LAJMI I FUNDIT:

Në Sarandë është zbuluar një anije e shekullit III

Në Sarandë është zbuluar një anije e shekullit III

Thonë se ajo është më e bukura e zbuluar në zonën përreth. Arkeologët janë tepër entuziastë, edhe pse e kanë të vështirë të japin përfundime të sakta. Ajo fle thellë në ujërat e pastra të Jonit, duke fshehur brenda vetes sekrete të së shkuarës.

Ekspedita shqiptaro-amerikane e arkeologjisë nënujore filloi sezonin e ri të kërkimeve në ujërat shqiptare me një zbulim spektakolar. Një anije e shek. III ose IV pas Krishtit, është gjetur nga ekipi i kësaj ekspedite në ujërat e Jonit, në veri të Sarandës.

Zbulimi është bërë dy ditë më parë dhe ende nuk mund të jepen detaje mbi objektin. Sipas koordinatorit të këtij projekti madhor, Auron Tare, objekti arkeologjik është i ruajtur mjaft mirë dhe është i përbërë nga amfora të mëdha, që mendohen se vinë nga Afrika Veriore. “Arkeologët mendojnë se është ndoshta nga më të bukurit dhe nga më të ruajturit, të gjetur ndonjëherë në ujërat e Mesdheut”, – thotë Tare.

Mbas gërmimeve që do të bëhen në të ardhmen, në këtë relikt, i cili mendohet se i përket fundit të periudhës romake dhe fillimit të Bizantit pritet të dalin në dritë, të tjera të dhëna të rëndësishme, që do të bëjnë edhe më të qarta kontaktet e banorëve të Ilirisë së Jugut me kulturat e Mesdheut.


Zbulimi i kësaj anijeje është i shtati në listën e zbulimeve të rëndësishme, të kryera nga kjo ekspeditë e përbashkët, e cila ka filluar 3 vite më parë, si bashkëpunim i Fondacionit amerikan RPM Nautical Foundation dhe Degës së Arkeologjisë Navale të Institutit të Arkeologjisë Shqiptare, me bashkëdrejtor Dr.Jeff Royal nga pala amerikane dhe Dr. Adrian Anastasi nga pala shqiptare.

Përgjatë stinës së nxehtë në vitet 2007-2008, një anije me specialistë shqiptarë e amerikanë kanë “krehur” ujërat e jugut të Shqipërisë, centimetër për centimetër, duke përdorur ekipe skanografie, robotë nënujorë, për të kërkuar të pasuritë nënujore. Sipas organizatorëve, ky është kërkimi i parë arkeologjik nënujor, që ndër të tjera synon të zbardhë teknikën e ndërtimit të anijeve në kohërat antike.

Projekti nuk mund të imagjinohej 18 vjet më parë, kur vendi i vogël ballkanik, vazhdonte të ishte në regjimin komunist dhe i shkëputur me botën e jashtme.

“Me atë çka ne kemi zbuluar deri tani, mund të themi se Shqipëria është barabar me Italinë dhe Greqinë”, – thonë specialistët.

Ekspeditat kanë zbuluar gjurmë të 4 anije të mbytura greke, që datojnë në shek. VI-III para Krishtit, ndërkohë që tri vendndodhje të tjera po verifikohen. Për specialistët, këto zbulime janë vërtetë shumë të rëndësishme, për shkak të pamjaftueshmërisë së objekteve që dokumentojnë atë periudhë.

Mësohet se kjo ekspeditë po kryen gjithashtu matje të hollësishme të fundit të detit, duke ndërtuar për herë të parë hartat e pasurive nënujore të deteve shqiptare, duke dhënë mundësinë e identifikimit të kësaj pasurie arkeologjike.

Sipas ekspertëve të huaj, të arkeologjisë navale, teknologjia e lartë “multibeam” dhe përdorimi i robotëve në thellësi të mëdha, nga kjo ekspeditë, shoqëruar me rezultate mjaft të mira, e radhit atë në një prej tre ekspeditave më të rëndësishme në Mesdhe. Këtë e vërteton në një farë mënyre edhe vëmendja që mediat amerikane dhe ajo botërore i kanë kushtuar kësaj ekspedite, e cila me zbulimet e saj po hap një kapitull të ri në fushën e zbulimeve të arkeologjisë nënujore.

Ekspedita shqiptaro-amerikane do të bashkëpunojë për herë të parë edhe me arkeologë malazezë, duke kryer kërkime në ujërat e Malit të Zi, duke mbledhur kështu rreth vetes një numër të madh specialistësh, të cilët do të krehin gjithë bazamentin e bregdetit iliro-dalmat. /Panorama/

Në trend Kultura

Më shumë
3 mars 1878: Traktati i Shën Stefanit dhe copëtimi i trojeve shqiptare

3 mars 1878: Traktati i Shën Stefanit dhe copëtimi i trojeve shqiptare

“Zhanret e gazetarisë”, libri i ri për praktikën dhe teorinë e shkrimit gazetar

“Zhanret e gazetarisë”, libri i ri për praktikën dhe teorinë e shkrimit gazetar

Shqiptari në Maltë

Shqiptari në Maltë

Shqipëria merr 350 mijë dokumente të periudhës osmane

Shqipëria merr 350 mijë dokumente të periudhës osmane

Kryeveprat e vjedhura nga nazistët

Kryeveprat e vjedhura nga nazistët

Piktura të rralla të shqiptarëve ndër shekuj (Foto)

Piktura të rralla të shqiptarëve ndër shekuj (Foto)

Kalo në kategori