LAJMI I FUNDIT:

U dorëzuan çmimet “Azem Shkreli”

U dorëzuan çmimet “Azem Shkreli”

Në Ministrinë e Kulturës të martën solemnisht u dorëzua çmimi kombëtar "Azem Shkreli", që jepet për veprën më të mirë të botuar brenda një viti dhe për vepër jetësore.

Poetit të mirënjohur Ali Podrimja iu dha çmimi për vepër jetësore, ndërkaq për vepër më të mirë të botuar brenda një viti këtë çmim e mori Nysret Krasniqi për veprën "Udha kratilike".

Duke ua dorëzuar laureatëve çmimet ministri i Kulturës Valton Beqiri tha se këtë çmim ministria e ndan me qëllim të ndihmës dhe ngritjes së cilësisë në letërsinë tonë, kurse çmimi jepet në ditëlindjen e krijuesit të shquar Azem Shkreli.

Juria e çmimit kombëtar "Azem Shkreli", në përbërje Jusuf Buxhovi, kryetar, Arif Demolli dhe Avdi Visoka, anëtarë, në motivacionin për dhënien e çmimit për vepër jetësore thekson se Ali Podrimja është zëri më i veçantë, më me ndikim në poezinë tonë të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar dhe të këtij fillim shekulli. /qik/