LAJMI I FUNDIT:

“Out of Love”, filmi më i mirë i shkurtër në Roterdam

“Out of Love”, filmi më i mirë i shkurtër në Roterdam

Pak ditë më parë, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për filmat fitues të edicionit të 39-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Roterdam të Holandës, në kategorinë e filmave të shkurtër evropianë u shpërblye filmi “Out of Love” i Brigitte Staermose.

Premiera e filmit u shfaq në fund të vitit 2009, në Festivalin e filmit Dokumentar në Danimarkë, “Copehagen DOX”. Filmi shfaqet edhe në festivalin ndërkombëtar të filmit, në Berlinale ku njëjtë si në Kopenhagë dhe në Roterdam, do të garojë në kategorinë për Filmat Dokumentarë të Shkurtër.

Ideja për këtë film i vjen regjisores në një nga vizitat e saj në Kosovë gjatë Dokufestit, në vitin 2006. Në vitin 2007 ajo rikthehet në Kosovë për të biseduar me disa fëmijë të rrugës, mes të cilëve në film intervistohen 11 fëmijë.

Është e rëndësishme të theksohet se një pjesë mjaft e madhe e ekipit realizues të filmit është nga Kosova: Kaltrina Krasniqi-asistente e regjisë, Gazmend Bajri-asistent kamere, Pëllumb Ballata-ton dhe Veton Nurkollari në kasting.


Filmi 30 minutësh "Out of Love", është dokumentari i parë i regjisores së filmit artistik Brigitte Staermose, fituese e shumëfishtë e çmimeve ndërkombëtare për film. Filmi flet për jetët e fëmijëve të rrugës në Prishtinë të cilët bredhin nëpër restorantet dhe lokalet me atmosferë luksoze dhe i recitojnë monolegjet e jetëve të tyre dhe të sfidave me të cilat ata ballafaqohen.

“Nuk doja që filmi të flasë për situatat personale të fëmijëve dhe mbi të gjitha nuk doja që të ndjeheshim keq për këta fëmijë. Ky film është një proces i gjetjes së rrugës përmes së cilës do të shmangeshim nga ndjenja e mëshirës për ta. Keqardhja është një mënyrë e lidhjes me ta-është mënyrë e mbrojtjes së vetvetes. Natyrisht, unë ndjehem keq për ta sepse ata janë viktima., por qëllimi i filmit tim nuk është ky. Unë doja që filmi të merrej me aspektet humane të asaj që po ndodh brenda këtyre fëmijëve”, thotë regjisorja. /Telegrafi/