LAJMI I FUNDIT:

“Gjakova 726” pëlqehet në Roterdam

“Gjakova 726” pëlqehet në Roterdam

Filmi kosovar "Gjakova 726" është shfaqur si premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Roterdam, duke u mirëpritur nga publiku holandez.

Dy pjesëtarë të ekipit, producenti Armond Morina dhe njëri nga regjisorët Artan Korenica, ishin të pranishëm gjatë prezantimit të filmit i cili premierën interne e pati në maj të vitit 2008 në Gjakovë.

Përveç se përfaqësoi Kosovën në këtë festival prestigjioz një sukses tjetër i këtij prezantimi është edhe fakti se ishte i vetmi film nga rajoni që ka kaluar kualifikimin për t’u bërë pjesë e kësaj ngjarjeje.

Korenica dhe Morina të entuziazmuar me pritjen që i është bërë filmit përmes telefonit për "Express Live" kanë deklaruar se publiku ishte i befasuar pasi që të pranishmit tregonin se shumë gjëra të prezantuara në film ishin informata të reja për ta, meqë nuk kishin dëgjuar më herët për to.


Filmi artistik i metrazhit të shkurtër "Gjakova 726" trajton temën e personave të pagjetur në Komunën e Gjakovës. Ieja për prezantimin e fatit të personave të pagjetur përmes filmit ka qenë e bashkëregjisorëve Blerta Basholli dhe Artan Korenica. /ktv/