gjitha këto i japin vështrimit tensionin që kërkoni.

Për çfarë keni nevojë: Tone në ngjyrë të errët dhe lapsa të butë në ngjyrat që përmenden më lart.

Këshilla
• Preferoni tone në formë kremi të cilat përhapen më lehtë dhe krijojnë njëtrajtshmëri në qepalla.
• Mos harroni të realizoni vijëzim të syve me anën e një lapsi të butë dhe në vazhdim i "fshini" lehtë vijëzimet me gisht.
• Mund të kombinoni dy tone të të njëjtës familje ngjyrash për te patur rezul¬tat më të mirë.

PAMJE NATYRALE
Një pjesë e specialistëve të makijazhit propozojnë për këtë sezon të ri lëkurë të tejdukshme dhe shkëlqyese me karakteristikë kryesore paraqitjen e një gjendjeje të mirë të saj. Në këtë "mision" marrin pjesë produkte kozmetike në formë të lëngshme, ngjyra natyrale, shumë pranë asaj të lëkurës, pudra në ngjyra të tejdukshme në formë pluhuri dhe të kuq që theksojnë buzët.

Për çfarë keni nevojë: make-up në formë kremi për mbulimin e fytyrës, ton faqesh në formë të lëngshme, pudër si dhe një të kuq buzësh në ngjyrën natyrale te tyre.

Këshilla
• Përhapni make-up-in në të gjithë fytyrën, duke përdorur një sfungjer. Përpiquni të krijoni një shtresë sa më të hollë e cila të jetë përhapur në mënyrë të njëtrajtshme.
• Vendosni pak ton faqesh në vendet ku do të merrnit ngjyrë nëse do të dilnit disa orë në diell.
• Përfundoni këtë proces duke kaluar një shtresë pudre në formë pluhuri në të gjithë sipërfaqen e fytyrës.
• Lyeni buzët me të kuqin në ngjyrën e tyre natyrale dhe bashkoni buzët me qëllim që ato të lyhen më mirë.