LAJMI I FUNDIT:

Dhuratat me dashuri

Dhuratat me dashuri

Kush nuk i do dhuratat! Dhurata është shprehje e kujdesit, respektit dhe dashurisë. Andaj dhurata çdokënd e gëzon. Viti i Ri është çasti më i mirë që të gëzoni dikë që e doni. Deri tani keni pasur dëshirë disa herë t'i dhuroni diç ndokujt, por ka pasur edhe shumë arsye që nuk keni mundur ta bëni këtë. Festa është çasti të cilin duhet ta shfrytëzoni.

Si duhet të sillemi me rastin e pranimit të dhuratës?

Dhuratën duhet hapur menjëherë, duhet treguar të tjerëve, mirëpo në mënyrë të paimponueshme, duhet treguar shenja gëzimi edhe po qe se dhurata është e rëndomtë, e lirë…


Çfarë duhet dhuruar? Çdo gjë mund të jetë dhuratë, pos luleve. Lulet janë obligim, kujdes i cili shkon bashkë me dhuratën. Lulet dhurohen të papaketuara dhe menjëherë vendosen në vazo. Kurrë nuk dhurohen lule në numër çift. Çdo dhuratë duhet të jetë e paketuar me kujdes, pa marrë parasysh vlerën e saj. Më mirë është në qoftë se dini se çfarë e gëzon më së shumti personin të cilit i jepni dhuratën. Mirëpo edhe me dhurata nuk duhet tepruar, për arsye se dhurata në njëfarë mënyre edhe obligon. Mendoni edhe për këtë.

Imtësi të rëndësishme

* Pritja e Vitit të ri gjithsesi është ngjarje e madhe. Mirëpo, sipas rregullit, e përcjellin disa dilema dhe pyetje të pashmangshme, për të cilët ndoshta edhe vetë nuk mund t’i zgjidhësh.

Dhurata duhet të jetë e tillë që të mos ju rëndojë, përkatësisht, personi që e pranon të mos ndihet pakëndshëm. Femra, sipas rregullit, nuk duhet t’i dhurojë mashkullit gjëra me vlerë. Përveç kësaj, ajo nuk guxon që e para të ndërmarrë iniciativën për dhuratë. Përjashtim bëjnë vetëm çiftet bashkëshortore. Sidoqoftë, femra zakonisht kthen dhuratën, por jo me vlerë të njëjtë, por si shenjë respekti dhe miqësie.

Kur dhuroni ndonjë libër, së pari ose duhet ta keni të lexuar atë libër ose ta pyetni për këshillë personin kompetent. Në libër nganjëherë mund të shkruani edhe dedikimin, mirëpo kjo zakonisht bëhet me kërkesën e personit që e merr dhuratën. Sigurisht që nuk do ta shkruani dedikimin në tekstet shkollore nga të cilat mësohet, ose në ndonjë doracak, i cili shfrytëzohet në punë, e të cilin ndoshta mund ta përdorin edhe shokët e shoqet tuaja… Autori i librit, kur dhuron, zakonisht nënshkruhet, sepse ajo rrit vlerën e librit, sidomos në qoftë se autori është i njohur.

Kur dhuroni ndonjë fotografi artistike, duhet mjeshtërisht të njihni shijen dhe stilin e atij që i dhurohet. Me fjalë të tjera, rendi është që ajo fotografi së paku të vendoset në mur kur dhuruesi vjen në vizitë, edhe nëse nuk i përshtatet enterierit të dhomës. Për këtë shkak, përderisa nuk jeni të sigurt në zgjedhjen tuaj, ikni prej dhuratave të tilla.

Gjithashtu, eliminoni shprehinë shpeshherë që në vend të dhuratës të jepni para. Edhe pse kjo ndoshta është praktikë, shumë më bukur është që të dhurohet diçka e bukur dhe me vlerë, që marrësi t’ju kujtojë juve, sepse dhurata është shenjë respekti, dashurie dhe falënderimi, e jo shërbimi që duhet paguar me para.

Dhuratën dorëzojeni personalisht, mos e lini anash, në ndonjë vend diskret. Ndërsa kur ju pranoni dhuratën përzemërsisht falënderojeni, menjëherë hapeni, lavdërojeni dhe mos komentoni nëse nuk ju pëlqen. Gjithashtu kurrë mos i thoni dhuruesit: "Faleminderit, nuk ka pasur nevojë" ose "Nuk është dashtë kaq të shpenzoni"! Në këtë rast më mirë është të heshtni, sepse nuk është e hijshme të thuhet ashtu.

Dhurata nuk guxon të refuzohet, sepse kjo është ofenduese për dhuruesin. I vetmi rast kur duhet të refuzoni dhuratën është kur ajo jepet me karakter korruptues.