LAJMI I FUNDIT:

Atlasi i dialekteve

Atlasi i dialekteve

Pas 20 vjetësh rikthehet në Shqipëri “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”. Ndërsa kopjet e para të kësaj vepre udhëtonin drejt Tiranës, pas zhdoganimit në Portin e Durrësit si çdo mall tjetër, në ambientet e Akademisë së Shkencave u bë prezantimi i këtij botimi, fillesat e të cilit janë qysh në vitin 1975.

Aso kohe edhe gjuhëtarët që punonin për të ishin më të rinj e sot i kanë mbuluar thinjat. Gjuhëtari Jorgji Gjinari, ka ndjekur 15 vjet punimet për hartimin e atlasit e 18-19 vjet të tjera për ta parë atë të dalë në dritë. Bashkë me të, për realizimin e këtij atlasi kanë punuar gjuhëtarët Bahri Beci, Gjovalin Shkurtaj dhe Xheladin Gosturani.

“Është një atlas i përgjithshëm, jo krahinor, por që përfshin gjithë shtrirjen e shqiptarëve. Është gjuhësor dhe jo etnografik”, shpjegon Gjinari. Sipas tij, ky atlas është i domosdoshëm për të kuptuar zhvillimin e gjuhës shqipe.

“Na shërben për njohjen e dialekteve në momentin kur është hartuar atlasi, në vitet ’80-’90. Është i rëndësishëm për historinë e gjuhës shqipe, për gjuhën letrare, për marrëdhënien e gjuhës letrare me dialektet pas formimit të saj, për pasurimin e saj”, thekson gjuhëtari.


Atlasi ka 644 harta dhe mbi 400 faqe tekst, ku shpjegohen të gjitha këto procese, që ka kaluar gjuha shqipe. Atlasi ndahet në dy vëllime. Në vëllimin e parë janë grupuar hartat e fonetikës, morfologjisë dhe sintaksës, ndërsa në të dytin ato të leksikut, pra ato dialektore. Atlasi është i shoqëruar me një shumësi fjalësh.

“Nuk janë të gjitha fjalët, sepse në një atlas nuk mund të përfshihen shumë syresh, por u zgjodhën ato fjalë, që u panë si më përfaqësuese, kryesore për të parë dallimin në leksik”, thotë Gjinari.

Edhe pse janë tepër të specializuara dhe i shërbejnë më së shumti gjuhëtarëve, hartat tregojnë dhe avancimin e gjuhës letrare e tërheqjen e dialekteve, në periudha të ndryshme. Kur e pyet se ku reflektohet më së shumti rrudhja e dialektit, Jorgji Gjinari thotë se janë shtresa të shoqërisë, që reflektojnë më shumë ndryshimin në dialekt.

“Janë të rinjtë, shkollarët, nëpunësit, të gjithë ata që zotërojnë shkrimin. Ata marrin nga gjuha letrare dhe dalëngadalë e lënë mënjanë dialektin. Por dialekti nuk mund të zhduket, sepse duhet të kemi parasysh moshën e tretë, e cila nuk flet në gjuhën letrare, ata e ruajnë, pastaj është edhe tradita që ndikon. Edhe një i shkolluar pavarësisht se flet në gjuhën letrare, kur shkon në shtëpi, apo në fshat flet patjetër në dialekt. Por dalëngadalë vjen duke u rrudhur shtrirja e dialektit dhe shtrihet gjuha letrare”, thotë ai.

Edhe pse nuk përfshihet në këtë botim, gjuhëtari thotë se shtrirja e gjuhës letrare vihet re më shumë në jug, në dialektin toskë. “Sepse ata janë më pranë gjuhës letrare, kurse veriu e ka më të vështirë, pasi duhet të kalojnë në përdorimin e një gjuhe, që nuk ka për bazë dialektin e tyre”.

Gjinari thotë se edhe pse ideja për të realizuar një atlas është e hershme, puna për të ka nisur nga viti 1975 deri në vitin 1990. Ideja për hartimin e një atlasi të tillë është hedhur për herë të parë në vitet ’30-’40 të shekullit të kaluar nga prof. Eqrem Çabej. Ai e mendoi i pari domosdoshmërinë e një atlasi dialektologjik të gjuhës shqipe, madje hartoi që atëherë edhe një pyetësor të gjerë për këtë punë.

Më tej, ideja ka vijuar me punën e prof. Mahir Domit dhe të gjuhëtarëve të tjerë, që kanë kontribuar për plotësimin e Atlasit me materialet, studimet dhe hulumtimet e kryera ndër vite. Atlasi përfshin të folurën në territorin e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Preshevës, Çamërisë në Greqi, të diasporës arbëreshe në Dalmaci, Itali, etj.

Materiali dialektor u mblodh me anë të anketimit. Përveç anketimit në terren janë shfrytëzuar studime të bëra deri në atë kohë mbi dialektet brenda e jashtë Shqipërisë. I gjithë ky material iu nënshtrua më pas përpunimit, për të qenë gati për botim në vitin 1990.

“Na u desh një kohë shumë e gjatë për ta botuar. Ishte kalimi nga një sistem në tjetrin dhe patëm vështirësi për gjetjen e fondeve. E mori përsipër Universiteti i Napolit dhe materiali shkoi atje në vitin 1994”, vazhdon Gjinari. Sipas tij edhe në Itali u ndeshën probleme fondesh, të cilat e shtynë ca më tej datën e botimit. Megjithatë, sipas tij “pa ndihmën e tyre rrezikonte, që atlasi të mbulohej nga pluhuri e të ikte kot gjithë ajo punë. Ata e bënë atlasin të flasë”.

Botimi i këtij atlasi mësohet të ketë kushtuar rreth 6 milionë lekë. “Atlasi Dialektologjik i Gjuhës Shqipe” është vepër e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave dhe u botua nga Departamenti i Studimeve të Evropës Lindore të Universitetit të Napolit “L’Orientale”.

Mbërritja më së fundi në Tiranë e këtij botimi shihet si një ngjarje shumë e rëndësishme për Albanologjinë. Këtë fakt e përmendi kryetari aktual i Akademisë së Shkencave, Teki Biçoku, por më së shumti përmes recensave të mbajtura dje gjatë prezantimit të atlasit nga gjuhëtarë e studiues si Jani Thomai, Bernard Leka, Mehmet Çeliku. Sipas tyre, kjo është mënyra më e mirë “për të dokumentuar të folmen e shqiptarëve dhe dukuritë gjuhësore të shqipes”. /panorama/

Në trend Kultura

Më shumë
Shqipëria merr 350 mijë dokumente të periudhës osmane

Shqipëria merr 350 mijë dokumente të periudhës osmane

A mundet roboti të rikrijojë atmosferën e kryeveprës së Leonardo da Vincit?

A mundet roboti të rikrijojë atmosferën e kryeveprës së Leonardo da Vincit?

Who is Who

Who is Who

Ku guri bëhet akoma më i gurtë

Ku guri bëhet akoma më i gurtë

KËNGË

KËNGË

Poezi
Reportazh nga rajoni i Vlorës

Reportazh nga rajoni i Vlorës

Kalo në kategori