LAJMI I FUNDIT:

Hiti i kësaj vere

Hiti i kësaj vere

Skena muzikore kosovare gjatë këtij sezoni veror ka qenë mjaft aktive. Albume, këngë e videoklipe të shumta janë realizuar nga këngëtarë të ndryshëm. Gjithashtu kanë qenë të shumta edhe duetet.

Në emisionin e KTV, “Express Live Summer”, më e kërkuara nga mesazhet telefonike ishte kënga “Kalle sonte” nga hip-hop grupi kosovar Tingulli 3’NT. Kënga është pjesë e albumit të ri të grupit të titulluar “Pika për vesh”, i edituar gjatë këtij sezoni veror.

Një këngë tjetër mjaft e kërkuar ka qenë edhe kënga “Vetes”, e këngëtares nga Shqipëria, Elvana Gjata. “Vetes” një krijim i kantautorit nga Shqipëria, Florian Mumajesi, është cilësuar si një këngë tipike verore. Këtë këngë Elvana e pati promovuar fillimisht në Prishtinë.

Jo pak të kërkuara kanë qenë këngët “Wu qa po shoh” nga Skillz dhe “Classic” nga DJ Blunt&Mc Kresha&Real 1. Tekstin e këngës “Wo qa po shoh” e kanë shkruar dy anëtarët e grupit, Ledri dhe Visari, muzikën e ka punuar Bardh Latifi, ndërsa është orkestruar incizuar dhe miksuar në studion e Traklës në “Baba Records”. “Wo qa po shoh” ka mbetur vetëm si singëll, ngase grupi nuk ka realizuar ndonjë album të ri gjatë kësaj periudhe kohore.


Ndërsa, singëlli “Classic” është përfshirë në albumin e fundit të DJ Blunt me të njëjtin emër “DJ BLUNT”. Që të dy këngët gjithashtu janë transmetuar dhe vazhdojnë të transmetohen mjaft shumë nëpër media elektronike. Krahas këngës “Classic”, DJ Blunt së fundi është prezantuar në bashkëpunim me Tingullin e 3’NT në këngën “A po do kesh”, këngë kjo e përfshirë në albumet e fundit të Tingulli 3’NT dhe DJ Blunt-it.

Një tjetër këngë, e kërkuar jashtëzakonisht shumë përmes sms-ve ka qenë “Pa fat”, një bashkëpunim ndërmjet këngëtares Nora Istrefi dhe këngëtarit Sinan Vllasaliu. Në një intervistë dhënë për “Express Live Summer” lidhur me këtë projekt dyshja Istrefi&Vllasaliu patën deklaruar se janë të kënaqur meqë kanë arritur të bëjnë një hit-këngë, e cila mbi të gjitha ka vlera.

Sa i përket këngëtares Nora Istrefi, ajo nuk mbetet me kaq. Kërkesat e shumta nga adhuruesit e saj bënë që edhe kënga tjetër e saj e realizuar gjatë verës, “Another world”, të hyjë në mesin e këngëve më të kërkuara. Sikur “Pa fat” ashtu edhe kënga “Another world” janë pjesë e albumit të fundit të këngëtares që është hedhur në shitje gjatë muajve të nxehtë të kësaj vere.

“T’i prit edhe pak” interpretuar nga Ermal Fejzullahu dhe “Kam mall”, një bashkëpunim ndërmjet Bleros dhe grupit K-OS ishin ndër këngët më të kërkuara gjatë verës. Por, nuk kanë munguar edhe kërkesa të tjera muzikore, të cilat janë kërkuar kohë pas kohe, si: kënga “Inati”, “Larg dhe afër”, “Njëherë në vit”, “Ik kur të lë unë”, “Ëndërroj”, “Le për mu mama”, “Falet kjo zemër”, “Buzën mbi buzë” si dhe hiti i dikurshëm i këngëtares nga Shqipëria, Soni Malaj, “Të dua ty” etj. /ktv/telegrafi/