LAJMI I FUNDIT:

AAK-ja duhet ta bojkotojë RTK-në

Në formulimin më të thjeshtë, opozitë quhet partia ose partitë që nuk e kanë shumicën e votave në Parlamentin e Kosovës, pra, nuk kanë përfaqësim në Qeveri dhe në Presidencë. Në këtë kuadër, politikisht është korrekte që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të cilësohet si opozitë, ndryshe nga partitë e tjera, nga AKR e LDD, të cilat luajnë rolin e opozitës në kritika kundër pozitës (PDK-LDK), por kur vjen puna tek përcaktimi dhe votimi, këto dy parti votojnë propozimet e pozitës pa pra, ashtu siç ndodhi edhe në zgjedhjet e fundit komunale.

Sido që të jetë me AKR-në dhe LDD-në, as AAK-ja, realisht si parti e vetme opozitare, nuk po dallon fort nga pozita, si për nga vendimet që i merr, ashtu edhe për kah veprimet. Rasti si më konkret është votimi edhe i deputetëve të AAK-së për ndarjen e rreth 5 milionë eurove për Radio Televizionin e Kosovës (RTK). Mënyra se si u nda ky buxhet, pastaj si hyri në rend dite në Kuvendin e Kosovës dhe, në fund, si u votua, janë secila më joligjore se tjetra, por për këtë në ndonjë tjetër rast.

Esenca e këtij muhabeti është se edhe AAK-ja, përkundër zhurmave nëpër media për korrupsion dhe keq-qeverisje nga pushteti aktual PDK-LDK, nuk po vepron ndryshe. Bile, edhe në opozitë, AAK-ja po sillet çuditshëm e nganjëherë edhe në kundërshtim me rolin dhe pozitën e vet partiake në skenën politike të Kosovës.


Arsyeja pse AAK-ja sillet e vepron në këtë mënyrë, ndoshta nuk është e drejtë të diskutohet nga unë, sepse unë nuk jam as analist politik e as anëtar i AAK-së. Thjeshtë, ajo që tentoj të bëj është ofrimi i një pikëvështrimi në aspektin medial në raportet AAK-Qeveri.

Rrënja e këtij diskutimi është çështja: ku dallon AAK nga PDK dhe LDK? Në esencë, në asgjë hiq. Në esencë, akrobacionet mediatike të AAK-së, kritika qeverisjes nëpërmjet konferencave për shtyp, nganjëherë duket se janë më parë shprehje e zilisë ndaj pushtetit aktual. Me rastin e votimit të deputetëve të AAK-së për ndarjen e rreth 5 milionë eurove për RTK-në, kjo parti na tregoi që nuk ndryshon as nga PDK-ja e as nga LDK-ja. Bile, ka të tillë që mendojnë që AAK-ja të jetë parti edhe më e dëmshme sesa këto dyja bashkë që i kemi aktualisht në pushtet.

AAK-ja po dështon të organizojë debat publik rreth RTK-së bashkë me aktorët e tjerë publik. AAK-ja po dështon të flas hapur se mbledhja e 3.5 eurove nga parapagimi përmes faturës së KEK-ut ishte ilegal, pra joligjor dhe në kundërshtim me liritë, parimet dhe të drejtat themelore të njeriut. As kur ishte në pushtet, AAK-ja nuk ndërmori diçka të tillë. Dhe në fund (por jo e fundit), po e shohim që me zgjedhjen e Bordit të RTK-së dhe pastaj edhe me caktimin e drejtorëve dhe zëvendësve të tyre, RTK-ja të jetë shndërruar në televizion qeveritar. Tek e fundit, nëse ka televizion në Kosovë që po e dëmton edhe punën e partive opozitare në Kosovë, ajo është RTK-ja. Sido që të jetë, Kosova u dëmtua për 5 milionë euro nga buxheti i qytetarëve të Kosovës edhe me ndihmën e AAK-së. Kjo është esenca.

Pasi RTK-ja është shndërruar në televizion qeveritar, atëherë AAK-ja duhet të mendojë për mundësinë e bojkotimit të këtij televizioni, duke mos e ftuar në organizime partiake-publike këtë televizion, por as duke mos marr pjesë në kuazi diskutime të organizuara nga ky televizion. Me automatizëm, porosia që do të dilte me këtë veprim do të thoshte që AAK-ja është parti opozitare deri në fund, e jo vetëm deri aty ku nuk përfshihet në tenderët qeveritar.

Në të njëjtën kohë, do të jetë kurioze të dëgjohet edhe qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje karshi RTK-së, nëse kjo lëvizje kthehet në parti politike. As kjo lëvizje asnjëherë nuk mori qëndrim kundër parapagimit ilegal të RTK-së, me vite të tëra. Kjo lëvizje nuk u shpreh as kundër e as për ndarjes së rreth 5 milionë eurove për RTK-në nga buxheti i qytetarëve të Kosovës. Dua të them, kjo lëvizje ka qëndrim kritik ndaj situatës në Kosovë, që është e drejtë. Por, edhe RTK-ja është pjesë e Kosovës, bile ndoshta pjesa më e korruptuar e Kosovës, edhe financiarisht, edhe profesionalisht, edhe politikisht, edhe moralisht, pra të gjitha në një vend.

Shumë politikanë pyeten për korrupsionin në Kosovë, por asnjëri nga ta ende nuk merr guxim e të thotë që RTK-ja duhet të hetohet për atë që është bërë aty dhe vazhdon të bëhet aty.

Përveç kësaj, ndoshta shumë shpejt do të shohim deputetët e Kuvendit të Kosovës, pra edhe ata të AAK-së, duke legalizuar mbledhjen e tagrave 3.5 euro nga familjet kosovare për RTK-në. Me këtë akt parlamentar, Kosova do ta legalizojë korrupsionin.