LAJMI I FUNDIT:

Festa e Frankofonisë në kryeqytet

Festa e Frankofonisë në kryeqytet

Nga e hëna e deri më 5 prill, Prishtina do të jetë nikoqire e manifestimit kulturor "Festa Ndërkombëtare e Frankofonisë", e cila organizohet në pesë kontinente.

Organizatorët në një konferencë për media, të mbajtur ditë më parë në Qendrën Kulturore Franceze, kanë dhënë detaje rreth gjithë asaj që do ta karakterizojë këtë edicion dhe gjithashtu kanë folur për faktin se sa i rëndësishëm është ky manifestim për Kosovën.

“Kosova tashmë është shënuar në hartën e vendeve të përfshira në këtë ngjarje, vende në të cilat flitet gjuha franceze. Kjo festë bashkon rreth 200 milionë frëngjishtfolës. Është një takim kulturor shumë i rëndësishëm për Kosovën tani e disa vjet”, ka thënë ambasadorja franceze në Prishtinë, Delphine Borione.

Ajo ka shtuar se “Përmes këtij organizimi kemi disa qëllime – t’i dhurojmë publikut kosovar vlera kulturore, të tregojmë shumëllojshmërinë e kulturës franceze, si dhe të tregojmë se gjuha franceze është gjuhë ndërkombëtare dhe diplomatike e po ashtu edhe njëra prej gjuhëve kryesore të biznesit”.


Në kuadër të “Festës Ndërkombëtare të Frankofonisë” do të mbahen aktivitete të ndryshme nga muzika, letërsia, teatri dhe kinemaja.

Ngjarjet do të mbahen në ambiente të ndryshme, si: në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, në kinemanë ABC, në Teatrin Kombëtar, etj.

“Festa Ndërkombëtare e Frankofonisë” përmbyllet më 5 prill me shfaqjen muzikore të dyshes franceze “DUEL”, që njëherësh do të përmbyll edhe edicionin e katërt të festivalit Ndërkombëtar të Muziktarëve të Rinj DAM 2009. /ktv/