LAJMI I FUNDIT:

Festivalet kulturore nuk përkrahen sa duhet nga komunat

Festivalet kulturore nuk përkrahen sa duhet nga komunat

Komunat duhet të bëjnë më shumë për t’i përkrahur festivalet kulturore të Kosovës, pasi që ato tash e sa vite nuk e kanë përkrahjen e duhur nga institucionet. Kështu u tha në një diskutim të organizuar me temë “Festivali dhe Qyteti”, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Studentëve për Film dhe Teatër SKENA UP.

Në këtë debat u ngritën shumë probleme që po i hasin festivalet dhe se komunat e Kosovës nuk e dinë se sa fitimprurës janë këto festivale.

Drejtoresha e “ChopinFest”, Besa Luzha, ka thënë se përkrahja e komunës së Prishtinës nuk është e mohueshme, por që sipas saj, atyre ju duhet më shumë përkrahje në aspektin e infrastrukturës pasi që ata po përballen me shumë pengesa serioze.

Ndërsa Eroll Bilibani, nga DokuFest, është shprehur se Komuna e Prizrenit injoron jo vetëm DokuFestin por edhe aktiviteteve të tjera të cilat bëhen në Prizren.


Drejtori i “JazzFestival”, Ilir Bajra, ka deklaruar se kohëve të fundit po vërehet një interesim më i madh i komunës së Prishtinës, por sipas tij, ajo çfarë u duhet më shumë atyre nuk janë mjetet financiare, por përkrahja në mënyra tjera dhe krijimi i hapësirave.

E drejtoresha e festivalit “Skena Up”, Hana Qena, ka thënë se ata gjithmonë e kanë pasur përkrahjen e Komunës, por ajo që është shumë shqetësuese për të, është mosinteresimi i studentëve të fakultetit të arteve për këtë festival që, sipas saj, është shumë i rëndësishëm për ta.

Qena, po ashtu tha se në krahasim me edicionet e tjera, në këtë vit ka pasur interesim më të madh të qytetarëve.

Në këtë takim ishte i ftuar edhe Shpend Ahmeti, i cili nuk ishte i pranishëm për shkak se ndodhej në një udhëtim.

Përndryshe, sot (e diel) bëhet ceremonia përmbyllëse e edicionit të 12-të të “Skena Up”, ku edhe do të ndahen çmimet për fituesit e këtij festivali. /KP/Telegrafi/