LAJMI I FUNDIT:

Mbrëmja promovuese të Shoqatës “Shtëpia Shqiptare” në Paris

Mbrëmja promovuese të Shoqatës “Shtëpia Shqiptare” në Paris

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri, mori pjesë në mbrëmjen promovuese të Shoqatës “Shtëpia Shqiptare”, e cila u themelua në Paris nga një grup artistësh dhe afaristësh shqiptarë, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Francë.

Në fjalën e tij të rastit, ministri Beqiri tha se, përmes themelimit të Shoqatës “Shtëpia Shqiptare” në prag të kremtimit të dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës, shqiptarët kanë fituar një dhuratë shumë të vlefshme, një shtëpi të artit e të kulturës shqiptare, përmes të cilës, tash e tutje, do të mund t’i paraqesim dhe promovojmë vlerat e veçanta të kulturës sonë kombëtare në një vend mik siç është Franca.

Beqiri vlerësoi edhe angazhimin bamirës të kësaj shoqate, e cila, përveç programit artistik, në këtë mbrëmje promovuese ishte angazhuar edhe për mbledhjen e fondeve dedikuar “SOS – fshatit të fëmijëve”.

Në këtë ngjarje me karakter promovues, krahas artistëve dhe personalitete artistike shqiptare e franceze, ishin të pranishëm edhe Muhamedin Kullashi, ambasador i Kosovës në Francë, Ylljet Aliçkaj, ambasador i Shqipërisë në Francë, Xhevat Halili, Sekretar i Parë i Ambasadës së Maqedonisë në Francë, të cilët iu drejtuan të pranishmëve me nga një fjalë përshëndetëse. /Telegrafi/