LAJMI I FUNDIT:

Hapet Ekspozita e Fondit të GAK

Hapet Ekspozita e Fondit të GAK

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lirije Kajtazi, hapi Ekspozitën e Fondit të Galerisë së Arteve të Kosovës, me të cilën filluan aktivitetet kulturore për shënimin e dyvjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në këtë ekspozitë janë ekspozuar 126 vepra të autorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, si piktura, skulptura, grafika e tapiceri.

Në fjalën e saj të rastit, Kajtazi tha se Galeria e Arteve të Kosovës, gjatë tri dekadave të punës së saj, ka arritur të grumbullojë një numër të madh të veprave artistike të autorëve vendorë e ndërkombëtarë, të cilat, përmes formave, ngjyrave dhe nuancave të ndryshme, arrijnë të përcjellin te publiku emocion dhe ndjesi të veçantë.

Më tutje, zëvendësministrja tha se ky fond i këtyre veprave është një pasuri e madhe artistike dhe një trashëgimi e veçantë kulturore për vendin tonë, duke shtuar se, në këtë kontekst, MKRS është e angazhuar në gjetjen e një lokacioni të përshtatshëm për ndërtimin e Muzeut të Arteve Bashkëkohore, në të cilin do të mund të ekspozoheshin veprat e këtij fondi me vlera të jashtëzakonshme. /Telegrafi/