LAJMI I FUNDIT:

“Mashtruesit”, temë reale kosovare

“Mashtruesit”, temë reale kosovare

Pasi është shpërblyer me çmimin special në Festivalin e filmave në Tiranë, filmi i metrazhit të shkurtër "Mashtruesit", me skenar të Selatin Ademit dhe Agim Apollonit, e në regji të Dalmat Dobrës, të premten mbrëma, u shfaq premierë para publikut Kosovar në kino studio në Prishtinë.

Nga Ilir Muharremi

Skenaristi i filmit Ademi, kishte ftuar të gjithë mediat, por pak prej tyre ishin të pranishëm. Në natën e premierës, para se të fillonte filmi, unë isha ulur në një skaj me skenaristin Ademi. Disi si çuditshëm më tha: “I kam ftuar të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike, po ashtu edhe ministrinë e kulturës dhe kryetarin e komunës, kryeministrinë, por asnjëri nuk paska ardhur, nuk e dijë arsyjen pse”.

Prapa syve të tij, vërejta se, nuk i kishte ardhur fare mirë për mos praninë e figurave ta shquara, e arsyeja sipas skenaristit Ademi ekziston se titulli “mashtruesit” nuk i ka tërhequr të vijnë, se në vendin tonë ekziston një realitet i tillë i cili nuk mund të luftohet nga asnjë institucion në Kosovë, ky është një realitet i cili vazhdon të trashëgohet.


Ky njëherësh është edhe filmi i parë në të cilin ka punuar skenarin Ademi. Filmi trajton një temë reale në Kosovë, që pak skenaristë thuajse hiç nuk e kanë prekur, kurse ekziston dukshëm në mesin tonë. Dy gangster kërkojnë nga fëmijët që ata ta shtrijnë dorën nëpër rrugët e Prishtinës, që këtyre t’iu sigurojnë shumë të majme parash.

Aktori Arben Bajgora, i cili luan njërin prej gangsterëve, për mrekullisht ka arritur të futet në botën e vështirë mafioze. Gjatë filmit, Bajgora po të analizohet thellë, jep imazhin e një mashtruesi bindës të cilit asgjë nuk i bëhet vonë. I pa mëshirshëm ndaj botës engjëllore të fëmijëve, ai me kolegun e tij, gjatë tërë filmit, me një sinqeritet i bind fëmijët e pafajshëm që ata ta shtrijnë dorën, gjë të cilën edhe e arrijnë.

Por, në jetën normale Bajgora është një person krejtësisht tjetër, dhe të futesh në një botë të tillë kërkohet sinqeritet ndaj vetës, korrektësi me vetën dhe besim të plotë në atë që bënë. Shumë aktorë e kanë të vështirë ta përshtatin personazhin e vdekur në vetën e tyre, përse po them të vdekur?

Çdo personazh para se të inskenohet pothuajse është i vdekur, aktori është ai i cili ia jap shpirtin dhe hulumton kodin e tij. Personazhi i shkruar është vetëm përjetim individual, kurse aktori e bënë kolektiv, e këtë gjë në mënyrë profesionale Bajgora e kishte arritur.

Ndërsa, aktori Ademi i cili luan rolin e një burri që jeton me një grua dhe një fëmijë të vogël të mashtruar nga banda kriminale, na jep imazhin e një burri të urtë, por që ja pret mendja për çdo gjë. Ai këtë e dëshmon në momentin kur fillon ta përcjellë djalin e tij, i cili është nisur në vendin e kriminelëve për t’u sjellë paratë.

Biografitë e personazheve janë ndërtuar mirë, gjatë filmit ka skena të mrekullueshme edhe pse janë realizuar me një teknikë të dobët, kanë arritur të futën në psikologjinë e njeriut. Çdo skenë, në vete kishte një estetikë të veçantë, mirëpo ekzistonin disa probleme të vogla të cilat zërin e përcjellin me një shushurimë, por kjo nuk paraqiste ndonjë pengesë.

Ky ekip i shfaqjes na ka bindur se me një teknikë të tillë, njeriu mund të bëjë një mrekulli të vërtetë, atëherë nga kjo del se paraja nuk e bënë artin, por dashuria, sinqeriteti dhe ekstaza e tepruar ndaj këtij profesioni. Kuadrot ishin të krijuara mirë dhe jo të vrazhda për syrin tonë.

Ndërkaq, montazhi ishte në nivel të mirë artistik. Skenografia natyraliste përshtatej bukur me temën e filmit, dhe në asnjë moment nuk ishte e tepërt apo e mangët, por gjithnjë e mjaftueshme dhe e mrekullueshme.
Andaj i uroj sukses këtij ekipi dhe dëshiroj që gjithnjë të trajtojnë tema sa më reale kosovare, e jo sikur shume skenaristë, apo regjisorë që prekin tema abstrakte që nuk i përshtaten realitetit tonë.